Ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca prezantoi sot fazën e dytë të fushatës së komunikimit “Europa është këtu” kushtuar Axhendës së Gjelbër të BE-së për Ballkanin Perëndimor, mjedisin dhe ndryshimin klimatik.
Marrëveshja e Gjelbër Europiane është një plan ambicioz dhe gjithëpërfshirës për ta shndërruar Bashkimin Europian në një ekonomi moderne, me burime të efektshme dhe konkurruese.
Axhenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor do të sigurojë ndihmë të mëtejshme, për shembull, për zhvillimin e ekonomisë qarkulluese dhe strategjive për cilësinë e ajrit.
Nën moton “Europa është këtu” fushata gjashtëmujore e nisur në korrik, informon qytetarët në lidhje me ndihmën financiare të BE-së për Shqipërinë, veçanërisht në sektorë kryesorë si infrastruktura/transporti, mjedisi dhe bujqësia.
Takimi për prezantimin e fazës së dytë të fushatës “Europa është këtu” u zhvillua në Kukës, në prani të autoriteteve vendore, organizatave mjedisore, shoqërisë civile, komunitetit të biznesit dhe medias.
Në fjalën e tij ambasadori i BE-së Soreca tha se “angazhimi i BE-së për të mbrojtur mjedisin tonë bazohet në një fakt të thjeshtë: përfitimet nga mbrojtja e ekosistemeve e tejkalojnë shumë koston e degradimit të tyre. Nga Brukseli në Kukës, nga Marrëveshja e Gjelbër e BE-së te ndihma jonë për Shqipërinë, Bashkimi Europian po punon për të njëjtat përparësi”.
“Gjatë 10 viteve të fundit, si donatori më i madh në Shqipëri, BE-ja ka dhuruar 210 milionë euro për ta mbështetur Shqipërinë për rritjen e standardeve të saj mjedisore. “Europa është këtu”, sepse BE-ja është tashmë e pranishme kudo në vend, duke përmirësuar jetën e shqiptarëve dhe duke i sjellë standardet më pranë atyre të BE-së”, – tha Soreca.
Fushata “Europa është këtu” për mjedisin do të shpjegojë në javët e ardhshme se si BE-ja po e ndryshon tashmë Shqipërinë përmes angazhimit të saj në çështjet e ndotjes së ajrit, përdorimit të pesticideve, trajtimit të mbetjeve, cilësisë së lumenjve dhe biodiversitetit.
Bashkimi Europian po investon në Kukës përmes projekteve të tij ndërkufitare për mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e turizmit,menaxhimin e ujit si dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike përmes investimeve publike inteligjente dhe zhvillimit të kapaciteteve.
Ambasadori i BE-së theksoi peizazhin e pasur natyror dhe biodiversitetin e rajonit si një bazë e shkëlqyer për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe kërcënimin nga mbeturinat dhe ndotja.
Ai gjithashtu njoftoi për 30 milionë euro të tjera ndihmë financiare të BE-së për mjedisin dhe ndryshimin klimatik (2021), duke përfshirë investimet në strukturat e integruara të menaxhimit të mbetjeve që do të përshpejtojnë ekonominë qarkulluese.
Për më shumë informacion mbi ndihmën financiare të BE-së për Shqipërinë, ju lutemi vizitoni www.euprojects.al. Platforma mbledh informacion mbi projektet e kaluara dhe ato në vazhdim të financuara nga BE-ja. Për secilin projekt, faqja në internet ofron informacion në lidhje me partnerët zbatues, përfituesit, objektivat, veprimet dhe rezultatet e pritshme, në një mënyrë plotësisht transparente. Baza e të dhënave ka një ndërfaqe miqësore për përdoruesit dhe funksioni i kërkimit mundëson kërkimin e projekteve sipas sektorit apo çdo fjale kyç.
Fakte dhe shifra mbi mbështetjen e BE-së për sektorin e mjedisit në Shqipëri
210 milionë euro kontribute nga BE-ja për sektorin e rrugëve në 10 vitet e fundit. BE-ja do të vazhdojë të investojë për mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimit klimatik në Shqipëri me një shumë prej 30 milionë euro duke filluar nga viti 2021.
BE-ja po financon projektin Via Dinarica mbi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit për të ardhmen e turizmit me afërsisht 450.000 euro, projektin Kukës-Gjakovë për Ujë të Pastër me 1.2 milionë euro, si dhe projektin Kryqi i Gjelbër drejt ekonomive vendore të gjelbra me investime inteligjente me 500.000 euro.