“HEC-et po gllabërojnë pasuritë natyrore”- banorët e indinjuar, nuk na ka mbetur më asgjë

HEC-et fajësohen nga banorët e zonave, për dëmet në zonat e mbrojtura dhe për erozionin.

By admin

Koncesionet e mbi 80 hidrocentraleve në qarkun e Elbasanit dhe veçanërisht në Librazhd kanë vështirësuar jetën e banorëve dhe kanë thelluar konfliktet e komuniteteve lokale me kompanitë –ndërkohë që institucionet nuk kanë marrë asnjë masë dhe ia pasojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës.

Të dhënat e siguruara nga Info Elbasani tregojnë se nga viti 2007 deri në fund të vitit 2017, qeveritë e drejtuara fillimisht nga Partia Demokratike dhe më pas nga Partia Socialiste firmosën të paktën 35 kontrata koncesionare për ndërtimin e mbi 84 hidrocentraleve të vegjël për prodhimin e energjisë elektrike, pothuajse në çdo lumë dhe përrua të zonës.

Mbi 82% e kontratave koncesionare bien në territorin e Bashkisë së Librazhdit, ndërkohë që 7 prej hidrocentraleve janë ndërtuar tashmë brenda zonës së mbrojtur të parkut kombëtar Shebenik-Jabllanicë.

Banorët e zonës së Dragostunjës ngritën dyshime se HEC-et ishin ndërtuar në kundërshtim me ligjin, pasi vendasit nuk kishin dhënë miratimin e tyre. Ata u ankuan gjithashtu se protestat e tyre për dëmtimin e mjedisit dhe marrjen e ujit ishin injoruar nga drejtuesit e pushtetit vendor.

“Unë kam një jetë që jetoj me pyllin e ujin e Shebenikut. tani na vjen dikush që as nuk e njohim, na merr ujin, na merr edhe pyllin, pasi e ka rrethuar dhe nuk kemi as ku kalojmë,” thotë Nebi Gurra, banor i fshatit Dragostunjë të Librazhdit 

Gurra nuk është banori i vetëm i Dragostunjës dhe as i bashkisë së Librazhdit që proteston ndaj pasojave që koncesionet e HEC-eve kanë shkaktuar ndaj komuniteteve lokale

Abdulla Bajrami një tjetër banor i zonës thotë: -“Mendoni që s’kemi ujë as për bletën dhe jo për gjë tjetër. Ata na dëmtuan kanalin e ujit të pijshëm, sepse ne e marrim ujin nga maja e Shebenikut. Vjet në verë u thamë për ujë dhe vendosëm të protestojmë. U ankuam edhe në bashki dhe na thanë se çështja do të zgjidhej. Pas kësaj patëm vetëm 3 ditë ujë dhe vazhdoi avazi i vjetër,”.

HEC-et ndalojnë mullirin në Çermenikë, sikurse dhe Nazmi Kurti, i cili është pronar i një mulliri bloje buzë lumit të Orenjës , thotë se mulliri ka dalë tashmë jashtë funksionit dhe për këtë fajëson rrëmbimin e ujit nga njëri prej HEC-eve të zonës.

Koncesioni për ndërtimin e një rrjeti hidrocentralesh në këtë zonë është firmosur që prej vitit 2013, por disa prej tyre filluan të funksiononin dy vjet më parë. Kurti thotë se në fillim e kishin siguruar që HEC-et nuk do të shkaktonin probleme për mullirin, por premtimi sipas tij është shkelur me të dyja këmbët.

Njësoj si në Dragostunjë, banorët e fshatit Kuturman ankohen se tanimë nuk kanë ujë të mjaftueshëm për të vaditur arat dhe për bagëtitë. Ata thonë se i kanë drejtuar dy ankesa me shkrim bashkisë së Librazhdit, por nuk kanë marrë deri më tani asnjë përgjigje.

Për të lexuar atikullin e plotë, klikoni këtu.