Zjarri në fshatin Prush e ka një autor! Ai është 57-vjeçari Ibrahim Alushi, i cili është arrestuar nga policia.
Mësohet se ai ka qenë duke djegur një shkurre në pronën e tij, por situata i doli jashtë kontrollit, ku dëmi është i konsiderueshëm.
Ndaj tij, rëndon akuza “Shkatërrim i pronës me zjarr”
“Identifikohet dhe arrestohet në kohë rekord, autori i dyshuar i zjarrvënies në fshatin Prush,Njësia Administrative Vaqarr. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Prush, Njësia Administrative Vaqarr, kishte rënë zjarr dhe ishin djegur një sipërfaqe e konsiderueshme e pyllëzuar, menjeherë kanë organizuar punën për të bërë dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Si rezultat i provave të grumbulluara u bë e mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr” i shtetasit I.A., 57 vjeç. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia.
Zjarrvënia e qëllimshme është një nga veprat penale që në pjesën më të madhe nuk iu është gjendur autori, edhe pse flakët kanë shkrumbuar mijëra ha sipërfaqe. Më herët kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako tha se po digjen pyje për t’u ndërtuar resorte, teksa ka pasur edhe rezerva për punën e bërë nga disa Bashki. Në vijimësi të kësaj deklarate të fortë, zv. kryeministri Erion Braçe e ka bërë shumë të qartë se nuk do të lejohet të ngrihet asnjë pallat mbi sipërfaqe pyjore të djegura.