Për 15 vite me rradhë, ekipi i Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit (BLRP) ka punuar për të mbrojtur një nga macet më të fshehta në të gjithë botën, rrëqebullin e Ballkanit (Lynx lynx balcanicus).
Rrëqebulli i Ballkanit është një nënlloj i rrëqebullit EuroAziatik, i rrezikuar në mënyrë kritike, i cili listohet në Aneksin II të Konventës së Bernës, që udhëzon për një mbrojtje më të madhe ndaj këtij nënlloji përgjatë vendeve ku shtrihet popullata e tij.
Popullata aktuale e rrëqebullit të Ballkanit është e shtrirë përgjatë Brezit të Gjelbël Ballkanik, në rajonin ndërkufitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si dhe në zona të tjera të vogla në Shqipërinë veriore, qendrore dhe juglindore, apo në perëndimin e Kosovës.
Shtrirja e këtij nënlloji është tejet e kufizuar, po njësoj siç është edhe numri i popullatës së tij, e cila përbëhet nga më pak se 50 individë, sipas vlerësimit të studiuesve. Përtej rrezikut të lartë të zhdukjes prej numrit ekstremisht të ulët të popullatës, rrëqebulli i Ballkanit rrezikohet edhe nga gjuetia e paligjshme ndaj vetë atij apo edhe gjahut (kaproll, dhi e egër), si dhe humbja e habitatit për shkak të shpyllëzimit.
Nëpërmjet këtij newsletter-i 6 mujor ofrohet një pasqyrë e punës së bërë nga Programi për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit.Ekipi i PPNEA synon të raportojë mbi sukseset dhe sfidat me të cilat përballen organizatat e përfshira në këtë program, duke ju shoqëruar nëpër rajonet ku fshihen individë të kësaj maceje mahnitëse.
“Sidoqoftë, nëse dëshirojmë që kjo mace të na mahnisë edhe në vitet e ardhshme, të gjithë ne duhet të bashkojmë forcat për ta mbrojtur atë së bashku me habitatin, përndryshe thirrja e rrëqebullit të Ballkanit së shpejti nuk do të dëgjohet më!”- shkruan Lisa Leschinski në Programin për Rimëkëmbjen e Rëqebullit të Ballkanit.
Për t’u njohur më shumë mbi newsletter-in e publikuar nga Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), klikoni PROGRAMI PËR RIMËKËMBJEN E RRËQEBULLIT TË BALLKANIT