Shqipëria është një vend i vogël në Mesdhe, me peizazhe magjepsëse dhe vlera të larta të biodiversitetit. Vjosë-Narta është një kompleks ligatinor përgjatë bregdetit Adriatik të Shqipërisë. Laguna shtrihet mbi një kompleks habitatesh, duke përfshirë laguna, toka të kripura, duna bregdetare dhe pyje lumore, dhe është pjesë e rrjetit shqiptar të zonave të mbrojtura, (Peizazh i Mbrojtur – Kategoria V IUCN). Laguna është e njohur gjithashtu në nivel ndërkombëtar si një Zonë e Rëndësishme e Zogjve (IBA), Zonë Kryesore e Biodiversitetit (KBA), Zonë Emerald, dhe së fundmi një kandidat zyrtar i rrjetit Natura 2000. Ligatina ka një rendësi të veçantë në kontekstin e rrugëkalimit të zogjve në Adriatik, me mijëra zogj kalojnë ose pushojnë çdo vit në këtë zonë të një rëndësie të veçantë.
Planet e qeverisë për të ndërtuar një aeroport ndërkombëtar pikërisht në këtë zonë, rrezikojnë vlerat e peizazhit të mbrojtur “Vjosë-Nartë”. Qeveria po promovon ndërtimin e aeroportit në këtë zonë, si një mënyrë për të mbështetur zhvillimin ekonomik në Shqipërinë e Jugut.
Duket se ky zhvillim i synuar i qeverisë, nuk po merr parasysh ndikimin që do të ketë në mjedisin natyror dhe vlerat e pasura të biodiversitetit të zonës, veçanërisht të zogjve, projekti i parashikuar. Gjithashtu, duket që dhe siguria e avionëve nuk merret në konsideratë duke ditur që mijëra zogj ndalojnë dhe pushojnë në zonë. Kombinimi në këtë rast, zogj dhe aeroplanë, nuk është shumë favorizues. Cila është e ardhmja për zonën Vjosë-Nartë?
Si pjesë e programit Mbështetja e Negociatave Shqiptare për Mjedisin – Kapitulli 27 (SANE27), grupimi GREEN27 ka kryer një vlerësim të transpozimit dhe nivelit të zbatimit të direktivave kryesore të negociatave për Kapitullin 27: Mjedisi dhe Ndryshimi i Klimës.
Direktiva për Të drejtën e Informimit përputhet me kërkesat e shtyllës së parë të Konventës së Aarhusit. Direktiva siguron të drejtën e aksesit në informacion mjedisor, në bazë kërkesës (shpërndarje pasive) dhe siguron të drejtën për shpërndarje progresive të informacionit mjedisor (shpërndarje aktive), nga ose për institucionet publike. Direktiva e Pjesëmarrjes Publike përputhet me kërkesat e shtyllës së dytë të Konventës së Aarhusit dhe siguron hartimin e planeve dhe programeve për të përmirësuar pjesëmarrjen e publikut në çështje që lidhen me mjedisin.
Shqipëria ka transpozuar plotësisht Direktivën për Të drejtën e Informimit dhe Direktivën për Pjesëmarrjen Publike. Institucionet kryesore qeveritare kanë zhvilluar platforma në internet dhe kanë caktuar koordinatorë për të siguruar informacionin. Sidoqoftë, kjo nuk siguron akses të plotë dhe në kohë të informacionit, veçanërisht për çështje të delikate, si rasti i zhvillimit të aeroportit brenda peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë. Parimet e konventës së Aarhus-it për konsultimin dhe informacionin dhe transparencën në vendimmarrje nuk ndiqen për këtë rast. Vendimmarrja shihet se drejtohet vetëm vertikalisht nga lart-poshtë.
Zbatimi efektiv i këtyre direktivave kërkon investime në burime njerëzore, teknologji inteligjente dhe mbështetje të dedikuar për IT. Duhet të organizohen më shumë fushata edukimi dhe informimi që i drejtohen publikut të gjerë në mënyrë që institucionet të ndjekin proçese më cilësore të konsultimeve dhe dëgjesave me publikun për një zbatim më të mirë të direktivave.
Vlerësimi i grupimit GREN27 i nivelit të transpozimit dhe zbatimit të paketës së legjislacionit Horizontal tregon se:
• Është e nevojshme të përforcohet roli që autoritetet kompetente kanë në zbatimin e direktivave të paketës horizontale;
• Duhet të ekzistojnë mekanizma më efektivë për të rritur transparencën në procedurat e konsultimit dhe informimit veçanërisht për projektet që janë me interes të përbashkët publik.
Direktivat për Zogjtë e Egër dhe Habitatet janë direktivat bazë ku mbështeten përpjekjet evropiane për ruajtjen e natyrës. Këto direktiva, të cilat janë shumë të rëndësishme, rregullojnë mbrojtjen e specieve dhe habitateve përmes krijimit dhe menaxhimit të duhur të një rrjeti të zonave të përcaktuara të njohur si rrjeti Natura 2000. Direktivat kërkojnë që të ndërmerren hapat e duhur për të shmangur përkeqësimin dhe / ose shqetësimin e habitateve natyrore dhe habitateve të specieve në Zonat e Veçanta për Konservim (SAC). Çdo plan ose projekt që edhe pse nuk është drejtpërdrejt i lidhur ose i nevojshëm për menaxhimin e zonës, por që ka një ndikim të rëndësishëm në atë zonë, duhet t’i nënshtrohet një vlerësimi të hollësishëm të ndikimeve të tij për ruajtjen e zonës. Duhet të kryhet një mbikëqyrje e statusit të ruajtjes së habitateve natyrore dhe specieve, veçanërisht mbi llojet e habitateve dhe specieve parësore. Shtetet Anëtare duhet të promovojnë edukimin dhe informacionin e përgjithshëm mbi nevojën për të mbrojtur speciet e faunës dhe florës së egër dhe për të ruajtur habitatet e tyre.
Institucioni kryesor përgjegjës për zbatimin e Direktivave të Zogjve dhe Habitateve është Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (Drejtoria e Përgjithshme e Politikave Mjedisore – Drejtoria për Politikat dhe Strategjitë Mjedisore) dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.
Vlerësimi i përgjithshëm është se Shqipëria ka përparuar në transpozimin e Direktivave të Zogjve dhe Habitateve. Sidoqoftë, zbatimi është në një fazë shumë fillestare dhe rrezikohet shumë nga zhvillimet e planifikuara si Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës. Siç është përmendur në raportin e fundit të progresit të BE, ligji Strategjik i Investimeve 2016 ngre shqetësime për mbrojtjen e biodiversitetit, pasi ai mund të lejojë investime të mëdha turistike dhe industriale (të tilla si Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës) në zonat e mbrojtura, pa vlerësimin e duhur të ndikimit, në kundërshtim me kërkesat e BE-së dhe ligjet ekzistuese kombëtare dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e biodiversitetit që Shqipëria ka miratuar.
Vlerësimi i grupimit GREN27 mbi nivelin e transpozimit dhe zbatimit të Direktivave të Zogjve dhe Habitateve tregon se:
• Direktivat kërkojnë që duhet të ndërmerren hapat të duhur për të shmangur përkeqësimin dhe / ose shqetësimin e habitateve natyrore dhe habitateve të specieve në SAC edhe përpara përcaktimit të tyre zyrtar;
• Është shumë e nevojshme të zhvillohet legjislacioni i duhur që siguron vlerësimin e duhur të çdo plani dhe / ose projekti që mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në zonat e mbrojtura dhe të gjitha masat e nevojshme kompensuese që duhet të merren për të siguruar koherencën e përgjithshme të Natura 2000.
Në kuadrin e procesit të integrimit në BE, pasojat e këtyre veprimeve për Shqipërinë mund të jenë edhe më të ndjeshme pasi shkelja e legjislacionit të BE-së, përbën një shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe mund të çojë në kosto të konsiderueshme në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
OJF-të kombëtare dhe ndërkombëtare janë shumë të vetëdijshme dhe po ngrenë zërin e tyre të shqetësimit për çdo plan ose projekt që mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në atë zonë. Projekte / plane të tilla duhet t’i nënshtrohen një vlerësimi të duhur të ndikimeve të tyre për ruajtjen e zonës. Shpresojmë që zëri ynë të jetë mjaft i fortë për të bindur qeverinë që ndërtimi i një aeroporti në kompleksin ligatinor Vjose-Narta nuk është një vendim i mençur dhe i duhur.