Kalendari Mjedisor

“Pylli i Sodës” vazhdon të jetë vendgrumbullimi për mbetjet nga subjektet tregtare të zonës

Në periferi të qytetit të Vlorës, në pyllin me pisha afër fshatit Zvërnec ose siç njihet ndryshe “Pylli i Sodës” prej vitesh vazhdohet të hidhen mbetje të ndryshme nga subjektet tregtare.

By admin

Në datën 8 prill në redaksinë e Fiks Fare mbërriti një video amatore ku tregonte një grumbull të madh me koli shishesh plastike të pijeve freskuese dhe energjike të skaduara dhe të hedhura në një nga hendeqet mes pishave të këtij pylli.

Pas verifikimit në terren të situatës me kamerën e emisionit Fiks Fare, gazetarët njoftuan Agjencinë Rajonale të Mjedisit të Vlorë-Fier-Gjirokastër e cila menjëherë dërgoi inspektorët e saj në terren. Pasi këqyrën situatën  inspektorët e Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier-Vlorë-Gjirokastër ju drejtuan me shkresa zyrtare  Drejtorisë së Policisë Vlorë, Bashkisë Vlorë dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për të bërë veprimet e duhura.

Ata falenderuan Fiksin që i vunë në dijeni të situatës dhe i lanë si detyrë të veçantë Drejtorisë së Policisë Vlorë, hetimin dhe gjetjen e abuzuesve për këtë ndotje mjedisore. Ndërkohë që kërkuan edhe nga  Bashka e Vlorës që të bëj largimin e mbetjeve dhe rehabilitimin e zonës.

Kujtojmë se këto pijë të skaduara përveç ndotjes mjedisore mund të shkaktonin edhe dëme më të mëdha nëse do binin në dorën e fëmijëve të zonës.