Laguna e Nartës me rëndësi ndërkombëtare, pjesë e Rrjetit Emerald, ndodhet në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë, pjesë integrale e rrjetit të zonave të mbrojtura të Shqipërise, ku aktivitetet ekstreme sportive janë të ndalura.
Autoritetet përgjegjëse për mbrojtjen e territoreve të egra të vendit u shprehën se nuk kishin marrë asnjë njoftim paraprak për aktivitetin, por konfirmuan faktin se pilotët garuan brenda territorit të mbrojtur.
Sipas organizatorëve të Rrally-it, faza e fundit e garës do të zhvillohet përreth Malësisë së Tiranës, në 12 qershor. Mali me Gropa-Bizë-Martanesh, pjesë e kësaj malësie, është gjithashtu një zonë e mbrojtur, ku aktivitetet ekstreme janë të ndaluara.
Nuk ka një itinerar të detajuar mbi lëvizjen e makinave. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej, u shpreh se agjencia e tij nuk ka marrë asnjë të dhënë, apo njoftim.
Rasti në fjalë nuk është i vetmi. Pak ditë më parë, një grup pilotësh të motokrosit nga Suhareka e Kosovës, garuan në Malin e Qorres e më pas, në atë të Çikës, mbi Llogora. Të nesërmen, Prefekti i Vlorës, në një ceremoni publike, u akordoi flamurin kombëtar për këtë arritje(!) Sipas ekspertëve në terren, dëmet, veçanërisht ndaj bimëve endemike, ishin të konsiderueshme.
Falë një “rastësie” ironike, “Rally Albania 2021” startoi në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, ku zakonisht, grupet e interesit e shfrytëzojnë për rritjen e ndjeshmërisë publike në favor të mjedisit.
Zyrtarët e Administratës Lokale të Zonave të Mbrojtura në Qarkun e Vlorës, pohuan se kjo është një periudhë delikate, kur breshka e detit (Carreta Carreta), një zvarranik i hershëm i Mesdheut, i rrezikuar edhe prej rrjetave të peshkatarëve, fillon e lëshon vezët në rërë, pikërisht aty ku garuan motorët ekstremë. Dunat e famshme ranore, aq të rëndësishme për mbrojtjen e vijës bregore pranë Lagunës së Nartës, rrezikohen, gjithashtu, nga ky aktivitet.
Mungesa e informacionit dhe fshehtësia e një itinerari të detajuar rrugëtimi e bën të pamundur llogaritjen dhe shkallën e dëmit që mund t’i kanoset mjedisit.
“Rrally Albania” zhvillohet qysh prej dekadës së shkuar dhe ende nuk kemi një faturë mbi dëmet që këta aventurierë luksozë shkaktojnë në mjedis. Sipas ekologëve, motokrosi shkatërron ekosistemet e brishta, malore dhe ranore, duke dëmtuar speciet e egra dhe endemike.
Deri tani nuk ka një reagim publik nga organizatat, apo aktivistët e natyrës, kundrejt organizatorëve të Rrally-it, ndërkohë që në media, aktiviteti po propagandohet si një mbështetje për turizmin shqiptar, por pa marrë në konsideratë pasojat në mjedis.
Egoizmi dhe protagonizmi, i kombinuar me videot e maratonës ekstreme, vazhdon një tjetër maraton nëpër rrjetet sociale, duke dëmtuar, jo vetëm mjedisin, por edhe imazhin tonë turistik, që rrezikon të na paraqesë si indigjenë naivë, që impresionohemi nga aventurierë të cilët udhëtojnë me makina të shtrenjta.
Shkruar nga Artan Rama.