Kalendari Mjedisor

Themelohet grupi i punës për shqyrtimin e lejeve për hidrocentralet

Është themeluar grupi punues i cili do të merret me shqyrtimin e procedurave administrative të lëshuara për operatorët e hidrocentraleve dhe ndikimin në ujëra dhe mjedis.

By admin

Vendimi pason kërkesën e ministrit të Mjedisit, Liburn Aliu, që lëshimi i lejeve ujore për hidrocentrale të bëhet përmes koncesionit, ashtu siç kërkohet me Ligjin për ujëra

“Si ministër i Ministrisë së Mbrojtjes së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ditë më parë, bëra kërkesë për vendosjen e masave në lidhje me aplikimet për fitimin e së drejtës ujore me koncesion dhe vendosjen e rendit në procesin e aplikimit në përputhje të plotë me kërkesat dhe procedurat sipas Ligjit nr. 04/L-147 për ujëra. Kjo kërkesë tanimë është në zbatim. Sot kam marrë vendim për themelimin e grupit punues për shqyrtimin e procedurave administrative të lëshuara për operatorët e hidrocentraleve dhe ndikimin në ujëra e mjedis. Ky komision do të shqyrtojë vendimet e marra në lidhje me hidrocentralet deri më datë 30 qershor të vitit 2021. Komisioni në bashkëpunim me institucionet tjera që lidhen me fushën e ujërave do të përgatisë raport me rekomandime brenda afatit të përcaktuar”, ka njoftuar Aliu të premten në Facebook.

Ndërkohë, në vendimin, të cilin e ka siguruar KOHA, bëhet e ditur edhe përbërja e këtij grupi punues.

Shiqeri Dermaku nga Departamenti për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ujërave është kryesues, ndërsa anëtarë janë Manduha Gojani dhe Naser Afizi – Departamenti i Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, Ismajl Hetemaj – Departamenti për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ujërave, Xhemail Metolli – Departamenti për Planifikim, Ndërtim dhe Banim, Ali Sefaj – AMMK, Tringa Gjikolli – Inspektorati, Demir Hyseni – Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Fisnike Kelmendi – Departamenti Ligjor.