Dështon riciklimi i mbetjeve në Lezhë, drejt projektit të tretë në 10 vite

Bashkia e Lezhës ka dështuar për të dytën herë për zbatimin e plotë të projektit për menaxhimin e integruar të mbetjeve, ndërkohë që po përgatit projektin e tretë për të njëjtin qëllim. Edhe pse nga viti në vit, Bashkia Lezhë ka harxhuar paratë e planifikuara për këtë projekt, sipas ekspertëve, nuk ka arritur të përmbushë gjithë segmentet e tij, pasi ishte gabim që në konceptim.

By admin

Bashkia e Lezhës ka dështuar për të dytën herë për zbatimin e plotë të projektit për menaxhimin e integruar të mbetjeve, ndërkohë që po përgatit projektin e tretë për të njëjtin qëllim. Edhe pse nga viti në vit, Bashkia Lezhë ka harxhuar paratë e planifikuara për këtë projekt, sipas ekspertëve, nuk ka arritur të përmbushë gjithë segmentet e tij, pasi ishte gabim që në konceptim. Projekti i parë u vu në zbatim në vitin 2010 dhe u la në mes, ndërsa i dyti ishte një projekt strategjik 4-vjeçar, që nisi implementimin në vitin 2017, por që deri tani, kur ka mbetur një vit nga përfundimi i tij, është arritur të mbulohet një pjesë e konsiderueshme e territorit për pastrimin e mbetjeve, por nuk është bërë asnjë riciklim.

Projekti I

Nga të dhënat zyrtare, mësohet se në vitin 2010 Bashkia e Lezhës filloi një projekt për menaxhimin e integruar të mbetjeve, në bashkëpunim me DLDP-në (Programi për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal, i financuar nga qeveria zvicerane). Me këtë program është rikonstruktuar qendra e riciklimit me një vlerë prej 40 mijë euro nga DLDP-ja dhe rreth 20% bashkëfinancim i Bashkisë Lezhë, pra konkretisht 8 mijë euro nga Bashkia e Lezhës. Për këtë program, në mars të vitit 2015, Kryetari i Bashkisë në atë kohë, Viktor Tushaj, pati thënë se Lezha është model për projektin e mbetjeve të diferencuara, për disa simotra në Ballkan, në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni. Sipas deklaratës së asaj kohe, në Lezhë vazhdonte të implementohej projekti pilot i diferencimit të mbetjeve, që më pas vijonte me procesin e riciklimit, duke dhënë impakt në mjedis, turizëm dhe ekonomi.

Por, pas zgjedhjeve, me ndarjen e re administrative, Bashkia e Lezhës e ndërpreu këtë projekt dhe në vitin 2017 propozoi një projekt tjetër me argumentin se: “Kjo qendër fillimet i kishte të mira por që më pas nuk funksionoi për arsye të problemeve me operatorët privatë të riciklimit me Bashkinë e vjetër të Lezhës. Në këto kushte, plani i ri synon vendosjen e një sistemi efektiv për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve duke kombinuar disa mënyra, kontejnerë, qese etj., përfshirë këtu investimet kapitale dhe mbulimin e kostove operacionale, të cilat do të mbulohen kryesisht nga buxheti i bashkisë. Bashkia Lezhë ka parashikuar mbledhjen e mbetjeve voluminoze dhe për këtë synon kthimin e qendrës së riciklimit në një qendër grumbullimi të këtyre mbetjeve”, tha në një prononcim Bashkia e Lezhës në vitin 2017 për gazetarët që zbatonin projektin “Lezha e Qytetarëve”, i mbështetur nga Leviz Albania.

Projekti II

Në këto kushte, Bashkia Lezhë vuri në zbatim projektin e dytë për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Sipas të dhënave, në vitin 2016, Bashkia Lezhë mbulonte rreth 63% të popullsisë me shërbim të rregullt të menaxhimit të mbetjeve dhe me projektin e ri, brenda viteve 2017-2021, shërbimi do të mbulonte 95% të territorit. Sipas projektit, gjatë kësaj kohe do të përmbusheshin të gjitha detyrimet për reduktimin deri në 50% të mbetjeve nëpërmjet riciklimit dhe kompostimit. Kosto e ndarë sipas viteve do të ishte;

Në vitin 2017, 75,183,488 lekë;

Në vitin 2018, 78,942,662 lekë;

Në vitin 2019, 82,889,795 lekë;

Në vitin 2020, 87,034,285 lekë;

Në vitin 2021, 91,385,999 lekë;

“Kjo kosto parashikon mbulim tërësor të shërbimit të 10 njësive administrative të Bashkisë Lezhë, që nga blerja e kontejnerëve, mjeteve të transportit, fuqia punëtore, marrja e mbetjeve nga kontejnerët dhe deri në depozitimin në landfill, proces që është parashikuar të kryhet nga kontraktorët e Bashkisë Lezhë. Theksojmë faktin se jemi në muajt e parë të fillimit të implementimit të këtij procesi”, deklarohet në dokumentin e planit të menaxhimit të integruar të mbetjeve për Bashkinë Lezhë.

Por, në Planin e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve 2017-2021 të Bashkisë Lezhë vihet re se pothuajse e gjithë kostoja është bazuar në të ardhurat që do të mblidhen nga tarifa e shërbimit, që ndahet 70% për familjet, 25% për biznese dhe 5% për institucionet. “Kjo politikë e shpërndarjes së barrës për mbulimin e kostove të shërbimit bazohet në praktikat më të mira brenda dhe jashtë vendit. Sipas tyre, ndotësi paguan, që do të thotë se barra shpërndahet ndërmjet grupeve të subjekteve sipas masës në të cilën ata gjenerojnë mbetje. Rrjedhimisht pjesa me e madhe e kostos do të mbulohet nga familjet, dhe pjesa më e vogël nga institucionet”, deklarohet në planin e bashkisë.

Situata aktuale

Por çfarë ka ndodhur. Në fund të vitit të tretë të këtij plani, kur ka mbetur më pak se një vit për përfundimin e tij, arritjet janë shumë larg pritshmërive. Së pari rezulton se kosto e menaxhimit të mbetjeve, për tre vite ka qenë më e lartë se planifikimi. Në raportin e vitit 2019, të përgatitur nga Bashkia Lezhë për programin e performancës, e asistuar nga Bashki të Forta rezulton se;

Në vitin 2017 ishin planifikuar shpenzime në vlerën 75,183,488 lekë; por janë shpenzuar 95,452,000 lekë.

Në vitin 2018 ishin planifikuar shpenzime në vlerën 78,942,662 lekë; por janë shpenzuar 86,992,000 lekë.

Në vitin 2019, ishin planifikuar shpenzime në vlerën 82,889,795 lekë; por janë shpenzuar 109,022,000 lekë.

Ndërsa për vitin 2020, ende nuk ka një shifër ekzakte nga Bashkia e Lezhës.

Lidhur me këtë projekt, Porta Vendore pyeti Bashkinë Lezhë se deri ku ka ecur ky projekt dhe a janë realizuar detyrat sipas viteve përkatëse, duke qenë se dhe një vit ka mbetur nga përfundimi i tij. Në përgjigjen e saj, Bashkia Lezhë deklaroi se “Zbatimi i Planit është konceptuar dhe është vënë në zbatim më sipërmarrje private, përkatësisht të ndarë në 3 zona shërbimi. Zona I, Lezhë Shëngjin; Zona II, Shënkoll, Zejmen, Kolsh; dhe Zona III, Balldre, Kallmet, Dajç, Blinisht dhe Ungrej. Plani Vendor i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve (PVMIM) i Bashkisë Lezhë është një plan ambicioz i cili ka synuar të përafrojë objektivat e bashkisë me standardin e Direktivës Kuadër të mbetjeve 2008/98/EC dhe e mishëruar në ligjin 10 463/2011 ‘Për menaxhimin e integruar të mbetjeve’. Në terma të përgjithshëm, bashkia ka planifikuar të ndajë për riciklim rreth 50% të sasisë së mbetjeve të riciklueshme (4 rrymat, letër/karton, metale, plastikë dhe qelq) që në terma absolutë përkon me një sasi prej 1,904 ton/vit kundrejt 5,602 ton/vit që përbëjnë mbetjet e riciklueshme. Në zbatim të kontratave të sipërmarrjes dhe planit të menaxhimit të integruar të mbetjeve rezulton se vetëm operatori i Zonës së II-të ka bërë operacional një stacion selektimi për mbetjet e riciklueshme dhe ndan për riciklim një sasi të përafërt me atë të planifikuar për këtë stacion. Në dy Zonat e tjera këto aspekte të planit nuk janë zbatuar. Nuk kemi një kosto reale të mosfunksionimit të skemës së parashikuar në planin e menaxhimit e në kontratat e sipërmarrjes, por është respektuar vlera e kontratave për tre zonat e shërbimit”. Pra, vihet re se riciklimi i mbetjeve ka dështuar në pjesën më të madhe të tij, ndërkohë që kostoja është më e lartë sesa planifikimi, sipas PVMIM.

Por, ky është vetëm një segment i këtij projekti. Segmenti tjetër është grumbullimi i mbetjeve për të gjithë banorët e Bashkisë Lezhë. Në përgjigjen për Portën Vendore, Bashkia Lezhë shprehet se aktualisht mbulohet me shërbim 97% e popullsisë, ose 77 mijë e 663 qytetarë. Por, ndryshe nga sa thotë për Portën Vendore, Bashkia Lezhë jep shifra të tjera në raportin e performancës afatmesme për vitet 2020-2022, ku deklaron se do të synohet mbulimi me këtë shërbim i 90% të popullsisë, pra 7% më pak sesa pretendohet se është mbuluar faktikisht.

Ekspertët: Arsyet e dështimit të projektit

Sipas ekspertëve të mjedisit, asnjëri nga dy projektet e Bashkisë Lezhë për menaxhimin e integruar të mbetjeve nuk funksionuan për disa arsye. Eksperti Gjergj Elezi shprehet se projekti i trajtimit të diferencuar të mbetjeve nuk arriti që të sensibilizonte njerëzit. “Nuk ishte mbase koordinimi i duhur edhe midis aktorëve të këtij procesi, komunitetit, firmës dhe bashkisë. Mendoj se nuk u ndërgjegjësua komuniteti aq sa duhej. Ishte diçka shumë e bukur si ide kjo parë edhe në aspektin estetik kur filluan kontejnerët nëntokësorë etj, por dështimi i një projekti të tillë është më i dëmshëm për vetë njerëzit. Një gabim i tillë mendoj ka ardhur për shkak se ky projekt nuk erdhi në kohën e duhur, pra nuk u studiuan të gjitha mundësitë dhe alternativat”, shprehet Elezi. Sipas ekspertit mjedisor, sugjerimi i tij ka qenë edhe është që e gjitha kjo të niste me një projekt pilot në 2 lagjet me popullsi më të madhe që ka Lezha dhe më pas nëse kjo provë do të kalonte me sukses, të fillonte implementimi në të gjithë qytetin dhe në të gjithë bashkinë. “Por të gjithë ne jemi të vetëdijshëm që ky projekt është i kushtueshëm dhe firmës i duhen pajisje dhe makineri të teknologjisë së lartë. Gjithsesi ky projekt do të kishte dështuar, pasi me vendosjen e kontejnerëve nëntokësorë askush nuk kishte llogaritur faktin që Lezha përmbytet 2-3 herë në vit. Mendoj se projekti i riciklimit të mbetjeve është një projekt që kërkon përfshirjen e të gjithë aktorëve, dhe vlen akoma për Lezhën, kjo pasi ky qytet ka të gjithë potencialin e duhur si në kulturën qytetarë ashtu edhe në traditë që të finalizojë me sukses një projekt të tillë kaq ambicioz”, përfundon Elezi.

Ndërsa eksperti i mjedisit, Jak Gjini shprehet se infrastruktura urbane ishte ende e papërshtatshme në qytetin e Lezhës, sepse nuk ishin stabilizuar ende ujërat e Lezhës që të vendoseshin kosha nëntokësorë. “Po ashtu mendoj se duhet punuar më shumë në drejtim të sensibilizimit të komunitetit dhe promovimit të procesit riciklimit të mbetjeve që e gjitha kjo të kthehet në kulturë. Lezha nuk ka pas një qendër riciklimi por vetëm një qendër grumbullimi për mbetjet urbane. Dhe në momentin e amortizimit të makinerive, bashkia nuk ishte në gjendje që t’i mbulonte shpenzimet e rregullimit të tyre dhe ky ishte momenti mendoj unë, që ky projekt doli nga “rryma” e riciklimit”, shprehet Gjini.

Kurse ambientalisti Lavdosh Ferruni deklaron se riciklimi nuk është funksional nëse është vetëm për një segment. “Projekti i riciklimit të mbetjeve në Lezhë dështoi sepse ato ndaheshin pastaj bashkoheshin në Landfill. Qeveritë tona akoma nuk ja kanë idenë kësaj praktike”, shprehet Ferruni, duke theksuar faktin se projektet nuk marrin në konsideratë të gjithë faktorët që e bëjnë të zbatueshëm.

Projekti rriti tarifën e shërbimit

Nga ana tjetër, ky projekt, pavarësisht se nuk ka arritur të plotësohet në të gjithë segmentet e tij ka sjellë kosto shtesë dhe për një pjesë të qytetarëve. Konkretisht, sipas planit ishte parashikuar që tarifa e shërbimit për pastrimin e mbetjeve në vitin 2020 do të ishte mesatarisht 3,911 lekë në vit për çdo familje. Aktualisht, tarifa e shërbimit për familjet është 3000 lekë në vit për familje në zonën e parë të shërbimit dhe 1800 lekë në zonën e dytë dhe të tretë. Sipas të dhënave zyrtare nga Bashkia e Lezhës, tarifa është rritur me 300 lekë për zonën e parë dhe nuk ka pësuar ndryshime në dy zonat e tjera. Ajo që duhet theksuar është fakti se zona e parë, ku është rritur çmimi, përfshin dy qytetet Lezhë dhe Shëngjin, ndërsa zona e dytë dhe e tretë përfshin fshatrat.

Projekti III

Megjithatë, duke parë mosrealizimin e dy projekteve të para për menaxhimin e mbetjeve, Bashkia Lezhë po tenton të vejë në zbatim një projekt të tretë. “Bashkia Lezhë, në bashkëpunim me Agjencinë Zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim, ( SDC), Institutin e kërkimeve urbane (URI), Helvetas Albania, dhe projektin Bashki të Forta, po bën rishikimin e planit të menaxhimit të integruar të mbetjeve dhe aktualisht është hartuar dhe po konsultohet Draft Plani”, deklaroi Bashkia Lezhë në përgjigjen e saj, duke shpresuar në projektin e tretë në 10 vite për menaxhimin e integruar të mbetjeve.