Me objektin “Nxjerrja, përpunimi, tregtimi i gurit dhe materialeve të tjera të ndërtimit”, firma TERRRASTON vijon aktivitetin, duke shkaktuar ndotje dhe nivel të lartë zhurme.
Hapi i parë i tyre ishte mbledhja e firmave dhe dorëzimi i një ankese pranë Bashkisë Kuçovë. Pas marrjes së informacionit, ata kanë dalë në terren për të verifikuar situatën. Pas tre verifikimeve të bëra në terren në maj dhe qershor të vitit 2020, ata konstatuan se situata nuk kishte përmirësim, pavarësisht paralajmërimeve ndaj firmës private për të marrë masa reduktuese ndaj zhurmës.
Përgjigja e këtij institucioni ishte delegim i rastit pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) me arsyetimin se struktura e tyre po reformohet. Institucionet shpjeguan se biznesi në fjalë nuk ka leje mjedisore pasi që të ketë një të tillë, duhet të përpunojë një minimum prej 5 metrash kub gur ose mermer në ditë.
Bashkia Kuçovë ndërmerr hapin tjetër, kryen matjet për nivelin e zhurmave Duke parë situatën, Bashkia Kuçovë vendos të marrë një tjetër nismë për t’i dhënë drejtim situatës. Ata kontraktojë një studio private për të kryer matjet e nivelit të ndotjes akustike. Pas matjeve të kryera nga “VIELF studio”, të dhënat e mbledhura nga koordinata të ndryshme, tregojnë një nivel të lartë ndotjeje, jashtë normave të lejuara në zonat e banuara.
Norma e lejuar në zonat urbane është 55 decibel (dB) ndërsa matjet tregojnë se mesatarja e zhurmave ishte 84 dB, me pikun që shkon 108 dB. Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Elbasan, bëri sërish një matje të zhurmës në mënyrë të pavarur, pas lajmërimeve të Bashkisë Kuçovë dhe verifikuan që ndotja ishte tej normave të lejuara në zonat e banuara.
Kësisoj, Bashkia Kuçovë merr vendimin për ta mbyllur biznesin dhe i vendos gjobë prej 10.000 lekësh, sipas parashikimit ligjor. Pas vendimit të Bashkisë Kuçovë, firma “TERRASTON Berat” i drejtohet Shëndetit Publik Berat për të bërë matje. Pas monitorimit të bërë, ky institucion del në përfundimin se zona ku po punohet listohet si zonë industriale dhe zhurmat nuk paraqesin problem për banorët.
Lagjja “Post-Bllok” mban fraksionin 4/140 dhe listohet sipas ndarjes administrative zonë urbane e jo industriale. Në këto zona, ndër të tjera ndalohet industritë e rënda, kimike dhe të tjera ndotëse për mjedisin. Hapi i fundit i firmës “Terraston Berat” ishte drejt Gjykatës së Vlorës ku ankimoi vendimin e Bashkisë Kuçovë.
Gjykata e Vlorës rrëzoi vendimin e Bashkisë Kuçovë dhe momentalisht firma po vijon punimet. Tashmë, Bashkia Kuçovë ka apeluar vendimin e Gjykatës së Vlorës.
I kontaktuar nga Citizens Channel, administratori i firmës “TERRASTON Berat”, Taulant Metohu u shpreh se nuk mund të komentojë për shkak të procesit gjyqësor i cili ende vijon dhe se do të respektojë vendimin e gjykatës Firma “TERRASTON Berat” nuk është e pajisur me leje mjedisore pasi listohet si biznes i vogël i kategorisë C. Të njëjtin status mban edhe ofiçina në pronësi të Novruz Koxhaj, të cilën e ndan vetëm një mur nga gurorja.
Të tjerë banorë tregojnë se zhurmat kanë ndikuar edhe tek fëmijët, pasi i shpërqendron ata në bërjen e detyrave dhe u ka çrregulluar orarin e gjumit. Jo vetëm zhurmat, edhe pluhuri i ka detyruar banorët të “kyçen” në shtëpi.
E gjithë kjo situatë u ka shkaktuar edhe dëme emocionale. “Të tërë jemi me depresion, vëmë në shtëpi, bërtasim kot, nuk dëgjojmë njëri-tjetrin në familje fillojmë e ngremë zërin. Ça do bëjnë këto, nuk do venë drejt përplasjes, ku do venë?”, – përfundon Esat Koxhaj.
Për të lexuar artikullin e plotë nga Entenela Ndrevataj, klikoni Citizens Channel.