Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar propozimin e 20 organizatave mjedisore, vendase dhe të huaja, drejtuar Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, për krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës.
“Qeveria të dëgjojë zërin e komunitetit, aktivistëve të mjedisit, botës akademike, personaliteteve vendase e të huaja dhe të tërhiqet urgjentisht nga çdo projekt arbitrar, që shkatërron këtë pasuri e trashëgimi natyrore kombëtare, me rëndësi të jashtëzakonshme dhe potencial të madh turistik”,- shprehet Meta.
“Jemi të vendosur të vijojmë pa u lodhur përpjekjet tona energjike për të mos lejuar me mjete demokratike çdo vendimmarrje arbitrare, korruptive dhe të dyshimtë të Qeverisë për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Vjosa. E gjithë lugina të shpallet Park Kombëtar! E duam Vjosën dhe do ta mbrojmë”- thekson Meta.
Disa javë më parë, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi bëri të ditur se të gjitha Zonat e Mbrojtura janë rishikuar duke u përmbledhur në një studim, i cili është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe pritet së shpejti të miratohet në qeveri. Zonat e Mbrojtura do të shtohen me Parkun e Alpeve dhe të Vjosës.
Për Vjosën ministri Klosi u shpreh se “është një park kombëtar i menaxhuar me rregullat e parkut kombëtar duke hequr debatin që vazhdon të jetë në media për politika të caktuara duke garantuar opinionin publik se vendimi fundit i Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit e përcakton në bazë të propozimit të ardhur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe e mbrojtur nga Ministria e Infrastrukturës dhe energjisë Parkun e Vjosës të gjithë nga kufiri i sipërm me Greqinë deri në derdhjen e saj në det një peizazh i mbrojtur një zonë e mbrojtur një vlerë unikale të mjedisit shqiptar”.