Sipas portavendore.al, banorët shprehen të pa shpresë për këtë situatë. Pasi këtu e pesë muaj më parë, pavarësisht ankesave dhe fushatave protestuese paqësore, ende nuk ka asnjë përgjigje. E vetmja mundësi rrethanore e gjetur është mbushja e ujit në zonën fushore dhe ngjitja lart e tij për në fshat. Por as kjo zgjidhje momentale nuk mund të zgjasi për një kohë të gjatë, prandaj banorët kërkojnë zgjidhje me padurim.
Ramazan Hidri, kryetari i fshatit, thotë për portavendore.al: “Malbardha ka probleme të vazhdueshme me ujin e pijshëm, pasi furnizohet vetëm 7 muaj në vit. Kaq është mundësia nga burimet natyrore dhe më pas gjithçka shteron dhe ne mbetemi pa ujë. Kapaciteti i rezervuarit është i konsiderueshëm, por nuk grumbullohen ujëra të mjaftueshme për të furnizuar të gjitha familjet me ujë që nga muaji prill e deri në shtator. Për pasojë, uji i pijshëm mungon në pjesën më të madhe të kësaj kohe. Me këtë ujë ne e kalojmë krejt vitin, dikujt i shkon e dikujt jo, me orare shumë të reduktuara në pranverë e thuajse pa ujë në verë. Ne nuk kemi ujë as për të pirë gjatë 5 muajve të vitit, se për nevoja të tjera as që bëhet fjalë”.
Pra ky problem ka kohë që vazhdon të jetë i tillë për 130 familjet e Malbardhës së Kurbinit, pasi rezervuari i ujit me kapacitet 100 metër kub furnizohet nga burimet ujore të malit, një investim ky i bërë para 7 vitesh nga Komuna Milot. Ndërsa nga muaji maj e deri në fillim të stinës së vjeshtës, prurjet e ujit janë shumë të pakta në rezervuar, sa mundësohet vetëm 150 litra ujë në ditë për familje, dhe nuk konsiderohet më ujë i pijshëm.Nga ku me rikthimin e reshjeve të shiut, rikthehet dhe shpresa e banorëve për të konsumuar ujë të pijshëm; duke menduar që tani jemi në vitin 2021 dhe ka akoma mangësi në prurjen e ujit të pijshëm për çdo familje.
Banorët e Malbardhës e quajnë si shqetësim tepër serioz. Madje një ndër banorët, njëkohësisht me profesion arsimtar në fshat ka marrë dhe një nismë për banorët, duke iu adresuar forma të ndryshme të komunikimit banorëve kundrejt institucioneve dhe të apelojnë për problemet e tilla shqetësuese.
“Ne kemi ndërmarrë një nismë për të sensibilizuar fillimisht banorët e Malbardhës, dhe më pas edhe institucionet në lidhje me një shqetësim serioz dhe që kërkon të marrë vëmendje. Ne do të shkojmë tek institucionet për të ngritur zërin dhe për t’ju treguar se ekziston fshati, ekziston rezervuari, por njerëzit e kësaj zone nuk po marrin ujë të pijshëm vazhdimisht. Ky rezervuar është në rrezik shembjeje, pasi prita e vendosur në përrua rrezikon të shembet, ndaj duhet që të investohet shpejt para se gjithçka të ketë përfunduar. Banorët po ndërgjegjësohen dhe së bashku do të hartojmë edhe një peticion për ta dorëzuar në Bashkinë e Kurbinit, ku të prezantohet situata dhe të kërkohet zgjidhja”, tha për Portën Vendore Endri Kola, mësues i fshatit.
Një tjetër shqetësim ngrihet nga kryeplaku i fshatit për pritën malore e cila siguron rezervuarin që të mos rrëshqasë gjatë prurjeve të shumta të reshjeve të shiut, pasi dhe tubacionet e vendosura janë jashtë çdo standardi, madje një pjesë e tyre dhe janë ndryshkur. Kryeplaku i fshatit kërkon nga institucionet vendore që të gjendet një mënyrë efikase për ngritjen e ujit me anë të pajisjeve mekanike duke bërë të mundur rrjedhshmërinë e ujit deri në rezervuar. Nga ku thotë: “Rezervuari është i mjaftueshëm për të pasur ujë të vazhdueshëm për popullatën, por nuk furnizohet nga ujërat e malit pas kalimit të dimrit e kjo bën që të vështirësojë jetën e banorëve. Ne vetëm po presim, por kështu ka vazhduar prej vitesh dhe ende asnjë zgjidhje. Nëse ka thatësirë, ne thahemi për ujë, duke vështirësuar përditshmërinë tonë. Mundësia është që të mbrohet ky rezervuar dhe të fortësohet prita e të garantohet qëndrueshmëria e saj. Për hapjen dhe mbylljen e ujit nga rezervuari paguhet një punëtor nga Bashkia e Kurbinit, por asnjë shërbim tjetër nuk marrim”.
Eksperti i pyjeve Limon Smaçi, ngre të njëjtin shqetësim për rrezikun që shfaq shembja e pritës. Ai thotë: “Kjo pritë duhet përforcuar, duhet bërë një kundra-pritë dhe me oborre që të mos gërryhet me tej pasi punimet nuk kanë qenë ato të duhura që të garantonin qëndrueshmërinë e vetë pritës dhe të rezervuarit. Ka nevojë që të pengohet vërshimi i mëtejshëm i përroit, gërryerjet dhe shembjet që shkakton ai dhe kjo është e dukshme edhe sot. Nëse nuk vendoset prita do të ketë dëme shumë të mëdha dhe përfundimisht do të dëmtojë edhe rezervuarin. Dëmtimi i tij do të hiqte mundësinë e furnizimit të banorëve me ujë edhe gjatë 7 muajve që sot ata e kanë ujin në shtëpitë e tyre. Kjo pritë dhe ky rezervuarë nuk kanë asnjë siguri qëndrueshmërie me reshjet intensive të shiut siç ranë këtë dimër. Themeli ka nisur të ikë dhe po vijon me ritme të shpejta. Ky investim qëndroi vetëm 2 vite dhe më pas nisi degradimi i saj dhe shembjet vijuan pa u marrë në konsideratë nga Bashkia e Kurbinit.