Operacioni “Bregdeti ynë” vihet në zbatim

Në të gjithë vendin nis të hënën e javës së ardhshme, pastrimi i vijës bregdetare dhe jo vetëm.

By admin

Portali Scan raporton se  operacioni i pastrimit u paralajmërua nga kryeministri, në prezencën e ministrit të Brendshëm, drejtuesve të policisë së Shtetit dhe kreut të Kadastrës.

Apeli i parë ishte ai që ata që kanë ndërtuar pa leje, t’i shembin vetë ndërtimet në mënyrë vullnetare.

Operacioni “Bregdeti Ynë” synon pastrimin e bregdetit e territorit dhe çuarjen para ligjit të gjithë shkelësit. Ndërkohë dosjet për çdo subjekt shkelës, sipas ministrit të Brendshëm Çuçi, janë përmbyllur tashmë, ndërsa pas zonës së bregdetit, operacioni do të vijojë edhe në anët e rrugëve nacionale, për t’i pastruar nga ndërhyrjet e paligjshme- shkruan Scan.

Sikurse u njoftua zyrtarisht, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Territorit  kanë konstatuar të gjitha ndërhyrjet e reja dhe janë në përfundim të fazës së njoftimit të këtyre subjekteve.

Sipas portalit Scan, në deklarimet publike, zyrtarët e lartë evidentuan faktin se ndryshimet në Kodin Penal parashikojnë që I gjithë zinxhiri, nga inxhinierët te punëtorët që janë përfshirë në këto ndërtime, do të jenë pjesë e përgjegjësisë penale. Po ashtu, edhe punonjësit e policisë që kanë në përgjegjësi zona ku është ndërtuar pa leje do të përballen me pasojat e ligjit.

“SHÇBA-ja do i shkojë deri në fund kësaj pune, por njëkohësish dhe punonjësit e policisë duhet të jenë të mirëinformuar që njësoj si lufta me krimin në rrugë, njësoj si lufta me kultivimin e lëndëve narkotike, edhe kjo ka një hartë, ka një përgjegjësi. Nëse në zonën tënde të përgjegjësisë ndodh një ndërtim pa leje, je ti përgjegjësi se këtu nuk bëhet fjalë për një aktivitet të shpejtë, por bëhet fjalë për struktura që ngrihen, për beton që hidhet e kjo do të thotë që ti je bashkëpunëtor në shumë raste” deklaroi kryeministri ndërsa paralajmëroi nisjen e operacionit.

Portali Scan shkruan gjithashtu se ligji parashikon detyrime për ata që kanë ndërtuar pa leje, nga u do të bëjnë edhe pastrimin e inerteve.