Drejtuar: Shkëlqesisë së tij, Z. Edi Rama, Kryeministër
Për dijeni: Z. Blendi Klosi, Ministër i Turizmit dhe Mjedisit
Znj. Belinda Balluku, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
Autoriteti i Aviacionit Civil
Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit
Fondi Shqiptar i Zhvillimit
Komiteti i Investimeve Strategjike
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri
Prezenca e OSBE në Shqipëri
Lenda: Anulimi i ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës brenda zonës së mbrojtur ‘Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë’
Dërguesit: Organizatat mjedisore të renditura në fund të kësaj letre.
I nderuar Z. Kryeministër,
Ne, një grupim organizatash mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare, jemi në dijeni të planeve të qeverisë shqiptare për të ndërtuar një aeroport ndërkombëtar në brendësi të kufijve të Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë (Peizazh i Mbrojtur/ Kategoria V sipas IUCN).
Ne e vlerësojmë nismën e qeverisë për realizimin e investimeve të kësaj natyre dhe jemi të vetëdijshëm se i shërbejnë zhvillimit social-ekonomik të vendit. Por, ne jemi njëkohësisht tejet të shqetësuar për këtë situatë në të cilën ndodhemi, për arsye se, ndërtimi i këtij aeroporti do të dëmtonte në mënyrë të pakthyeshme ekosistemin e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë – Nartë, duke sjellë dhe përshpejtuar një model ekonomik aspak miqësor ndaj mjediseve natyrore, i cili stimulon zhvillimin e pakontrolluar dhe të paqëndrueshëm, dhe shkatërron në mënyrë të pakthyeshme resurset dhe vlerat natyrore të zonës.
Nëpërmjet kësaj letre duam të sjellim në vëmendjen tuaj se Laguna e Nartës dhe mjediset përreth përfaqësojnë një nga ekosistemet ligatinore më të mëdha e më të rëndësishme të Shqipërisë dhe Mesdheut. Vjosë-Narta, përveç se është Zonë e Mbrojtur në rang kombëtar, është gjithashtu pjesë e pothuajse të gjitha rrjeteve ekologjike ndërkombëtare në të cilat një zonë natyre në Shqipëri mund të bëjë pjesë. Kësisoj, zona është e njohur ndërkombëtarisht si “Zonë e Rëndësishme për Shpendët dhe Biodiversitetin” e quajtur “Laguna e Nartës“ me numër dallimi “AL005”. Në vijim, Vjosë-Narta është njohur si Zonë Kryesore për Biodiversitetin në nivel global e quajtur “Vjosë – Nartë (Vjosë-Pishë Poro-Laguna e Nartës)” me numër dallimi ALB24. Zona përmbush edhe kriteret për t’u klasifikuar si “Ligatinë me Rëndësi Ndërkombëtare” sipas “Konventës të Ligatinave me Rëndësi Ndërkombëtare” apo sikurse njihet ndryshe “Konventa e Ramsarit” që Shqipëria e ka ratifikuar. Dhe së fundmi, por jo për nga rëndësia, kjo zonë është nominuar zyrtarisht nga qeveria shqiptare pranë “Konventës për Ruajtjen e Florës dhe Faunës së Egër dhe Mjedisit Natyror të Evropës” (Konventa e Bernës), si zonë kandidat Emerald, nën emërtimin “Peizazhi i mbrojtur i kompleksit ligatinor Vjosë – Nartë” me numër dallimi AL0000008 dhe sipërfaqe 19.412,00 hektarë.
Në këtë zonë është regjistruar një numër total prej mbi 200 lloje të shpendëve të egër. Prej këtij numri, 33 janë të listuar me status kërcënimi në Listën e Kuqe të Shqipërisë, ku 8 lloje mbajnë statusin e Rrezikimit Kritik (CR), 9 lloje klasifikohen si të rrezikuara (EN), 13 lloje janë cilësuar me status të Përkeqësuar (VU) si dhe 3 lloje mbartin statusin e Rrezikut të Ulët (LR). Në vazhdim, 123 lloje janë të listuar në shtojcën II të “Konventës së Bernës” të cilën Shqipëria e ka ratifikuar. Në Shtojcën II të kësaj Konvente listohen të gjitha llojet e kafshëve për të cilat kërkohet mbrojtje e veçantë. Më tej, 43 lloje listohen në Shtojcën I të Rrjetit të Zonave me Interes të Veçantë Ruajtjeje (Emerald Network). Në këtë shtojcë listohen të gjitha llojet që kërkojnë marrjen e masave të veçanta për mbrojten e habitatit të tyre. Në vijim, 7 lloje janë të listuar në Shtojcën I të Konventës për Llojet Shtegtare (CMS), ku listohen llojet shtegtare popullatat e të cilave vlerësohen të jenë në rrezik zhdukje në një pjesë apo në të gjithë hapësirën e shpërndarjes së tyre. Po në kuadër të kësaj konvente, Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen për Ruajtjen e Shpendëve të Ujit të Afrikës dhe Euroazisë (AEWA), e cila vepron për 92 prej llojeve të gjendura në Vjosë-Nartë, duke kushtëzuar vendin tonë të mbajë apo krijojë kushte të mira habitati për këto lloje. Për sa i përket gjendjes së popullatës së llojeve në Bashkimin Evropian, 23 lloje janë me interes të veçantë ruajtjeje pasi popullatat e tyre kanë hyrë në njërin prej kufijve të rrezikut sipas Bashkësisë Ndërkombëtare të Ruajtjes së Natyrës (IUCN). E fundit, por jo për nga rëndësia, në nivel ndërkombëtar, 62 lloje janë të listuar në Shtojcën 1 të Direktivës Evropiane të Shpendëve, që detyron vendet anëtare dhe ato vende që kanë nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian të shpallin Zona të Posaçme Mbrojtje (SPA) për këto lloje.
Vjosë-Narta është vendfolezimi më i rëndësishëm në Shqipëri dhe ndër më të rëndësishmit në Evropë për disa lloje të rendit të baltakëve (Charadriiformes). Mund të përmendet këtu rasti i sqepbizës (Recurvirostra avosetta), popullata riprodhuese e së cilës brenda Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë është më shumë se 1% e popullatës së përgjithshme të rajonit biogjeografik të Evropës Juglindore, Detit të Zi dhe Turqisë. Në vijim, Vjosë-Narta mbart rregullisht mbi 1% të popullatave të dy llojeve të rajonit të Mesdheut dhe Detit të Zi, si pelikani kaçurrel (Pelecanus crispus) dhe flamingoja (Phoenicopterus roseus).
Të gjitha këto vlera që ka kompleksi ligatinor Vjosë–Nartë, si nga aspekti i larmisë së habitateve apo dhe jetës së egër, janë pasqyruar gjerësisht nga media kombëtare dhe ato ndërkombëtare, si The Guardian, The Telegraph, Euronews, etj., duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së tyre. Biodiversiteti i Lagunës së Nartës është përmendur dhe vlerësuar edhe nga vetë ju Z. Kryeministër, të cilën në disa raste e keni reklamuar në rrjetet tuaja sociale online, duke theksuar madhështinë e popullatës së flamingove dhe llojeve të reja që hasen nga biologët dita-ditës në këtë ekosistem.
Ndërtimi i një infrastrukture të përmasave të tilla si aeroporti i propozuar, jo vetëm që do të tjetërsonte në mënyrë të pakthyeshme peizazhin e mrekullueshëm të zonës, por do të largonte të gjithë këto lloje e vlera të sipërpërmendura me të cilat krenoheni dhe vetë ju, Z. Kryeministër. Për më tepër ndërtimi i aeroportit në vendin e parashikuar paraqet rrezikshmëri të lartë për vetë sigurinë e aeroplanëve dhe njerëzve. Kjo zonë përfaqëson një prej segmentëve më të rëndësishëm të korridorit të shtegtimit të Adriatikut, ku qindra mijëra shpendë gjejnë ushqim dhe strehë gjatë sezoneve të shtegtimit. Një pjesë e këtyre shpendëve, si për shembull pelikanët, çafkat, pulëbardhat, flamingoja etj, që në këtë zonë hasen me shumicë dhe gjatë gjithë vitit, kanë përmasa dhe peshë të tillë që nëse përplasen me aeroplanët mund të shkaktojnë aksidente tragjike. Rastet e rrëzimit të aeroplanëve si dhe avaritë e shumta të tyre të shkaktuara nga përplasja me shpendët e egër janë të mirë dokumentura. Ky fakt, sërishmi e bën Vjosë-Nartën të papërshtatshëm për këtë investim të madh publik.
Koalicioni i organizatave mjedisore përcjellëse të kësaj letre, ju bën me dije se ndërtimi i një infrastrukture të tillë brenda zonës së mbrojtur bie në kundërshtim me legjislacionin shqiptar dhe ndërkombëtar për ruajtjen e natyrës, duke shkelur në tërësi kuadrin ligjor për ruajtjen e natyrës dhe në veçanti ligjin e Zonave të Mbrojtura dhe një sërë konventash të cilat Shqipëria, si vend sovran, me integritet dhe aspiratë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i ka ratifikuar. Madje, kjo është vënë në dukje edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, Raportin e vitit 2020 (faqe 106, paragrafi 2) sikurse citohet më poshtë:
“Legjislacioni mbi investimet strategjike ngre shqetësimin për ruajtjen e biodiversitetit, sepse mund të lejojë investime të mëdha turistike apo industriale në zonat e mbrojtura, si për shembull propozimi për të ndërtuar një aeroport në zonën Vjosë-Nartë. Kjo bie ndesh me ligje të tjera në nivel kombëtar dhe me konventat ndërkombëtare të ruajtjes së biodiversitetit që Shqipëria ka ratifikuar.”
Pra ky plan, ndër të tjera, na krijon pengesa edhe në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, aspiratën kryesore të shqiptarëve në 30 vitet e fundit.
Ne jemi të bindur se Shqipëria nuk ka as edhe një arsye përse të humbasë një pasuri natyrore kaq të larmishme në bregdetin e Adriatikut. Prandaj, i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare që të anulojë ndërtimin e këtij aeroporti brenda zonës së mbrojtur. Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë duhet të orientohet drejt zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm të natyrës dhe agro-turizmit. Kjo zonë mbart një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e këtyre llojeve të turizmit të cilat shkojnë krah natyrës dhe nuk e shkatërrojnë atë.
Në emër të koalicionit të përfaqësuar në këtë letër, ne ju shprehim gatishmërinë tonë për të zhvilluar diskutime konstruktive, të hapura dhe transparente me ju, për të gjetur zgjidhje që janë në të mirë të njerëzve dhe të natyrës.
Sinqerisht,
BirdLife Europe and Central Asia
Ekipi për Shpëtimin e Jetës së Egër në Shqipëri (Albanian Wildlife Rescue Team)
EuroNatur, Gjermani
ERA Group, Kosovë
EcoKosWomen, Kosovë
Fondacioni për Ruajtjen e Shkabave (Vulture Conservation Foundation), Zvicër
Fondi Global për Jetën e Egër (WWF Adria)
Grupimi Ekolëvizja, Shqipëri
Instituti i Politikave Mjedisore, Shqipëri (IEP)
Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA)
Katër Putrat (FOUR PAWS)
Lets Do It Peja, Kosovë
Milieukontakt Shqipëri
Organizata “Finch”, Kosovë
Organizata “Young Researchers of Serbia”
Organizata “Green Home”, Mali i Zi
PISHTARËT, Kosovë
Qendra Burimore e Mjedisit (REC), Shqipëri
Qendra Mjedisore për Zhvillim, Edukim dhe Rrjetëzim (EDEN), Shqipëri
Qendra për Mbrojtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri (EcoAlbania)
Qendra për Mbrojtjen dhe Studimin e Shpendëve, Mali i Zi (CZIP)
Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA)
Qendra Shpendët e Shqipërisë (Birds of Albania)
Sustainability Leadership Kosova, Kosovë
Shoqata BIOM, Kroaci
Shoqata Bullgare për Mbrojtjen e Shpendëve (BSPB)
Shoqata Ekologjike e Maqedonisë (MES)
Shoqata Ornitologjike e Greqisë (HOS)
Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS)
Shoqata Ornitologjike “Naše ptice”, Bosnjë dhe Hercegovinë
Shoqata për Mbrojtjen e Prespës (SPP), Greqi
Shoqata për Mbrojtjen e Shpendëve dhe Gjitarëve të Shqipërisë (ASPBM)
Shoqata Mbrojtja dhe Zhvillimi Mjedisor e Social-ILIRIA, Shqipëri
Shoqata e Ekologëve të Kosovës, Kosovë
Shoqata e Intelektualëve të Pavarur Deçan, Kosovë
Youth Ecological and Security Zone- EcoZ, Kosovë