Ndotja e detit nga karburantet është një ndër krimet mjedisore më të shpeshta në Durrës, por institucionet përgjegjëse dhe ato të drejtësisë qëndrojnë duarkryq, duke favorizuar abuzuesit dhe shkelësit e ligjit.
Mesditën e 24 dhjetorit 2015 në akuariumin e Portit të Durrësit, dy inspektorë të Kapitenerisë diktuan njolla të mëdha karburanti të shpërndara masivisht mbi sipërfaqen e detit. Gjurmët e karburantit i çuan inspektorët te një traget i ankoruar i linjës Durrës- Bari, F/B Bridge, i cili drejtohej nga kapiteni grek, Efthymios Sokos dhe kryemekaniku Charalampos Chiotellis.
Sipas hetimit, karburanti ishte derdhur në det nëpërmjet tubit të motorit të tragetit, duke shkaktuar pasoja të rënda në ekuilibrin ekologjik të portit të Durrësit.
Por edhe pse krimi mjedisor u dokumentua brenda ditës, hetimi dhe gjykimi u zvarritën për pesë vjet –dhe kur Gjykata e Durrësit shpalli dënimet në shkurt 2020, dy të pandehurit Sokos dhe Chiotellis i ishin shmangur me kohë drejtësisë.
Prej episodit të vitit 2015, një duzinë krimesh të ngjashme mjedisore kanë ndodhur në bregdetin e Durrësit, por ato kanë mbetur gjithashtu të pazbardhura ose të pandëshkuara.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se nga 13 procedime penale të nisura për veprën e “ndotjes së ujërave” nga Prokuroria e Durrësit për vitet 2015-2020, shtatë prej tyre ose 53% e rasteve ishin pezulluar ose pushuar për shkak të mungesës së autorëve.
Katër procedime penale ishin ende në hetim dhe vetëm dy prej çështjeve ishin dërguar para gjykatës në 5 vitet e fundit.
‘Bilanci zhgënjyes’ i drejtësisë në ndëshkimin e autorëve të krimeve mjedisore konsiderohet një faktor nxitës për abuzuesit nga ekspertët e mjedisit në Shqipëri. Ekspertët i thanë gjithashtu BIRN se qëndrimi duarkryq i institucioneve ka sjellë një rritje të krimeve në dëm të mjedisit, veçanërisht në periudhën e pandemisë së COVID-19.
Ogerta Ujkashi, eksperte komunikimi në organizatën mjedisore “Resource Environmental Center”, REC në Shqipëri tha se prej fillimit të vitit kishin monitoruar çdo muaj 4-5 raste të krimeve mjedisore në vend.
“Gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur penalizime dhe nuk është ushtruar kontrolli i duhur,” tha Ujkashi.
Krime pa ndëshkim
Pandëshkueshmëria e krimeve mjedisore është një fenomen i vjetër në Shqipëri, që shtrihet përtej kufijve administrativë të qytetit bregdetar të Durrësit apo nenit specifik në Kodin Penal për ndotje të ujërave.
Një raport i prezencës së OSBE në Shqipëri mbi “Krimin Mjedisor”, i publikuar në gusht 2020 theksonte se policia kishte raportuar 1754 raste gjatë viteve 2014-2018. Sipas raportit, Prokuroria ndoqi vetëm 584 nga rastet e referuara ose vetëm 33% të totalit.
“Ndotja e ujërave” është një prej krimeve mjedisore të parashikuara në Kodin Penal dhe parashikon dënime nga 1 deri në 5 vjet burg. Në rastet kur kjo vepër shkakton pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve, dënimet rriten nga 5 deri në 10 vjet burg.
Në Shqipëri, ndotja e bregdetit shkaktohet kryesisht nga anijet cisterna që transportojnë naftë si dhe nga aktiviteti tregtar i trageteve. Ekspertët mjedisore kujtojnë ndotjet e përsëritura në dekadën e fundit të bregdetit të Durrësit, Gjirit të Vlorës apo Shëngjinit, të cilat nuk janë shoqëruar me ndëshkime apo me operacione të mirëfillta pastrimi.
Drejtori i REC Shqipëri, Mihallaq Qirjo i tha BIRN se ndotja nga nafta shkakton asfiksimin e gjallesave në ujë, ndërsa theksoi se krime të tilla mjedisore nuk ndiqen siç duhet nga institucionet e drejtësisë.
“Dëmi është i drejtpërdrejtë dhe lidhet me mungesën e oksigjenit në ujë dhe me ndotjen në traktin tretës dhe sistemin e frymëmarrjes së këtyre gjallesave nga nafta dhe përgjithësisht ato ngordhin,” tha Qirjo për BIRN.
“Po të shohim numrin e rasteve që policia procedon përgjatë një viti, me ato që prokuroria i dërgon në gjykatë, rezulton se shumica referohen në prokurori, por nuk ndiqen më tej,” shtoi ai.
Sipas Klaudio Hysenit, drejtor i qendrës “Durrësi Aktiv”, pandëshkueshmëria e ndotjes së detit ka krijuar hapësira për përsëritjen periodike të këtyre krimeve.
Ai kritikon gjithashtu institucionet mjedisore për mungesën e monitorimit të aktivitetit të anijeve, si një mënyrë që do të sillte ndërhyrje të menjëhershme dhe identifikim të shpejtë të shkaktarëve të ndotjes.
“Mosndëshkueshmëria në kohë sjell precedentë, sepse ndryshojnë ligjet, mund të ketë amnisti dhe krijon hapësira për mos ndëshkimin e shkelësve,” tha Hyseni për BIRN.
“Ligji nuk ka vetëm karakter ndëshkues, por edhe shtrëngues. Nëse shembulli i ndëshkimit të ndotësve do të kishte ardhur përpara 5 viteve, mund të kishte më pak ndotës”, shtoi ai, duke iu referuar dënimit të vonuar të Gjykatës së Durrësit për të pandehurit me origjinë greke.
Tranzicioni institucional
Në prill të këtij viti, inspektorët e mjedisit në Durrës u gjendën duarlidhur përballë derdhjes së qindra litrave naftë në det, si pasojë e një aksidenti në depozitat pranë portit të hidrokarbureve në Porto-Romano.
Inspektoriati i kishte pezulluar inspektimet për shkak të ristrukturimit të institucionit dhe ndonëse një grup ekspertësh mbërritën në terren, ata nuk mund të merrnin masa ndaj kompanisë.
Derdhja e naftës shkaktoi ndotje edhe në tokat bujqësore të Porto-Romanos, ndërsa shëndeti i banorëve u rrezikua nga mundësia e kontaminimit të puseve të ujit. Më 21 prill, Prokuroria e Durrësit regjistroi një procedim penal për ngjarjen, por çështja vazhdon ende të jetë nën hetim.
Inspektorati i Ujërave ishte fillimisht një institucion në varësinë e Ministrisë së Mjedisit, i cili kaloi më pas në varësi të Ministrisë së Bujqësisë, për t’u kthyer sërish te Mjedisi. Në fillim të vitit 2020, një pjesë e kompetencave i kaluan Ministrisë së Brendshme.
Policia e Shtetit dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit që ka marrë tashmë kompetencat mjedisore, por emergjenca e krijuar nga pandemia e COVID-19 e ka vështirësuar kontrollin e tyre mbi territorin.
Gjatë muajve të izolimit për shkak të pandemisë së koronavirusit, u raportua dëmtimi i shtratit të lumit Mat dhe shfrytëzim i paligjshëm i inerteve. Sipas prefektit të Lezhës, Gjok Jaku, kompanitë kishin shfrytëzuar mbylljen e njerëzve në shtëpi për aktivitetin e paligjshëm.
“Policia nuk ndërhyri, pasi ishte e angazhuar me situatën e krijuar nga pandemia,” tha Jaku.
Për drejtorin e REC, Mihallaq Qirjo, procesi i ristrukturimit dhe kalimi i Inspektoriatit nën Ministrinë e Brendshme mund të sjellë pasoja në ndjekjen e krimeve mjedisore.
“…kjo e ka bërë veprimin e tyre më infektiv dhe më të vështirë për të ndjekur rastet e krimit mjedisor,” tha Qirjo për BIRN.
Edhe Ujkashi tha se procesi i ristrukturimit ka sjellë probleme për organizatat mjedisore në Shqipëri, në raportimin apo denoncimin e abuzimeve mbi mjedisin.
“Kjo periudhë pa kontrolle për shkeljet mjedisore ka favorizuar abuzuesit, të cilët kanë përfituar”, përfundoi Ujkashi.