Kalendari Mjedisor

Organizatat mjedisore të shoqërisë civile bëjnë thirrje për veprim institucional kundër krimeve mjedisore në rritje gjatë vitit 2020

Organizatat mjedisore të shoqërisë civile bëjnë thirrje për veprim institucional kundër krimeve mjedisore në rritje gjatë vitit 2020

By admin

Deklaratë për shtyp 

Në emër të Grupit Këshillimor kundër Krimit Mjedisor (GKKM) shprehim shqetësimin tonë lidhur me rritjen e veprave të krimit mjedisor dhe të dëmtimit të mjedisit në përgjithësi në vendin tonë si: prerja e paligjshme e pyjeve, ndotja e ujërave apo dëmtimi i faunës së egër. Sipas raportimeve të organizatave mjedisore, policisë dhe mediave në vend, krimi mjedisor në Shqipëri është rritur gjatë vitit 2020, Kjo, shoqëruar me një nivel të ulët të ndëshkueshmërisë së krimeve mjedisore dhe me mungesën e të dhënave të sakta dhe gjithëpërfshirëse, tregon që vendit ende i mungon një sistem i organizuar raportimi, parandalimi dhe ndjekje e krimeve të tilla. 

Sipas të dhënave të marra nga Prokuroria e Përgjithshme mbi rastet e veprave penale të krimit mjedisor në Shqipëri, për një periudhë 9 mujore, vihet re që viti 2020 ka shënuar rritje të numrit të veprave të krimit mjedisor, me 254 raste të trajtuara dhe 146 të pakonsideruara, ndërkohë që ndëshkueshmëria mbetet në nivele shumë të ulëta me vetëm gati 5% të rasteve të referuara në prokurori. Nga totali i rasteve të trajtuara, 39 raste të veprave penale rezultojnë të dënuara, ku 36 prej këtyre rasteve lidhen me Nenin 205 Prerja e paligjshme e pyjeve (23 raste) dhe Nenin 201 Ndotja e ajrit (13 raste).

“Është për t’u theksuar se rastet e ndëshkuara nuk përfaqësojnë realitetin e problematikës së vërejtur në terren nga organizatat e shoqërisë civile, aktivistët mjedisorë dhe mediat lokale dhe kombëtare. Ndonëse ka shumë raste të raportuara nga organizatat mjedisore apo në rrjetet sociale nga IKMT që lidhen me dëmtimin e faunës së egër, apo shkarkimet e inerteve të paligjshme në lumenj, ato nuk reflektohen në statistikat e Prokurorisë të siguruara nga Grupi. Prandaj është e nevojshme nxitja e hetimeve nga prokuroria kur bëhen publike rastet e krimit mjedisor nga organizatat e shoqërisë civile nëpërmjet rrjeteve të tyre të komunikimit.”- shprehet Z. Aleksandër Trajçe, përfaqësues i Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA)

Nisur nga analiza e shifrave si dhe e llojeve të figurave të veprave penale, shtrohet pyetja nëse këto institucione të ligjit nuk e njohin sa duhet krimin mjedisor dhe rrjedhimisht nuk duan që t’i cilësojnë këto vepra penale si të tilla. Ndërkohë që ka shumë raste të raportuara pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nga organizatat mjedisore që punojnë në fushën e mbrojtjes së faunës dhe natyrës që dëshmojnë të kundërtën në realitet. 

Për më tepër, muajt e fundit vihet re një refuzim në rritje në dhënien e informacionit mjedisor prej autoriteteve përgjegjëse për gjendjen e mjedisit. Gjithashtu ne vlerësojmë se duhet të rritet pro-aktivizimi i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, një institucion shumë i rëndësishëm i pavarur, detyra e të cilit është nxitja dhe vendosja para përgjegjësisë administrative të institucioneve publike që cenojnë transparencën dhe qasjen në informacionin. Gazetarët që raportojnë krimin mjedisor referojnë se një numër ankesash drejtuar Komisionerit po refuzohen.

“Organizatat e përfaqësuara në këtë grup këshillimor i kërkojnë autoriteteve përgjegjëse të forcohet i tërë zinxhiri i mekanizmit ligj-zbatues: monitorimi, raportimi, ndjekja e çështjes deri në instancat gjyqësore. Institucionet përgjegjëse për zbatimin e ligjit, sidomos me përfshirjen e dispozitave të posaçme mbi krimin mjedisor në Kodin Penal, duhet të marrin përsipër pa vonesë përgjegjësitë ligjore që i takojnë. Në të njëjtën kohë, është i rëndësishëm të forcohet dhe të konkretizohet bashkëpunimi midis institucioneve qeveritare, ekspertëve, organizatave mjedisore, mediave dhe institucioneve akademike.” – shprehet Z. Mihallaq Qirjo, përfaqësues i Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri (REC Albania)

Duke bashkuar ekspertizën e tyre, shoqëria civile, akademikët dhe media bëhen një faktor i rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin në të gjitha nivelet, dhe për të ndihmuar në rritjen e efiçiencës së punës së institucioneve për adresimin e këtyre veprave penale. Në këtë kontekst, është ngritur Grupi Këshillimor për Krimin Mjedisor, si një kontribut i dobishëm për të forcuar bashkëpunimin shumë të nevojshëm midis të gjithë aktorëve të shoqërisë civile.

Grupi këshillimor kundër krimit mjedisor, është një organizim i pavarur dhe vullnetar ekspertësh mjedisorë, organizata të shoqërisë civile, dhe gazetarë që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin në nivelin qendror dhe lokal për të ndihmuar në avancimin e programit të qeverisë kundër krimeve mjedisore, duke bashkëpunuar me autoritetet përgjegjëse dhe komunitetet vendore për të rritur shkallën e bashkëpunimit dhe të raportimit të këtyre veprave penale.

Organizatat kontribuese në këtë Grup Këshillimor:

Four Paws, Shqipëri

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH)

Qendra Aarhus Shkodër

Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri (REC Albania)

Qendra Mjedisore për Zhvillim, Edukim dhe Rrjetëzim (EDEN)

Qendra për Mbrojtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri (EcoAlbania)

Qendra Mjedisore për Studime dhe Zbatime (QMSZ)

Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) 

Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS)

Për më shumë informacion: 

Ogerta Ujkashi

Sekretariati Teknik Mbështetës i Grupit Këshillimor kundër Krimit Mjedisor

pranë Qendrës Burimore të Mjedisit, REC Shqipëri

Tel.: 04 2232928

e-mail: [email protected]