Si duket Valbona

Dëgjova se ka pasur një debat publik kohët e fundit midis Edi Ramës dhe Ilir Metës, në lidhje me përgjegjësinë se kush ka vendosur mbi Masakrën e Valbonës. Kush ka faj?

By admin

Dëgjova se ka pasur një debat publik kohët e fundit midis Edi Ramës dhe Ilir Metës, në lidhje me përgjegjësinë se kush ka vendosur mbi Masakrën e Valbonës. Kush ka faj?

Unë nuk i di detajet e debatit sepse nuk kam një televizor dhe për më tepër nuk kam pasur kohë të dëgjoj debatin kombëtar. Unë çdo ditë jam përpjekur të dokumentoj atë që po ndodh me lumin Valbona. Atje ku unë banoj, çdo metër e lumit Valbona që ishte dikur blu si kristal, tani tërësisht rrjedh gjak të trashë dhe gri.

HEC i Tplani ka zgjatur pozicionin e turbinave 500 metra në drejtim të rrymës pa leje mjedisore, për aq sa mund të informohemi. Mbi veprën e marrjes së ujit, lumi është shkatërruar. Habitatet natyrore të gurëve janë zëvendësuar me shtretër zhavorri, dhe lumi është – oh prisni, nuk është teknikisht një digë, apo jo? – është shndërruar nga një lumë natyror i rrjedhshëm, krenar dhe aktiv në një pellg të ndenjur me alga të gjelbërta virulente. Vidrat – të cilët Shqipëria premtoi t’i mbrojë duke nënshkruar në konventën e Bernës – kanë ikur dhe peshqit janë zhdukur.

Dragobia Energy Cerem HEC ka larë aq shumë beton dhe Zoti e di se cilat materiale të tjera inerte nga tunelet e sapo përfunduara duke i lëshuar në kanalet ujitëse që i shërbejnë 20 shtëpive (ndoshta 100 persona) të lagjeve Metaliaj dhe Demiraj të Dragobise, dhe uji në kanal tani është një llum i trashë gri, ndërsa mostrat e ujit zbulojnë se vetëm gjysma e lumit tani në të vërtetë përbëhet nga uji. Ky llom po depozitohet në fushat e 100 njerëzve, duke veshur ushqimin e tyre në diçka që duket si suva dhe po pihet nga kafshët – lopët, delet, dhitë. Sapo të kthehet në lumë, vetëm Zoti e di se çfarë po i bën troftës.

Koncesioneri Dragobia Energy Dragobi gjithashtu ka filluar të devijojë në mënyrë aktive lumin në tunele. Edhe një herë, sipër gypit, lumi që më parë rridhte tani është një pellg. Nën zonën e marrjes së ujit, një përrockë e vogël ka mbetur për të mbushur shtratin.

Dhe jashtë Parkut Kombëtar, ku lumi tani shumë i dhunuar rrjedh nëpër fushat e buta të Bujanit, Avni Byberi ka vendosur makineri masive për të nxjerrë rërë nga shtrati i lumit. Aty ku njerëzit luanin dhe notonin, tani vihet re një lëvizje e vazhdueshme e kamionëve, duke nxjerrë disa tonë rërë nga shtrati i lumit çdo gjysmë ore. Për shkak të kësaj, lumi rrjedh gri, nga Lagja e Paqes deri në Gri.

“Lumi po rrjedh gjak”.

Ne e dimë se askush nuk do të vijë ta shohë. Javën e shkuar kemi paraqitur një kërkesë për informacion pranë zyrës rajonale të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. “Kur do kërkoni që Inspektorati të vijë dhe të bëjë diçka?”. Përgjigja që erdhi: “Siç jemi informuar, Lumi Valbona është ende blu. Ne nuk kemi marrë asnjë ankesë përveç tuajës. Sidoqoftë, ne dërguam inspektorët mjedisorë, të cilët konfirmuan se lumi është i pastër!” Janë gënjeshtra dhe gënjeshtra, dhe qëndrojnë mbi gënjeshtra. Lumi po masakrohet. Valbona po përdhunohet.”

Kështu që nëse duhet të jem e sinqertë, nuk më intereson vërtet kush ka faj. Nuk më intereson kush e shkaktoi këtë. Qoftë Rama apo Meta apo Babagjyshi. Unë dua të di se kush do të bëjë diçka për ta ndaluar masakrën.

Në Shqipëri, ne shpesh presim pa shpresë, për qeverinë e cila do të kujdeset. Qeveria e cila do të vijë dhe do të bëjë diçka – diçka për të ndihmuar në të vërtetë, për të qenë e përgjegjshme. Por kjo është demokracia tani. Rregulli i demos – njerëzit. Ne duhet t’i themi qeverisë se çfarë presim prej tyre. Të kërkojme të shihemi, edhe kur ata nuk pranojnë të na shohin. Të kërkojmë llogari.

Nëse dëshironi të ndihmoni – dhe mundeni : “Mos dyshoni kurrë që një grup i qytetarëve të kujdesshëm dhe të angazhuar mund të ndryshojnë botën. Me thënë drejt, kjo është e vetmja që e ka ndryshuar ndonjëherë.” [Margaret Mead]- Ju lutemi na kontaktoni. Ka gjëra konkrete, praktike që mund të bëni, të cilat nëse shumë prej nesh i bëjnë, do të funksionojnë. Të paktën kështu mendoj.