Kalendari Mjedisor

Kukës: Shfrytëzimi i hekur-nikelit shkreton tokat, pyjet dhe zhduk tulipanin shqiptar

Banorët e fshatit Mamëz në Njësinë Administrative Kolsh të Bashkisë Kukës, ndjehen të pafuqishëm për të mbrojtur territorin e tyre. Në pronat e pyjet e këtij fshati ministritë që kanë mbuluar aktivitetin minerar si edhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) kanë dhënë leje minerare me kilometra katrorë për shfrytëzimin në sipërfaqe të nikel-silikateve në këtë fshat.

By admin

Banorët tregojnë se firmat sipërmarrëse kanë bërë dhe po bëjnë shfrytëzimin pa kriter deri në barbari të mineralit të hekur nikelit, pa zbatuar asnjë kriter për të cilin kanë marrë leje, duke shkatërruar dhjetëra hektarë me pyje, ndotur mjedisin dhe për pasojë duke rrezikuar jetën e njerëzve.

Aktualisht në fshatin Mamëz firma e cila po shfrytëzon mineralin e hekur-nikelit është “Victoria Invest”, në një sipërfaqe prej 2.8 kilometër katrorë, rrëze malit të Sukës. Banorët e këtij fshati pretendojnë se kjo firmë punon me leje mjedisore të falsifikuar. Sipas tyre firmat e banorëve janë marrë në mënyrë klandestine pa ndonjë dëgjesë publike, madje janë përdorur dëgjesa publike të zhvilluara në fshatra të tjerë.

Pavarësisht kësaj, firma ka zhvilluar aktivitetin pa u shqetësuar nga askush, ndërsa si pasojë e veprimtarisë së nxjerrjes së hekur-nikelit banorët shprehen me shqetësim për shëndetin e tyre.

Me gjithë ankesat e vazhdueshme të banorëve kundrejt institucioneve shtetërore, nuk ka pasur asnjë reagim, duke i bërë ata të ndjehen të pafuqishëm për të mbrojtur territorin e tyre.

Kryeplaku i fshatit Mamëz Sali Leka thotw se AKBN ka dërguar në terren specialistin Bardhyl Cama, i cili pasi ka kryer inspektimin në bazë të ankesave të banorëve të paraqitura u ka dhënë të drejtë për sa i përket grumbullimit të stokut të mineralit  të hekur nikelit në mes të fshatit, ku depozitat e mineralit  të hekur nikelit janë duke rrezikuar shëndetin e njerëzve dhe gjësë së gjallë. E me gjithë inspektimit dhe ankesave të banorëve, stoku i mineralit vazhdon të jetë në qendër të fshatit. I pyetur nga Citizens Channel, prefekti i Qarkut të Kukësit, Zenel Kuçana ka rezerva për sa i përket lejeve të lëshuara nga AKBN-ja.

Krahas pasojave në shëndetin e banorëve si dhe pamundësinë që ju krijon për të shfrytëzuar kullotat për bagëtinë, shfrytëzimi pa kriter i mineraleve në fshatin Mamëz të Kukësit sjell rrezik edhe për tulipanin shqiptar.

Tulipa albanica është një lloj tulipani endemik që rritet vetëm në Republikën e Shqipërisë, në qarkun e Kukësit. Është lloj i rrezikuar pasi rritet në një territor më të vogël se 80 hektarë, ose më të vogël se 1 km2 dhe rrezikohet jashtë mase nga aktiviteti minerar në zonë. Tulipani shqiptar ngjan me tulipanin e Sardenjës, Tulipa scardica dhe me Tulipa schrenkii, por dallon nga to pasi ka gjethe me valëzim si dhe është i ndryshëm nga ana gjenetike.

Drejtoria e AKZM( Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura) Kukës, ka pohuar faktin se në zonën e Mamëzit ku ushtrojnë aktivitet disa firma minerare gjendet tulipani me ngjyrë të kuqe. Përveç tulipanit, të rrezikuar ka edhe 24 lloje të bimëve bashkëshoqëruese që janë në listën e kuqe të Ministrisë së Mjedisit si të rrezikuara. Mes tyre edhe tulipani me ngjyrë të kuqe që rritet në fshatin Mamëz gjendet në listën e kuqe të Ministrisë së Mjedisit.

Përpos veprimtarive shkatërruese në mjedis, në aspektin ndërkombëtar Shqipëria është ndër vendet e para që ka nënshkruar dhe më pas ka ratifikuar në vitin 2000 Konventën e Aarhusit.

Qëllim i konventës është që të kontribuojmë në mbrojtjen e të drejtës së çdo individi të brezave të sotëm e të ardhshëm, për të jetuar në një mjedis të përshtatshëm për shëndetin dhe mirëqenien e tij. Megjithëse në letra plotësohen, rrëfimet e banorëve tregojnë se as nuk janë informuar e as nuk janë pyetur kur vjen puna për ndikimet negative që shkaktojnë në mjedis koncesionet e mineraleve dhe ato të HEC-eve.

Banoret e Mamëzit prej një dekade kërkojnë transparencën e dhënies së këtyre lejeve minerare dhe anulimin e tyre, por thirrjet e tyre nuk janë dëgjuar, ndërsa gjithmonë ndaj tyre është ushtruar dhunë e terror psikologjik e fizik nga ana e policisë.

Ngjarjet zënë fill 11 vite më parë, kur Genc Ruli, në ditën e fundit të mandatit tij si Ministër i Ekonomisë, në fillim të shtatorit  të vitit 2009, kishte firmosur një leje koncesionare prej dhjetëra hektarësh (2.5 kilometër katrorë) për shfrytëzim të mineralit të hekur-nikelit në fshatin Mamëz.

Ndërkohë që fillimi i punës nga ana e koncesionarit në fundin e tetorit të vitit 2011 ka hasur në reagimin e banorëve të Mamëzit, pasi shfrytëzimi i kësaj miniere bëhej në pronat e tyre pa asnjë lloj shpërblimi si dhe dëmtonte rëndë kullotat, pyjet dhe rrugën e fshatit, por pa ditur se po dëmtonte edhe lulen e famshme të emërtuar tashmë “Tulipani albanica” (Tulipani Shqiptar).

Leja e shfrytëzimit i është dhënë subjektit “Nickelmine” me datë 01 shtator të vitit 2009 nga Z. Ruli kur ishte ministër në detyrë i Ekonomisë  Tregtisë dhe Energjetikës, e një javë më pas ai ka marrë votëbesimin në parlament si ministër i Bujqësisë.

Leja e shfrytëzimit zotëronte një sipërfaqe prej 2.5 kilometrash katrorë, ku banorët e fshatit Mamëz kanë kullotat dhe pyllin. Kjo firmë ka shfrytëzuar për rreth tre vite këtë zonë mineral mbajtëse. Banoret e Mamëzit e akuzojnë firmën se megjithëse e kishte marrë lejen me dokumente të falsifikuara, ajo nuk kishte zbatuar shumicën e kritereve të përcaktuar në leje, ku nga punimet e firmës janë dëmtuar veprat ujitëse, shkatërruar mjedisi, dëmtuar shtëpitë nga shpërthimet dhe të mbjellat nga pluhuri i krijuar, ndërkohë që si pasojë e daljes së helmeve në sipërfaqe u kanë ngordhur bagëtia.

Tashmë zona e shfrytëzuar i ngjan një varreze masive, ku firma pas shfrytëzimit është larguar dhe përgjegjësit nuk kanë bërë rehabilitimin e zonës duke shkaktuar probleme të mëdha për banorët. Ndërkaq banorët e këtij fshati për shfrytëzimet barbare të burimeve minerare në fshatin e tyre kanë bërë publike disa vite më parë një letër që i kanë dërguar trojkës së ambasadoreve në Tiranë si ambasadorit të SHBA-së, Shefit të Delegacionit të KE-së në Tiranë dhe shefit të Prezencës së OSBE-së. Në letër pasi përshkruhet dhuna policore ndaj tyre ato kanë denoncuar lëshimin e lejeve mjedisore pa kriter nga ministria dhe AKBN-ja.

Megjithatë, si ish ministri Genc Ruli edhe pasardhësit e tij ndër vite kanë vazhduar të japin leje koncesionare për shfrytëzim minerali në ekonominë pyjore e kullosore të zonës kadastrale Mamëz-Kalimash, ku firmat koncesionare kanë dëmtuar rëndë mjedisin e bashkë me të edhe lulen e rrallë të tulipanit shqiptar.

Këto koncesione minerare, kanë shkatërruar dhjetëra hektarë me pyje e kullota duke dëmtuar rëndë ekonomitë familjare të banorëve të këtyre zonave të varfëra dhe duke krijuar HOT-SPOT-e të reja. Deri më tani janë shënuar dëme jo vetëm në sektorin e blegtorisë, por edhe në shëndetin e njerëzve.

Për t’u njohur me artikullin e plotë, klikoni Citizens Channel.