Mjedisi është ai që për shumë vende të tjera ka rezultuar të jetë faktori kufizues për ekonominë e vendeve. Nëse ai shfrytëzohet pa kriter, nëse ai dëmtohet, ekonomia do të vuajë. Pra, ato burime që ne ende sot mund t’i shfrytëzojmë, nesër mund të mos i kemi e do të na duhet ose t’i importojmë, ose do të mbetemi pa to.
Parë kjo në këndvështrimin se mjedisi është një parakusht i zhvillimit, ai duhet trajtuar me kujdesin e duhur, sikurse ne trajtojmë të gjitha burimet e tjera të vendit.
Kohët e fundit është folur për emigracionin e vendit dhe, sigurisht, ikja e shqiptarëve jashtë vendit do të krijojë një problem të madh ekonomik, sepse është një problem social që po ndodh sot, por e njëjta gjë do të ndodhë edhe me mjedisin nesër. Pra, nëse ne shfrytëzojmë burimet ujore, nëse shkatërrojmë lumenjtë, nëse shkatërrojmë bregdetin shqiptar, nuk ka kuptim të flasim për turizmin nesër.
Edhe pse ka pasur një ecuri jo të vogël në drejtim të burimeve të rinovueshme: Parqet e energjisë diellore që janë kontraktuar apo janë në ndërtim janë një ecuri, por vendi duhet të jetë më agresiv në këtë drejtim, sepse burimet e energjisë së rinovueshme janë të mëdha.
Lidhur me këtë çështje duhet parë me shumë kujdes pjesa e eficencës së energjisë, termoizolimi i banesave, sepse në një farë mënyre ajo është energji e fituar nga kursimi që i bëhet.
Vëmendje të veçantë duhet të ketë edhe pjesa e ruajtjes së burimeve natyrore të vendit, që përbëjnë një lloj mundësie të zhvillimit ekonomik. Sidomos kur flasim për zhvillimin e turizmit, duhen parë ato modele të zhvillimit të turizmit që nuk cenojnë ecurinë dhe zhvillimin e mjedisit, përfshirë këtu edhe tokën.
Ndjejmë se ka një zhvillim shumë të vogël në ruajtjen e këtyre burimeve, si për shembull, në legjislacionin tonë, ende nuk ka filluar transpozimi i legjislacionit europian për detin, ndërkohë që ne po flasim për ekonominë blu; nuk ka filluar transpozimi për direktivën e përmbytjeve, ndërkohë që vendi ndodhet nën një risk të lartë të përmbytjeve. Zona të caktuara që përmbyten ndikojnë drejtëpërsëdrejti në popullsinë, tokën, dhe shëndetin e atij vendi.
Nëse nuk do t’a shohim si një ekspert mjedisi, por nga ana e partive politike mjedisi mbetet ende një sfond i bukur për të zbukuruar programin, është një kozmetikë e programit sesa një detyrim i partive për të qenë seriozisht të përfshira në ndërmarrjen e masave për përmirësimin e gjendjes së mjedisit aty ku ka problematika apo dhe në një shikim afatgjatë për shfrytëzim të qëndrueshëm të mjedisit.
Shfrytëzimi i burimeve ujore, shkatërrimi i lumenjve, apo dhe i bregdetit shqiptar nuk është kjo faqja e re që duam t’i japim mjedisit, shoqërisë apo edhe të flasim për turizmin nesër.