“Ne nuk donim që protesta të politizohej, prandaj e caktuam protestën sot, pas zgjedhjeve, që mos të instrumentalizohej nga asnjë parti për disa vota më shumë”, u shpreh për Citizens Channel Avenir Deliu, një nga pjesëmarrësit në protestë.
Qytetarët konfirmojnë se kërkimi ka filluar në të gjithë luginën e Vjosës, afër qytetit të Përmetit, rreth 3 km larg nga qendra dhe mund të kenë një ose dy pika shpimi, të gjitha mbi zonën e burimeve, nga ku qyteti furnizohet me ujë.
Burimet e ujit në Përmet janë në nivelin 350 – 400 metra mbi qytet, në këmbët e malit Dhembeli.
Gjithashtu Arbër Goga, një nga organizatorët e protestës, thotë:-“Shpërthimet mund të shkaktojnë dhe atë që ka ndodhur në Delvinë para disa vitesh, ku nga shpimet ka ikur uji dhe sot e kësaj dite banorët e Delvinës mbushin ujë me bidona”.
Ndërsa Avenir Deliu pohon pjesëmarrjen masive të banorëve, nga ku rreth 200 qytetarë u mblodhën së bashku për të organizuar këtë protest, edhe pse njoftimi është shpërndarë brenda dy ditëve.
“Ishte fillimi i një proteste për sensibilizim dhe për të dhënë sa më shumë informacion qytetarëve, sepse nuk ka informacion dhe ne vetë kemi marr një informacion më të detajuar dje në darkë nga persona të autorizuar të Shellit” tregon Deliu.
Qytetarët konfirmojnë se shpimet kanë përfunduar, por këto janë shpime për sondime, çka do të thotë përdoret C4 ose tritol dhe me një shpërthim të kontrolluar, arrihet nëpërmjet sondave të matet vibrimi tokës për të kuptuar sa shtrihet pellgu i naftës.
Aktivistët konfirmuan se protesta do të përshkallëzohet dhe në ditët në vijim. Ata kanë shpërndarë edhe një peticion në rrjetet sociale, i cili aktualisht është firmosur nga më shumë se 250 persona.