Në padinë e ngritur kërkohet shfuqizimi i vendimit nr.146, i datës 10.09.2020 që licencon këto dy HEC-et, që prekin lumin Flim, i cili rrjedh brenda Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj dhe lumin Urakë. Gjykata njoftoi se do të dalë me një vendim brenda periudhës shtator – tetor 2021.
Avokatja Dorina Ndreka, që përfaqëson ligjërisht komunitetin e Zall-Gjoçaj, u shpreh për Citizens Channel se vendimi i Gjykatës së Apelit është një lajm i mirë për banorët që janë organizuar prej tre vitesh në mbrojtje të natyrës.
Edhe aktivistët e angazhuar në këtë kauzë u shprehën pozitivë.
Vendimi i Gjykatës së Apelit për shqyrtim të padisë me procedurë të përshpejtuar erdhi nëntë ditë pasi aktivistë dhe banorë të Matit protestuan përballë këtij institucioni me këmbore në duar.
Aktivistët kërkuan pikërisht marrjen në shqyrtim të kësaj padie, pasi punimet në terren vijojnë me ritme të shpejta.
Fill pas protestës, Gjykata e Apelit doli me një deklaratë për shtyp, ku u shpreh se çështja do të shqyrtohet me paanësi, ndërkohë që kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve, pasi kanë një volum të lartë pune.
Paditë e njëpasnjëshme nuk i ndaluan punimet në terren, tashmë sytë drejt Gjykatës së Apelit
Kjo është arritja e dytë e komunitetit të Zall-Gjoçaj sa i përket rrugës së gjatë ligjore që ata ndjekin prej dy vitesh. Pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, banorët kanë ngritur tre padi, por asnjëra prej tyre nuk ka urdhëruar ndalimin e punimeve.
Megjithatë, në janar të këtij viti, Gjykata e Shkallës së Parë, pasi shqyrtoi padinë e bërë sërish ndaj ERE-s dhe “Seka Hydropower” vendosi t’i heqë licencën hidrocentralit “Zais” duke mos e lejuar të prodhojë energji por nuk urdhëroi ndalimin e punimeve, me arsyetimin se nuk ishte çështje urgjente.
Ajo shpreson që do të ketë një vendim përfundimtar nga Gjykata e Apelit, që do të ndalojë vënien në punë të hidrocentralit brenda zonës së mbrojtur.
Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj është bashkuar me Lurën në vitin 2018, duke formuar parkun “Lurë-Mali i Dejës”, zonën me sipërfaqen më të madhe të mbrojtur në Shqipëri.
Sipas ligjit 81/2017 në zonat e mbrojtura të shpallura “Park Kombëtar” nuk mund të ndërtosh hidrocentrale.
Për të lexuar artikullin e plotë nga Entenela Ndrevataj, klikoni Citizens Channel.