Sipas ekspertëve të mjedisit, ekziston ngërçi për trajtimin e mjedisit si një çështje prioritare, analizuar edhe nga qëndrimi i vendeve evropiane ndaj “Marrëveshjes së gjelbër”.
Mjedisi është një kozmetikë në programet politike të partive dhe asnjëherë nuk është parë si një detyrim nga ana e partive për të ndërmarrë masa serioze për zhvillimin e qëndrueshëm”. Shkruan Ola Mitre në Gazetën Shqiptare mbi këndvështrimin e ekspertëve të mjedisit për programet politike të partive që garojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
“Programet e partive në këto zgjedhje kanë tentuar të sjellin disa nga elementet bazë të shqetësimeve që ka vendi, ndërkohë që mjedisin nuk e shoh ndër prioritetet. Krahasuar me problematikat sociale-ekonomike të vendit tonë, mjedisi gjithmonë ka qenë nën prioritetet parësore të vendit”, -thotë për “Gazeta Shqiptare”, Mihallaq Qirjo “Ndaj gjykoj se edhe këtë radhë, edhe nëse është përmendur, mjedisi është ende një sfond i bukur për të zbukuruar programin, është një kozmetikë e programit sesa një detyrim i partive për të qenë seriozisht të përfshira në ndërmarrjen e masave për përmirësimin e gjendjes së mjedisit aty ku ka problematika apo dhe në një shikim afatgjatë për shfrytëzim të qëndrueshëm të mjedisit”, -shton ai.
Edhe Olsi Nika, drejtor i organizatës mjedisore “EcoAlbania”, thotë se “kur vjen puna te mjedisi, në përgjithësi partitë politike nuk e kanë prioritet të qenësishëm”.
Nëpër programet e tyre konceptet e mjedisit paraqiten të vjetruara, mjaft të gjera dhe përgjithësisht i referohen atij vetëm si bazë e burimeve natyrore ose vetëm ngushtësisht si mjedis urban. Mungon në tërësi një qasje konceptuale e mjedisit sipas standardeve që kërkon sot koha e që aplikohen në vendet perëndimore”, – thotë Nika.
Drejtori i “EcoAlbania” e lidh këtë qëndrim me mungesën e vizionit për ndërmarrjen e politikave me ndikim afatgjatë. “Gjithnjë e më shumë partitë politike dalin përpara elektoratit pa ndonjë program të mirëfilltë të bazuar në vlerësime reale të nevojave në terren”, – thotë Nika.
Për të lexuar artikullin e plotë, mund të klikoni këtu.