Mullinjtë e Çermenikës lihen pa ujë, shkak mbeten hidrocentralet

Sipas raportimit të bërë nga Citizens Channel, në prill të 2021, banorët e 10-fshatrave të krahinës së Çermenikës së bashku me disa prej kryepleqve u mblodhën në fshatin Marinaj të Librazhdit për të protestuar pasojat e ndërtimit të hidrocentraleve në zonë.

By admin

“Në mullirin që bluajmë grurin dhe misrin mungon uji, na kanë hequr bukën e gojës. Këtu kanë bluar prindërit, gjyshërit e stërgjyshërit tanë. Ka vlera shpirtërore e kulutore për ne. Kurrë nuk ia kanë hequr kurrë ujin këtij mulliri deri më sot!’’, tregon Nazmi Kurti, mullixhi prej brezash në zonën e Çermenikës.

Stina e verës është shumë afër dhe kjo do të thotë thatësirë për bujqit e fshatrave Gurakuq, Rinas, Ballgjin, Floq, Orenjë, Zdranjsh, Kuturman, Marinaj dhe deri atë të Shmil të Elbasanit që e përdorin këtë mulli. Madje edhe nga Librazhdi ka shumë qytetarë, të cilët e përgatisin bukën vetë e që u drejtohen mullinjve si mënyrë më ekonomike. Duket se këtë herë për shkak të ndërtimit të HEC-eve në Çermenikë dhe përreth, sigurimi i bukës do të jetë një sfidë.

Librazhdi dhe fshatrat përreth kanë shumë pak për të mos thënë aspak mundësi punësimi. Të vetmet mundësi për të gjeneruar para dhe përkrahur familjet e tyre nga fshatarët është bujqësia, e cila është e lidhur ngushtë me ujin. Librazhdi është qyteti që administron parkun kombëtar Shebenik Jabllanicë, dhe HEC-et rrezikojnë shumë parkun dhe popullatën e tij.

Monitorimi i fundit i kryer nga ambientalistët tregon se numri i HEC-eve është më i madh se ai i burimeve ujore dhe jashtë kapaciteteve për t’u përballuar. Një raportim i nismës ‘Vëzhguesi Rural’ në vitin 2019, tregoi se në zonë kishte rreth 130 kontrata koncensionare për hidrocentrale, të kryera shpesh pa konsultim me publikun apo në fshehtësi të plotë.

Avniu, një banor i Çermenikës thotë se nuk mbetur përrua pa u zaptuar. ”Na ka ngel vetëm çekiçi të bluajmë miellin tani. O të na marrin shpirtin dhe neve, o të na hapin mullirin siç ka qënë më përpara. Uji për ne është shumë i rëndësishëm”, thotë ai.

Nazmi Kurti, mullixhiu më i vjetër i zones, ka dy mullinj që i shërbejnë një komuniteti të gjërë. Prej më shumë se 3 muajsh mullinjtë nuk kanë qenë në gjendje pune duke bllokuar 10 fshatra të zonës dhe qytetin e Librazhdit që bluan aty.

HEC-i që po lë mullinjtë pa ujin e mjaftueshëm për t’u bluar. I njëjti shqetësim është ngritur dhe nga misioni i OSBE në Shqipëri, përmes Grupit Këshillimore të Shoqërisë Civile Kundër Krimit Mjedisor. Gjatë një takimi në mars të këtij viti, ky grup adresoi problemin e fshehtësisë së kontratave koncensionare, ku mungojnë vlerësimet e ndikimit në mjedis dhe transparenca e procedurës.

Citizens Channel u interesua në bashkinë Librazhd ku na u tha se këto leje janë në diskordancë pushtetesh dhe janë dhënë përpara vitit 2013, si dhe kontrolli zbatimit të lejeve nga HEC-et nuk është kompetencë e bashkisë por e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, IKMT.

Eksperti mjedisit nga Klubi Ekologjik Elbasan, Ahmet Mehmeti tha se këto janë veprime flagrante nga njerëz që nuk njohin ligjet mjedisore dhe shkatërrojnë të ardhmen e gjithë Shqipërisë.

“Pasojat ekonomike të këtyre Heceve për komunitetin vendas janë të pakthyeshme. Bëhet fjalë për ndërtime hidro-energjitike që në plan të parë tregon se është energji e pastër dhe në rrugë të mbarë. Pra, po ndërtohen hidrocentrale në vende që plotësojnë kushtet dhe kanë të ardhura. Mirëpo gjithmonë kur ndërtohen një hidrocentral duhen pasur parasysh dhe pasojat shoqërore, ekonomike, kulturore e traditore të veprës në komunitetin ku po ndërtohet. Këto HEC-e nuk janë konusltuar e publiku nuk është pyetur“, thotë Ahmeti.

Gjithashtu Enxhi Albrahimi, inxhiniere mjedisi nga Qendra Mjedisore Për Studime dhe Zbatime, organizatë mjedisore në Librazhd, shton se më përpara flitej për dëmtimin e florës dhe faunës, por tani po dëmtohen njerëzit dhe jetesa e tyre. 

Ndërsa Leonard Alliu, aktivist mjedisor tek Nisma Për Mbrojtjen e Lumit Shkumbin, shton se megjithëse janë bërë forume dhe aktivitete lobuese kur vjen puna tek bërja e parave askush nuk të pyet. Shumë të rinj studentë, duan të largohen nga këto fshatra dhe mos të kthehen më. Por puna është se nuk kanë ku të shkojnë pasi duket sikur tradhëtojnë traditat dhe nuk e braktisin dot familjen e tyre, tha Leonardi.

Për t’u informuar më tepër, lexoni artikullin e plotë nga Arlis Alikaj për Citizens Channel.