Gjirokastër, turizmi i pelegrinazhit tërheq vizitorët vendas dhe të huaj

Në këtë sezon turistik veror në Gjirokastër, turizmi i pelegrinazhit është një gjetje e veçantë për vizitorët vendas dhe të huaj.

By admin

Objektet fetare dhe religjioze falë vlerave arkitektonike, historike dhe të trashëgimisë kulturore po pasurojnë hartën e guidave turistike duke e bërë më interesant udhëtimin për vizitorët vendas dhe të huaj.

Sipas specialistëve turizmi fetar po rritet me shpejtësi dhe konsiderohet të jetë një përparësi kyçe në industrinë globale të turizmit. “Në këtë drejtim zona e Gjirokastrës është e pasur me burime unike kulturore, me rëndësi fetare dhe religjioze, të cilat mund të përdoren për zhvillimin e aktivitetit ekonomik turistik”, shprehen specialistët e turizmit.

Objektet religjioze, një pjesë e të cilave të restauruara edhe me financimet e Ministrisë së Kulturës gjatë kësaj vere janë ndalesa tërheqëse për tustitët, duke i bërë më impresionuese guidat turistike në zonën e Gjirokastrës. Ndërkohë Bashkia Gjirokastër nëpërmjet një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian, përmes programit INTERREG IPA, synon të kontribuojë në zhvillimin e turizmit ndërkufitar të pelegrinazheve.

Sipas koordinatorëve të këtij projekti, pjesë e tij është kryerja e një studimi mbi zhvillimin e turizmit të pelegrinazheve në zonën ndërkufitare më Greqinë, promovimi i 15 monumenteve të përzgjedhura si dhe zhvillimi dhe zbatimi i një produkti të specializuar turistik, i përbërë nga rrugë alternative të turizmit të pelegrinazhit.

Përgjatë këtij projekti do të mundësohet edhe funksionimi i një portal-web për rrugët e turizmit të pelegrinazhit që ofron informacion në kohë reale, duke mundësuar hartimin e rrugëve alternative të vizitave, sipas preferencave të vizitorëve dhe promovimin e monumenteve kulturore të përzgjedhura, si dhe ushqimin, produktet dhe shërbimet lokale të ofruara në zonë.

Zhvillimi dhe funksionimi i Qendrës së Informacionit, zhvillimi i strategjisë dhe etiketës së markës “Rrugët e Turizmit të Pelegrinazhit”, duke përfshirë ushqime, produkte dhe shërbime lokale dhe komunitetin e biznesit të përfshirë, pjesë përbërëse të Rrjetit të Ndërmarrjeve të Rrugëve të Turizmit të Pelegrinazhit janë disa prej elementëve interesantë të këtij projekti.

Gjithashtu pjesë e tij janë aktivitetet promovuese për këtë lloj turizmi, në të cilat do të përfshihen edhe komunitetet lokale të zonave përkatëse. Sipas specialistëve të turizmit, projekti i zbatuar në territorin e Bashkisë Gjirokastër ,do të mundësojë rritjen e konsiderueshme të vizitave dhe kohëzgjatjen e qëndrimit të turistëve, rritjen e të ardhurave për banorët e zonave rurale, si dhe çeljen e vendeve të reja të punës dhe investimet në sektorin e turizmit.