Gjanica ndryshon vetëm fasadën, ndotja vazhdon të “qelbë” Fierin

Prej më shumë se një jave, uji i lumit Gjanica, që përshkon përmes qytetin e…

By admin

Prej më shumë se një jave, uji i lumit Gjanica, që përshkon përmes qytetin e Fierit, ka një ngjyrë të zezë dhe erë shumë të rëndë e të padurueshme për qytetarët, të cilët pavarësisht maskës, nuk mund të kalojnë pranë shtratit të lumit, ose duhet të nxitojnë kur janë aty. Kjo ndotje është kthyer prej vitesh në një problem serioz, ku edhe pse u bë rehabilitimi i këtij lumi nëpërmjet projektit për rikualifikimin e qendrës së Fierit, ende ndotja vazhdon të jetë në nivel shumë të lartë. Specialistët shprehen se kanë verifikuar mbi 29 pika hotspote të ndotjes, të cilat janë gjobitur, por asgjë nuk ka ndryshuar, ndërsa qytetarët kërkojnë zgjidhje nga Bashkia e Fierit. Porta Vendore ka analizuar gjerësisht sesi kjo ndotje është shtuar nga viti në vit, ndërsa gjobat e vendosura nuk e kanë ndalur përkeqësimin e situatës.

Pak histori…

Lumenjtë janë element i rëndësishëm i zhvillimit urban. Ata janë jo thjesht ndikues, por përcaktues. Fillimisht lumenjtë ndikojnë në fizionominë e qytetit dhe më pas, me kalimin e viteve dhe zhvillimin e infrastrukturës së qytetit, roli përcaktues shtegton nga lumi tek qyteti. Kjo është marrëdhënia dhe lidhja organike ndërmjet Gjanicës dhe qytetit të Fierit.

Gjanica e bëri të vetën në krijimin e qytetit të Fierit. Lumi ishte i pastër, në të rritej peshku, ai krijonte atraksion për qytetin. Familjet që krijuan Fierin, i vendosën vilat e tyre pranë lumit, në shekullin XVII-XVIII. Por sot, lumi i Gjanicës, degë e Semanit, është lumi me ndotje më të rëndë në Shqipëri.

Lumi Gjanica përshkon dy rrethe. Ai buron në zonën e sipërme të Mallakastrës dhe përshkon disa fshatra, deri sa mbërrin në anë të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës, prej nga derdhen mbetje hidrokarburesh çdo ditë. Për rreth 30 vite vazhdon që ujërat e këtij lumi, që në verë më shumë i ngjan një përroi që merr ngjyrën e bardhë dhe në dimër ngjyrë të zezë, të derdhen mbetjet e hidrokarbureve. Sikur të mos mjaftonin mbetjet e hidrokarbureve, në këtë lumë derdhen gjithë ujërat e zeza të qyteteve të Ballshit, Patosit e Fierit, së bashku me mbetjet spitalore, të cilat nuk filtrohen më ashtu si dy dekada më parë.

Specialistët e Drejtorisë së Shëndetit Publik pohojnë se analizat e kryera në ujërat e lumit nuk konstatojnë shenja jete. Flora dhe fauna ujore janë zhdukur në këto ujëra, për shkak të shkarkimit aty të mbetjeve toksike që përftohen si pasojë e përpunimit të hidrokarbureve. Të dhëna studimore e përcaktojnë atë si lumi me ndotje më të rëndë në Shqipëri, e pranuar dhe nga Kryetari i Bashkisë Fier.

Ndotja e ditëve të sotme…

Edhe pse është folur, edhe pse janë bërë ankesa e protesta nga qytetarë, shoqëria civile, madje, çështja e ndotjes së Gjanicës është çuar dhe në gjykatë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, sërish ndotja vijon. Edhe pse janë vendosur gjoba si subjekteve shtetërore, ashtu edhe atyre privateve duket se kjo odise do të vazhdojë gjatë dhe nuk dihet se kur do të përfundojë.

Siç tregojnë edhe fotot, uji ka marrë ngjyrën e zezë të naftë. Burimi i ndotjes “nuk është identifikuar”, por në raste të ngjashme në të shkuarën, shkak për ndotjen janë bërë subjektet nga uzina e përpunimit të naftës në Ballsh, nga dekantimet e Usojës dhe Ofiçinës së Vjetër, e deri tek kompani të ndryshme që operojnë pranë lumit Gjanica në Fier, dhe mbetjet i derdhin pikërisht në këtë lumë.

Ndotjes së lumit tashmë në këtë periudhë i shtohen dhe fabrikat e përpunimit të ullirit që ndodhen në Patos Fshat, Ofiçinë e Vjetër, Panahor në Mallakastër, pasi njihen si zona të kultivimit të ullirit, por kjo vetëm në sezonin e përpunimit të ullirit, pra nga muaji nëntor deri në fillim shkurti. Fenomeni i ndotjes ndodh zakonisht në orët e pasdites dhe në fundjavë kur nuk ka kontroll nga Inspektorati i Mbrojtjes së Mjedisit apo Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

Rehabilitimi i Gjanicës, por jo i ndotjes

Rreth 5 vite më parë, pas reformës administrative-territoriale, Bashkia e Fierit vendosi që të ndërmarrë hapa dhe për rehabilitimin e lumit, me shpresën se kështu do i jepej fund dhe ndotjes. Rehabilitimi i Gjanicës ishte pjesë e rikualifikimit urban për qendrën e qytetit të Fierit. Në vitin 2019, kryeministri Rama deklaroi se “aty ku deri dje lumi ishte bërë makthi i qytetit të Fierit, sot falë programit të Rilindjes Urbane, po kthehet në asetin urban e natyror më të çmuar, i integruar me hapësirën e re këmbësore të zemrës së qytetit”. Ndërsa në maj të vitit 2020, Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi deklaroi se rehabilitimi i Gjanicës përfundon në muajin gusht -shtator. Por, në muajin nëntor, kur punimet për lumin Gjanica nga hyrja në qytet e deri në dalje të tij, kanë përfunduar, ndotja ende vijon. Në këtë projekt, është planifikuar thellimi dhe rehabilitimi i shtratit të lumit, gjelbërimi në dy anët e tij, ndërtimi i dy urave për këmbësorë dhe ndërtimi i shëtitoreve në dy anë të tij. Projekti bashkë me Rikualifikimin e Qendrës së Fierit ka kushtuar 7.8 milionë euro. Madje, kryetari i Bashkisë së Fierit, në kohën kur është prezantuar projekti, pati deklaruar se “Në afërsi të ish-azotikut do të ndërtohet një impiant për pastrimin e ujërave të ndotura që vijnë nga fshati Aranitas në rrethin Mallakastër. Pasi të përpunohen ujërat e të pastrohen ato do të riderdhen në shtratin e lumit Gjanicë, por tashmë të pastra”.

Qytetarët fierakë shprehen se sistemimi i lumit Gjanica, me zbatimin e projektit të ri është një punë për tu lavdëruar, por edhe pse shtrati është betonizuar, sistemuar e pastruar përsëri e përsëri, uji i këtij lumi ndotet e mban erë të rëndë. “Erë që të kujton tamam atë të e vezëve të prishura”, thonë banorët.

Genti Fejzullai, banor fierak tregon se Gjanica është sistemuar dhe pastruar si lumë, por pavarësisht tentativave ujë është shumë herë i ndotur. “Kur kalon këtu gjithçka mban aromë të keqe, mbytëse sidomos në mëngjes herët dhe nga mbrëmje”, tregon i riu për Portën Vendore.

Ndërsa në lagjen “11 Janari” pranë një shkolle private, bashkia ka bërë një pritë në shtratin e lumit, në mënyrë që të pengojë mbetjet inerte të shkojnë përgjatë shtratit. Por në fakt aty ishin grumbulluar shumë mbeturina dhe mushkonjat ishin bërë shumë shqetësues për banorët që jetojnë aty pranë. Megjithatë, edhe sipas fotove, prita është çarë dhe mbetjet vazhdojnë përgjatë gjithë lumit. “Masa duhet të merren që nga fillimi ku nis ndotja që nga rafineritë e naftës në Ballsh, këtu në ish azotik. Unë kam edhe shtëpinë anës Gjanicës dhe era e rëndë e saj na shqetëson shumë fare. Jo vetëm për mua, por për të gjithë banorët e Fierit përgjatë lumit Gjanica. Ka qenë ndotja më e madhe dikur dhe sikur është reduktuar disi, por ka raste që shtohet, shtohet nga një valë”, ka pohuar ai.

Ndotjen e padurueshme e pranon dhe Adriatik Grada, i cili pohon gjithashtu se Gjanica ka qenë më e ndotur. “Ndotja nuk është në atë shkallën e lartë por ka raste sidomos fundjavave që uji i lumit nuk vjen më me copa naftë bruto, por erën e naftës bruto si vezë të prishur e ka, dhe kjo është shumë shqetësuese, shumë ndotëse sidomos për ata banorë që kanë shtëpitë përgjatë lumit. Në mëngjes dhe në mbrëmje kur ajri është më i rëndë e më i lagësht ajo ndihet më shumë, dhe kjo është shumë problematike për mushkëritë e sidomos për ata qytetarë që vuajnë nga astma”, tregon Adriatiku për Portën Vendore. Të njëjtin shqetësim kanë edhe banorët e tjerë, të cilët kur kalojnë pranë Gjanicës nxitojnë për t’iu larguar erës së rëndë.

Reiz Merkaj pohon se situata është bërë e padurueshme. “Është erë e tmerrshme dhe sado verifikime të kryejnë Inspektoratet e mjedisit nga ndotja në Ballsh e deri në Fier era nuk ikën. Gjoba vendosen, por nuk dihet nëse vilen nga shteti apo jo”, shprehet ai.

Gjobiten 29 hotspote, por ndotja vazhdon

Lidhur me situatën e krijuar nga ndotja gjatë muajve të fundit, Porta Vendore pyeti dhe pranë autoriteteve përkatëse. Anesti Qirici, i cili mban postin e njërit prej inspektorëve të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për rajonin Fier, ka pohuar se kjo agjenci ka vetëm pak muaj që është krijuar. “Kemi pak ditë që me harta e shkresa në duar kemi zbritur në terren për të verifikuar të gjitha pikat Hotspoteve që ndotin lumin Gjanica dhe e kemi nisur që në krye ku nis fshati Panahor, më pas ish KPTHN Ballsh e të gjitha me radhë”, sqaron Qirici, duke shtuar se ndotësit kryesorë të lumit janë ndërmarrje shtetërore e private që operojnë në zonat naftë-nxjerrëse përgjatë shtratit të këtij lumi. “Dua t’ju bëjë me dije gjithashtu se ka edhe aktivitete të tjera si fasoneri apo të tjera aktivitete private, por që kemi thjesht informacion dhe jemi në verifikim e sipër, pasi këto të fundit, dinë të fshehin gjurmët duke i kaluar tubacionet e shkarkimit të mbeturinave teknologjike nën tokë”, vijon më tej ai.

Qirici ka deklaruar se gjatë vëzhgimeve të kryera, janë zbuluar dhe gjobitur 29 hotspote, por ende nuk ka informacion nëse këto gjoba janë vjelë apo jo. Ai ka pohuar faktin se detyra e institucionit që ai drejton është konstatimi e verifikimi, fotografimi e regjistrimi video i ndotësve, mbajtja e një raporti, një procesverbali dhe vendosja e gjobës administrative. “Ne nuk vjelim gjoba. Ato, kryesisht i vjel me vendim gjykate nga zyrat përmbarimore, pasi çdo gjobë kundërshtohet në gjykatë. Detyra jonë mbaron me vendosjen e masës administrative”, ka përfunduar Qirici për Portën Vendore.

Sipas ligjit të vitit 2011 për Mbrojtjen e Mjedisit, në nenin 69 të tij parashikohet se të drejtën e gjobës për kundërvajtjet administrative e ka Inspektorati Kombëtar i Mjedisit.

Në momentin e vendosjes së gjobës, subjekti i gjobitur, sipas nenit 30 të ligjit për kundërvajtjet administrative, kishte të drejtë që brenda 10 ditësh të kundërshtonte në gjykatë gjobën e marrë, ose për çdo ditë vonesë paguheshin kamatë 2 për qind në muaj të masës së gjobës. Por në fillim të këtij viti pati një shkrirje të Inspektoriatit të Mjedisit, duke i kaluar kompetencat e këtij të fundit IKMT-së. Aktualisht Drejtoria e Inspektimit e Kontrollit, pranë AKM-se ka 38 dhe janë të shpërndarë, në Qendër e në 4 Qarqe.

Ndërsa ajo që vihet re është fakti se subjektet kryesisht ankohen në gjykatë. Në lidhje me gjobat e vendosura për 29 hotspotet në Fier, burime nga Inspektorati Kombëtar i Mjedisit i thanë Portës Vendore se të gjitha rastet janë ankimuar në gjykatë dhe deri sa të shprehet gjykata nuk do të bëhet asnjë veprim. “Nëse gjykata i jep të drejtë autoritetit mjedisor, atëherë gjoba paguhet nga subjekti, ose vilet me përmbarim”, shpjeguan burimet nga Inspektorati Kombëtar i Mjedisit.

Po ashtu, sipas ligjit për Mbrojtjen e Mjedisit, në momentin që merret vendimi nga gjykata, ose kur nuk paguhet gjoba, ministri, me propozimin e inspektoratit, në rastet kur gjoba nuk është paguar brenda afatit të përcaktuar në pikën 7 të këtij neni, pezullon lejen përkatëse mjedisore deri në pagesën e gjobës.

Filtrimi i ujit, projekti që nuk nisi asnjëherë

Shqetësimi kryesor për ndotjen e Gjanicës është ndotja e ujit nga lëngje të tjera që vijnë nga 29 hotspote, të cilat nuk janë bërë publike nga ana e Agjencisë Rajonale të Mjedisit në Fier.

Por për filtrimin e ujit, me qëllim që Gjanica të jetë pastër, më 20 janar të vitit 2018, Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi prezantoi një iniciativë me kompaninë “Recovered Earth Gjanica”, me të cilën zhvilluan një projekt pilot ku uji i lumit filtrohet në pajisje të posaçme, duke u kthyer gati në gjendje të ujit të pijshëm. Në atë kohë, Kryetari i Bashkisë së Fierit Armando Subashi tha se do të synohet shtrirja e këtij projekti që Gjanica të shpëtojë përfundimisht nga ndotja. “Lumi i Gjanicës është lumi me ndotjen më të rëndë në Shqipëri me mbetje me origjinë nafte dhe nënprodukte të saj. Përgjatë 42 km të këtij lumi pika të tëra derdhjeje hidrokarburesh ndotin ujin duke shkaktuar erë mbytëse edhe në ajër. Ai tha se janë identifikuar nga kompania 21 pika problematike që ndotin lumin. Por, ky projekt nuk u vu asnjëherë në zbatim. Porta Vendore pyeti pranë Bashkisë Fier në lidhje me këtë projekt, por sipas informacioneve zyrtare, ai ka qenë një projekt pilot, që kërkonte fonde për vënien në funksion të tij. “Në mungesë të fondeve, ky projekt nuk është bërë funksional. Ne i kemi dërguar projektin qeverisë dhe nëse financohet, atëherë do e vëmë në zbatim”, deklaroi Bashkia Fier.

Specialisti i mjedisit: Gjendja është katastrofike

Besmir Agalliu, ka mbaruar bachelor për inxhinieri pyjesh, master për zhvillim rural e mjedisor me disa trajnime kombëtare e ndërkombëtare. Ai njihet prej vitesh si aktivist i shoqërisë civile në çështjet mjedisore, madje disa herë ka protestuar për ndotjen e Gjanicës. Ai deklaron se ndotja po rrezikon çdo ditë jetën e banorëve të Fierit, ku lumi i ndryshon ngjyrat nga viti në vit.

“Lumi Gjanica ka afro dy dekada e gjysmë që vazhdon të ndotet herë pas herë dhe kjo tregon se nuk është marrë asnjë masë administrative dhe kjo për efektin se ajo ndotet edhe nga toka edhe nga uji. Po të kryhen analiza, gjendja është katastrofike, si në lumin Gjanica por edhe e ajrit, pasi era e rëndë që del nga uji i ndotur i saj përfundon në mushkëritë e qytetarëve”, tregon Agalliu për Portën Vendore duke shtuar se: “Në këto shtatë vitet e fundit, Gjanica ka ndërruar ngjyrat në gurkali, blu, gri e verdhë e zezë, pra është në këto gjendje dhe kur pyet institucionet shtetërore për këtë gjendje ata nuk të kthejnë përgjigje se përse është kjo situatë, kush e shkakton”, rrëfen aktivisti fierak Besmir Agalliu. Sipas tij, janë bërë studime të shumta, ku është vlerësuar se çdo muaj në Gjanicë derdhen rreth 12,587- 18,091 m3 mbeturina të lëngshme me përmbajtje hidrokarburesh dhe vajra industriale. “Ndotja kryesore e ujërave të këtij lumi janë ndotjet hidrokarbure dhe fenole te shkaktuara nga shkarkimet industriale të kësaj zone. Impakti human i ndotjes është i dukshëm edhe nëpërmjet mbetjeve të ngurta të cilat rrisin turbullirën e ujit duke i dhënë atij ngjyrë. Natyra e ndotësve në shkarkim, efektet negative në ekosistem.

Këto ujëra karakterizohen nga: Një ngarkesë e madhe në lëndë pezullie dhe/ose kripëra të tretura një NKO me origjinë minerale variabël në funksion të natyrës së komponimeve minerale të tretura. Prania e mundshme e substancave me natyre toksike ose frenuesve të rritjes bakteriale”, thuhet në studimet për Gjanicën.

Megjithatë, kjo ndotje e rëndë e lumit Ganica duket se do të vazhdojë derisa institucionet përgjegjëse siç janë AKM (pasi inspektorët janë të saj) të ndjekin vjeljen e gjobave dhe Bashkia Fier që e ka në punë përshkrim (edhe pse Bashkia investimet i ka bërë) të monitorojë në mënyrë më rigoroze ndotësin, e që në rastin konkret mbeten bizneset që nuk penalizohen dhe nuk u vilen gjobat. Por derisa kjo të ndodh dhe të gjejnë një zgjidhje përfundimtare, të premtuar vit pas viti, banorët do të vazhdojnë të ndihen të rrezikuar për shëndetin e tyre.