Kalendari Mjedisor

Metamorfoza e Lumës – nga lumë, në kaskadë hidrocentralesh

Pjesë e Parkut Natyror Korab-Koritnik, lumi Luma, nga një lumë me prurje të bollshme, është kthyer në një rrjedhë pa ujë, si pasojë e ndërtimit të këtyre investimeve hidroenergjetike.

By admin

Tri vite më parë, Romana Vllahutin, ish-kryetarja e delegacionit të BE-së në Tiranë, nga fshati Shishtavec i Kukësit bëri një thirrje kundër ndërtimit të hidrocentraleve. Ajo iu kërkoi banorëve të zonës të mos shpërngulen nga ky vend, ku është investuar me fondet e BE-së për rikonstruksionin e rrugës që lidh zonën me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, ku potenciali turistik dhe ekonomik është tejet i lartë dhe bukuritë natyrore janë të shumta.

Sot, realiteti është krejt ndryshe. Deri tani në Grykën e Vanave, në harkun kohor të katër viteve (2012-2016), në shtratin e lumit Luma janë ndërtuar dhjetë hidrocentrale, duke e kthyer shtratin e lumit në një shkretëtirë të mirëfilltë, ndërkohë që janë projektuar pesë hidrocentrale të tjera.

Hidrocentralet janë të tipit “BOT”, që funksionojnë si një i vetëm, japin dhe marrin nga njëri-tjetri, duke kryer shfrytëzimin maksimal të ujit dhe duke e kthyer shtratin e lumit përgjatë periudhës së shfrytëzimit në një shkretëtirë, të thatë e pa jetë.

Ndërtimi i hidrocentraleve “Bele 1”, “Topojan 1”, “Orgjost i Ri”, “Bele 2” dhe “Topojan 2” është miratuar nga Ministria e Energjetikës, në nëntor të vitit 2008. Këto HEC-e janë ndërtuar nga kompanitë koncesionare “Euron Energy”, “Energal sh.p.k.” dhe “Alb-Energy sh.p.k.”.

Ndërkohë që hidrocentralet “Borje”, “Oreshkë”, “Cernaleva 1” dhe “Cernaleva 2” janë ndërtuar nga shoqëria “HidroAlbania Energji”. Hidrocentrali i fundit i Pobregut është ndërtuar nga kompania koncesionare “Energy Plus sh.p.k.”.

Banorët e zonave, ku kalojnë degët e lumit Luma, kanë vite që e kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve. Në fshatrat Topojan dhe Borje banorët janë të shqetësuar për dëmtimin e lumit, por duken të dorëzuar dhe nuk kanë dëshirë të prononcohen më tej për ndërtimin e HEC-eve.

Gjatë gjithë rrugëtimit drejt fshatit Borje, pjesë e Shishtavecit, rruga që kalon mbi hidrocentralin Borje, nuk është mirëmbajtur. Ndërtimi i hidrocentralit këtu nuk ka ndikuar në rregullimin e rrugës nga Kukësi drejt Borjes. Banorët e këtij fshati shohin dhe ndjejnë kontrastin e madh mes investimit të konsiderueshëm për hidrocentralin dhe gjendjes së infrastrukturës.

Krenar Bilali, banor i Borjes, thotë se ndërtimi i hidrocentraleve nuk e ka përmirësuar jetesën e banorëve të zonës. Problemet vazhdojnë të jenë po ato që ishin edhe para ndërtimit të tyre.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor (VNM), ka qenë kundër ndërtimit të hidrocentralit “Oreshka”. Në përgjigjen e kërkesës për informim, Agjencia e konsideron këtë zonë “me vlera të larta për menaxhimin e habitateve dhe llojeve; dhe zhvillimi i një aktiviteti të tillë do kishte një ndikim mjaft negativ në mjedis. Në Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor (VNM), thuhet se, referuar ligjit “Për Zonat e Mbrojtura” për këtë zonë zbatohet shkalla e tretë e mbrojtjes dhe ndalohet ndryshimi i gjendjes natyrore të rezervave ujore, burimeve, liqeneve dhe sistemeve të zonave të lagura dhe si e tillë nuk lejohen investime të kësaj natyre.

Olsi Nika, drejtor i EcoAlbania-s, thekson se hidrocentralet e ndërtuara në lumin Luma janë problematike, sepse kompanitë koncesionare nuk e zbatojnë kontratën për të lëshuar një sasi të ujit në lumë për atë që quhet prurje ekologjike, si dhe për shkaktimin e mungesës së korridoreve biologjike.

Lumi Luma ka një shumëllojshmëri prej 26 peshqish, duke filluar nga trofta e përrenjve të Ballkanit Perëndimor, peshqit e familjes së krapit dhe deri te mustaku. Futja e gjithë rrjedhës së ujit në tuba ka bërë që sot kjo faunë të mos ekzistojë më.

Biologu Arben Palushi ka bërë herë pas here ekspedita në lumë dhe e ka vërtetuar praninë e peshqve, peshq që tani nuk janë më. Me gjithë përpjekjet për ndërtimin e gropave të mbijetesës, Palushi së bashku me ekspertë të tjerë nuk arritën t`i shpëtojnë gjallesat endemike të këtij lumi.

Kompanitë koncesionare, përveç futjes së ujit në tuba, shkelin pikat e kontratës, duke hedhur klorin në lumë për të pastruar tubat që zënë alga njëqelizore.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit është autoriteti përgjegjës për inspektimet në këto hidrocentrale. Vetëm pas kërkesave të njëpasnjëshme të ACQJ për informacion mbi gjendjen e këtyre investimeve dhe impaktin e tyre në ekosistemin e lumit Luma drejtuar IKMT-së dhe Drejtorisë Rajonale të IKMT, Kukës, kjo e fundit nisi inspektimet e nevojshme kundrejt këtyre koncesionarëve, duke iu përgjigjur kërkesës për informacion në mënyrë të pjesshme.

Sipas këtij institucioni, janë kryer inspektimet e nevojshme përgjatë lumit Luma (Gryka e Vanave), ku rezultoi se po ushtronin aktivitetin kompanitë koncesionare që kanë ndërtuar HEC-et në shtratin e lumit, nga të cilat dy prej tyre nuk i plotësojnë kushtet e Lejes Mjedisore, por pa përcaktuar se në çfarë masë kompanitë e tjera i plotësonin kushtet e lejes.

Uji që dikur rridhte në lumin Luma, një ndër më të mëdhenjtë e zonës, tani kalon nëpër tuba për të prodhuar energji elektrike, mungesën e së cilës banorët e zonës ende e vuajnë shpesh.

Jeta e banorëve, që jetojnë përgjatë këtij lumi, nuk ka ndryshuar. E ardhmja e tyre nuk duket më e mirë, ndërsa jeta e gjallesave të këtij ekosistemi i përket së shkuarës!

Për të lexuar artikullin e plotë, klikoni Albanian Center for Quality Journalism.