Sipas raportimit të bërë nga Reporter.al, ky lloj i rrezikuar gjendet kryesisht në gjirin e Meksikës në bregdetin perëndimor të oqeanit Atlantik, nga ku gaforrja blu është shfaqur prej një dekade në ujërat shqiptare, si pasojë e ngrohjes globale. Ky lloj alien, gris rrjetat dhe dëmton faunën, është kthyer gjatë viteve të fundit në një kokëçarje shtesë për peshkatarët nga zona e Lezhës, të cilët e sigurojnë mbijetesën duke peshkuar në lagunë.
Prek Nika, një nga peshkatarët më të vjetër në zonën e Lezhës është i dëshpëruar. Çdo natë, brigada e tij peshkimit del në lagunën e Merxhanit dhe hedh rrjetat për peshk dhe ngjala, por në to bien më së shumti gaforre blu.
Gaforrja blu mund të arrijë në një gjerësi deri 23 centimetra. Ajo ka ngjyrë të theksuar bojë qielli, me pinca dhe kthetra në ngjyrë të kuqe.
Eksperti i mjedisit, Jak Gjini thotë se gaforrja blu ka hyrë në ujërat e Ballkanit prej viteve ‘90, nga Greqia ose Kroacia dhe gjatë viteve të fundit është përhapur në masë të madhe në ujërat shqiptare. Sipas Gjinit, kjo gjallesë ka dëmtuar ekuilibrat e ekosistemit të zonave ligatinore.
Në qarkun e Lezhës numërohen tre laguna – ajo e Kune-Vainit, laguna e Merxhanit dhe ajo e Patokut, ku shumë familje e kanë të lidhur jetesën me sektorin e peshkimit, ndaj dhe prezenca e gaforres blu shihet me mjaft shqetësim.
Kreu i Inspektoratit të Peshkimit, Ali Baze thotë se shfaqja e këtij lloji jo autoktoni e ka dëmtuar sektorin e peshkimit. Gjithashtu theksoi se ky lloj alien nuk shqetëson vetëm për Lezhën, por është bërë problem në të gjithë bregdetin shqiptar.
Peshkatarët kërkojnë ndërhyrjen e shtetit që të sigurojë një treg për krustacin pushtues.
“Në këtë situatë që jemi ne, duhet të ndërhyjë shteti që të na sigurojë treg për gaforren, sepse nuk po shohim zgjidhje tjetër,” tha Prek Nika. “Në mungesë të peshkut, të paktën të tregtojmë gaforren,” shtoi ai.