Organizata PPNEA ka nisur të monitorojë e studiojë popullatën e kalit të qyqes që prej vitit 2013, e cila zhvillohet në kuadër të projektit “Jetë e Re për Kalin e Qyqes” PPNEA, duke bashkuar forcat me një numër të konsiderueshëm organizatash partnere nga Afrika, Azia dhe Evropa. Gjatë këtyre viteve, PPNEA në mënyrë të vazhdueshme ka sofistikuar qasjet monitoruese dhe konservuese, duke u përpjekur për të adoptuar trendet më të reja dhe teknikat më të mira në shkallë botërore.
Ky rrugëtim i PPNEA ka nisur me ndërmarrjen e teknikave të thjeshta si përdorimi i dylbive në territoret e folezimit, në mënyrë që të identifikohej numri i popullatës, sjellja apo edhe ekologjia e kësaj shkabe. Më pas u ndërtuan dy stacione ushqimore për kalin e qyqes, ku ofrohej ushqim i sigurt ndaj helmimit. Të dy këto stacione u pajisën me kamera kurth, një teknikë bashkëkohore për monitorimin e jetës së egër, e cila na ofroi një seri fotografish të këtij shpendi duke u ushqyer apo edhe duke u riprodhuar.
Në kuadër të 30 vjetorit të themelimit të Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), janë vendosur disa kamera me transmetim direkt, të cilat monitorojnë lloje emblematike të faunës së egër në Shqipëri. Një prej këtyre kamerave live është instaluar rishtazi në një prej stacioneve me ushqim plotësues të ndërtuar nga PPNEA në Luginën e Drinos.
Kamera live përbën një revolucion për monitorimin e jetes së egër, dhe, për herë të parë, ajo do të aksesohet nga kushdo nëpërmjet një linku në platformën YouTube. Gjithashtu PPNEA në një njoftim për shtyp, raporton se kjo teknikë do të na japë të dhëna më të plota mbi sjelljet e kalit të qyqes, shpeshtësinë e vizitave në stacion, kohën e qëndrimit, sjelljet riprodhuese, etj. Për të vijuar më pas me të njëjtat të dhëna të gjeneruar edhe për shpendë të tjerë me rëndësi, siç është shqiponja e malit, simboli ynë kombëtar.
Ndiqni kamerën e PPNEA live në Luginën e Drinos, duke klikuar këtu.