Shpendët dhe habitatet e tyre “rrezikojnë të zhduken” si pasojë e ndërtimit të aeroportit

Në kuadër të Ditës Botërore të Shpendëve Shtegtarë, datë 8 Maj, fondacioni evropian për ruajtjen e natyrës EuroNatur, së bashku me organizatën partnere në Shqipëri PPNEA, ju bëjnë me dije mbi rrezikun e madh që i kanoset shpendëve shtegtarë të Evropës prej ndërtimit të një aeroporti në brendësi të Peisazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë.  

By admin

Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe fondacioni evropian për ruajjen e natyrës (EuroNatur), kundërshtojnë planin e Qeverisë Shqiptare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Përkrahësit e nismave, fushatave apo dhe aktiviteteve në Ditën Ndërkombëtare të Shpendëve Shtegtarë, sjellin në vëmëndjen tonë përsëri thirrjen e Vjosës si park Kombëtar, për të mos degraduar natyrën dhe habitatet e saj me qëllimin më të zakonshëm, rritjen e ekonomisë së popullsisë vendase. Ku shkak për këtë, vjen projekti i ndërtimit të aeroportit në zonën “Vjosë-Nartë” edhe pse mbetet një shkelje e ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare duke penguar shtegtimin e mijëra shpendëve. Pasi sipas censit ndërkombëtar të shpendëve shtegtarë, në vitin 2019 janë regjistruar 10 468 shpendë në Vjosë-Nartë.

“Shtegtimi i shpendëve të Evropës qendrore, veriore dhe lindore përqendrohet gjatë të ashtuquajturës Rruga e Shtegtimit të Adriatikut, e cila përshkon Ballkanin, Adriatikun, Italinë Jugore dhe Afrikën Veriore. Një nga zonat më të rëndësishme të pushimit gjatë bregdetit shqiptar është Laguna e Nartës”, sipas reagimit të dy organizatave mjedisore.

Gjithashtu ekspertët ngrenë “këmbanën e alertit”, pasi ndërtimi i aeroportit do të detyroj mijëra shpendë të gjejnë habitate të tjera si pasojë e zhurmave të vazhdueshme dhe ndotjes. Një tjetër rrezik është dhe përplasja e zogjve me avionët, pasi ky I fundit shërben si burim aksidentesh.

Sikur kjo të mos mjaftonte, hapja e korridoreve infrastrukturore do të çojë në humbje të habitateve të shpendëve vendas dhe migratorë. Sikurse dhe Zydjon Vorpsi thotë për PPNEA se: “Nëse ky projekt infrastrukturor do të ndërmerret në Vjosë-Nartë, ai do të krijojë një precedent të tmerrshëm dhe do të hapë rrugën për ndërtimin e resorteve turistike, aeroporteve, etj., në zona të tjera të mbrojtura në Shqipëri”.

Prandaj dhe organizatat mjedisore ngrenë zërin për mosndërtimin e aeroportit, pasi bie ndesh me ruajtjen e biodiversitetit.

Në këtë link do të gjeni publikimin e njoftimit për shtyp në website-in e organizatës PPNEA.