Kalendari Mjedisor

Devijimet në ndërtimin e hec-eve – Subjektet do pajisen me certifikatë nga MIE, penalitete për ndryshimin e fuqisë së instaluar

Prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike do të duhet të pajisen me “Certifikatën e pranimit të veprës”, një dokument që dëshmon se subjekti ka realizuar të gjitha kërkesat e legjislacionit në fuqi dhe të kontratës përkatëse

By admin

Prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike do të duhet të pajisen me “Certifikatën e pranimit të veprës”, një dokument që dëshmon se subjekti ka realizuar të gjitha kërkesat e legjislacionit në fuqi dhe të kontratës përkatëse për ndërtimin, rehabilitimin, transferimin dhe shfrytëzimin e burimit të rinovueshëm për prodhimin e energjisë elektrike. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar udhëzimin, me të gjithë procedurat që do të ndiqen, teksa përcakton se për ato impiante që janë në operim dhe kanë kryer testimin e veprës para hyrjes në fuqi të ligjit  nr.7/2017  “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, ky dokument do të konsiderohet i lëshuar automatikisht.

Megjithatë, nëse këto impinate kanë devijuar nga fuqia e instaluar pas testimit të veprës do të duhet të njoftojnë ministrinë, e cila do të kryejë vlerësimin nëse një ndryshim i tillë është në përputhje me kushtet përkatëse të kontratës me subjektin dhe aplikon sipas rastit penalitete apo çdo lloj mekanizmi tjetër kontraktor ndaj subjektit. Në përfundim të këtij procesi, subjektit i lëshohet CPV-ja sipas fuqisë reale të instaluar.

Ndërkaq, në përputhje me ligjin “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, prodhuesit me përparësi, të cilët kanë marrë certifikatën e pranimit të veprës të centralit elektrik, brenda datës 31 dhjetor 2020, kanë të drejtë të zgjedhin për të përfituar nga skema e mbështetjes, sipas kontratës për diferencë, në përputhje me parashikimet e këtij ligji apo të vijojnë me skemën e përfitimit sipas tarifave feed-in.