Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, Zhvilloi një vizitë në projektin pilot që po zbatohet në Malësi të Madhe, në kuadër të programit ”PAST4Future”, ku Ministria e Financave dhe Ekonomisë, është partner kryesor.
Denaj u shpreh se synojmë të shtrijmë ofertën turistike në Shqipëri për një segment tregu ende të paplotësuar, si për personat me nevoja të veçanta, me aftësi të kufizuar, të moshës së tretë, por edhe familjarë që kanë nevoja të veçanta.
Sipas Denajt, turizmi mund të bëhet lehtësisht i arritshëm edhe për shtesat në nevojë. “E për këtë, tha Ministrja, kemi edhe ndihmën e pushtetit lokal. Një nga partnerët tanë në këtë projekt është Bashkia e Malësisë së Madhe, zona e cila po shërben si pilot për zbatimin e tij”.
Objekti kryesor i projektit është promovimi dhe fuqizimi i ofertave turistike të aksesueshme dhe të qëndrueshme në zonat ndërkufitare në nivelin evropian dhe ndërkombëtar, përmes zbatimit dhe diversifikimit të produkteve dhe shërbimeve turistike.
Ky projekt, do të mundësojë krijimin e një harte biznesesh në fushën e turizmit, institucione kulturore, shoqata sociale, institucione publike agjenci të ndryshme, të cilat do të mund të regjistrohen në një platform dixhitale ku do të mundësohet shkëmbimi i informacioneve dhe identifikimi sa më i thjeshtë për të krijuar ndërlidhjen midis tyre.
Projekti zbatohet nga 6 partnerë dhe përfshin tre shtete: Shqipërinë, Italinë dhe Malin e Zi, në kuadër të programit Interreg IPA i bashkëpunimit trepalësh, i bashkëfinancuar nga fondet e BE-së me 85% dhe 15% nga MFE.
Shqipëria është pozicionuar mirë me 59 partnerë (institucione dhe organizata), nga të cilat 9 projekte kanë partner drejtues nga Shqipëria, ndër to Ministria e Financave dhe Ekonomisë kryeson 2 projekte, çka tregon një interes dhe avancim sa i përket ambicieve të partnerëve shqiptarë në këto programe.