Subjektet ankuese pretendojnë se në këtë zonë mungojnë investimet bazike si: kanalet e ujërave të zeza, ndriçimi publik dhe gjelbërimi.
“Unë jam mjek dhe ky krim ambiental është më keq se koronavirusi”, shprehet për Citizens Channel, Baki Myrtollari, një nga përfaqësuesit e komunitetit.
Myrtollari është banor i rrugës “Azem Hajdari”, në zonën e ish-kënetës prej më shumë se 20 vitesh, ai tregon se dikur kanalet kulluese funksioninin, kurse tani janë vetëm burime infeksioni.
“Në këtë zone jetojnë 60 mijë banorë dhe nuk ka as polici, shkolla, çerdhe, kopsht, ndriçim”, shton Myrtollari.
Ndërsa më datë 19.01.2021, KMD ka njoftuar dhe kërkuar informacion nga Bashkia Durrës për ankesën e bërë, në mungesë të përgjigjes është dërguar një shkresë e dytë kujtese. Më 11.03.2021 KMD ka njoftuar Bashkinë Durrës për gjobitje me 200.000 (dyqind mijë) lekë për mosdhënien e informacionit dhe dokumentacionit të kërkuar zyrtarisht.
Ligji për mbrojtjen nga diskriminimi, i ndryshuar, në nenin 32/2, të tij ka përcaktuar qartë këtë detyrim, duke cituar se:
“Të gjitha institucionet publike dhe subjektet private janë të detyruara të mbështesin Komisionerin, duke i dhënë informacionin që i nevojitet dhe duke i garantuar aksesin në informacion në përmbushjen e detyrave të tij”
Bashkia Durrës dështoi të provonte para Komisionerit se:
Ka kryer investime në zonën e ish-Kënetës, lidhur me sistemimin e kanaleve të ujërave të zeza, sigurimin e ndriçimit publik dhe gjelbërimin e zonës krahasuar me investimet e bëra në lagjet e tjera të bashkisë.
Ka planifikuar investime afatshkurtër dhe afatmesme për sistemimin e kanaleve të ujërave të zeza, sigurimin e ndriçimit publik dhe gjelbërimin e zonës krahasuar me investimet e bëra në lagjet e tjera të bashkisë.
Më tej banorët e zonës së ish-Kënetës shprehen se do të nisin protestat nëse nuk merren masa për shqetësimet e ngritura.
Sikurse thotë dhe Safie Lushka, një ndër banorët e zonës: -“Paguaj 20 mijë lekë në muaj fugonin që fëmija të shkojë në shkollën “Qemal Mici” sepse këtu nuk kalon asnjë mjet transporti”.
Në draftin e publikuar nga KMD përmendet edhe mbrojtja e qytetarëve nga institucionet ndërkombëtare si Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e cila në konventën e saj citon se mungesa e aksesit për ujë të pijshëm dhe higjenë çon në trajtim çnjerëzor dhe degradues të njeriut.
Në përmbyllje KMD i ka dhënë Bashkisë Durrës 30 ditë kohë për të marrë masa për zbatimin e këtij vendimi.