Tryeza virtuale diskutimi | Ekonomina e Gjelbër dhe qeverisja vendorem, Qendra EDEN

Me datë 4 dhjetor 2020, Qendra EDEN organizoi tryezën virtuale të diskutimit – “Kalimi në një Ekonomi të Gjelbër përmes një qeverisje të përgjegjshme vendore”. Kjo tryezë bëri bashkë aktorë të ndryshëm të përfshirë në advokimin e politikave të gjelbërta dhe mbrotjen e mjedisit, si: përfaqësues të OSHC-ve mjedisore, vendimmarrës të pushtetit vendor dhe qëndror, ekspertë të mjedisit, kërkues shkencorë, studentë dhe aktivistë të rinj të mjedisit.

By admin

Me datë 4 dhjetor 2020, Qendra EDEN organizoi tryezën virtuale të diskutimit – “Kalimi në një Ekonomi të Gjelbër përmes një qeverisje të përgjegjshme vendore”. Kjo tryezë bëri bashkë aktorë të ndryshëm të përfshirë në advokimin e politikave të gjelbërta dhe mbrotjen e mjedisit, si: përfaqësues të OSHC-ve mjedisore, vendimmarrës të pushtetit vendor dhe qëndror, ekspertë të mjedisit, kërkues shkencorë, studentë dhe aktivistë të rinj të mjedisit. Qëllimi i kësaj tryeze virtuale – nxitja e diskutimit mbi sfidat, mundësitë dhe kompleksitetin e të bërit të arritshme, parimet e Ekonomisë së Gjelbër nga komunitetet lokale përmes rritjes së përfshirjes dhe bashkëpunimit me një qeversije të përgjegjshme vendore. 

Tryeza nisi me fjalën përshëndetëse të Drejtores Ekzekutive të Qendres EDEN, Znj. Ermelinda Majhmutaj, duke falenderuar pjesëmarrësit për interesin e tyre dhe më tej, duke prezantuar qëllimin e takimit, axhendën dhe panelistët e ftuar të kësaj tryeze. Axhenda e tryezës ishte organizuar në 2 panele dhe në pjesën në vazhdim me diskutimin e hapur dhe aktiv. 

Paneli i I-rë, nisi me fjalën e mbajtur nga Znj.Ornela Cuci, Zv/Ministër e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me qeverisjen vendore në funksion të transpozimit të Ekonomisë së Gjelbër. Përvec kësaj, në fjalën e saj, Znj. Cuci theksoi rëndësinë e praktikave të menaxhimit të mbetjeve, e cila duhet të konsiderohet si një prioritet në axhendat e bashkive të vendit. Në vazhdim, fjala i kaloi Z.Edvin Pacaram Oficer Programi për Mjedisin, Klimën dhe Energjinë, Delegacioni i BE në Shqipëri, ku ndër të tjera, theksoi peshën e direktivave të Kapitullit 27 “Mjedisi”, në integrimin e Shqipërisë në familjen Evropiane. Gjithashtu, z. Pacara dha një vështrim të përgjithshëm të investimeve dhe projekteve në përmirësimin e mjedisit të punës së Delegacionit të BE në Shqipëri me përqasje mjedisore. 

Në vijim, paneli i dytë – Pushteti vendor në mbështetje të Ekonomisë dhe Investimeve të gjelbërta – i’u dedikua tërësisht pushtetit vendor, duke filluar me fjalën e Znj. Katerina Marku, nga Komisioni i Mjedisit dhe Energjisë, Këshilli Bashkiak i Tiranës, ku u prezantuan incentivat e vendosura në mbështetje të bizneseve zbatuese të parimeve të Ekonomisë së Gjelbër në qytetin e Tiranës. Znj. Marku theksoi se Bashkia Tiranë, në skemën e granteve për këto biznesese prioritizon sektorin e mobilitetit. Pjesë e këtij paneli ishte dhe Bashkia Shkodër, përfaqësuar nga Znj. Aida Shllaku, Drejtore e Mjedisit, e cila prezantoi shërbimet dhe infrastrukturën e gjelbër që kjo bashki zotëron, duke shtuar se perspektiva për këto shërbime dhe investime të gjelbërta është në rritje. 

Përpos fjalës dhe prezantimeve nga 4 panelistët, tryeza u pasurua edhe me pjesëmarrjen aktive të grupimeve/pjesëmarrësve që iu bashkuan kësaj tryeze virtuale diskutimi. Pikat kryesore të nxjerra gjatë diskutimit janë – mungesa e një strategjie afat-gjate dhe ligji dedikuar Ekonomisë së Gjelbër dhe Qarkulluese; mungesa e përfshirjes së qeverive lokale në mbështetje të krijimit të një ekosistemi për iniciativat e gjelbërta; jo-zbatueshmëria e plotë e ligjeve mjedisore për bizneset si kombëtare dhe ndërkombëtare që veprojnë në vend. 

Pavarësisht kushteve të pandemisë shkaktuar nga Covid-19, falenderojmë të ftuarit dhe pjesëmarrësit e kësaj tryeze që edhe pse nëpërmjet platformës Zoom, nuk hezituan të ndanin opinionet dhe pikëpamjen e tyre gjatë diskutimit. 

Tryeza virtuale e diskutimit “Kalimi në një Ekonomi të Gjelbër përmës një qeverisje të përgjegjshme” u zhvilluar në kuadër të projektit “Green Economy for an Advanced Region”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga FORS Mali i Zi në partneritet me organizatat SMART Kolektive nga Serbia, Qendra për Zhvillim dhe Mbështetje nga Bosnja dhe Hercegovina, EKO Svest nga Maqedonia Veriore, Qendra EDEN nga Shqipëria dhe Shoqata Slap nga Kroacia.