“Plepat e Brukës” në dyert e gjykatës, çështja do të shqyrtohet në vjeshtë

Në seancën e korrikut në Gjykatën Administrative ishte dhe çështja e Pyllit “Plepat e Brukës” në Laknas.

By admin

Banorët e zonës kanë ngritur padi në vitin 2019 kundër Bashkisë Kamëz, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe firmës private “Bioproducts” shpk për të kundërshtuar transformimin e pyllit të tyre në thertore. Në seancën e kaluar u diskutua akti i ekspertimit mbi vlerësimin e hapësirës objekt ndërtimi, akt i cili u vlerësua nga gjykata si i pamjaftueshëm për të shqyrtuar më tej çështjen. Si rrjedhojë, gjyqtari Bezart Kaçkini shtoi dy pyetje të tjera për ekspertët të cilat do të shqyrtohen në seancën e datës 20 shtator.

Gjykata i kërkoi ekspertëve të përcaktojnë se sa është dendësia reale e pemëve në të gjithë sipërfaqen e “Plepave të Brukës”, duke ju kërkuar atyre të bëjnë numërimin fizik dhe real të tyre dhe njëkohësisht të përcaktonin se cilat ishin pjesët me dendësinë më të madhe të pronës.

Për shkak të pandemisë dhe kufizimeve të ndërmarra në zbatim të protokolleve, e herë-herë edhe për të evituar zëra polemik të qytetarëve nëpër sallat e gjykimeve, banorëve të Laknasit iu është mohuar mundësia për të marrë pjesë fizikisht në çështjen në të cilën janë vetë paditës. Në këtë seancë u propozua që në vijim debati të zhvillohet në prani të tyre me mundësinë e dhënies së fjalës.

Krahas procedurave gjyqësore, banorët e Laknasit nuk kanë anashkaluar aksione dhe përpjekje të tjera për të mbrojtur zonën që ata e konsiderojnë pyll. Përpos protestave, ata kanë zhvilluar edhe takime me kryetarin aktual të bashkisë Kamëz Rakip Sulin, i cili me retorikë i ka përcjellë ata pa një propozim për zgjidhje konkrete dhe të menjëhershme siç e kërkojnë banorët. Ndërkohë, sjellja e bashkisë edhe në procese gjyqësore ka qenë neutrale, duke munguar thuajse në të gjitha seancat. Ndryshe nga herët e tjera, gjatë seancës së kaluar bashkia Kamëz ka marrë pjesë nëpërmjet përfaqësueses ligjore e cila nuk ka mbajtur asnjë qëndrim, edhe pse është palë e paditur në këtë proces.

Në dhjetor të vitit 2020, Gjykata Administrative e Apelit ka rrëzuar vendimin e dhënë për sigurimin e padisë në favor të kërkesës së banorëve me argumentin se projekti për ndërtimin e biznesit privat nga “Bioproducts” shpk është i financuar nga BERZH. Përfaqësuesit ligjorë të banorëve të Laknasit kanë bërë rekurs kundër këtij vendimi me argumentimin se zona është e pasur me bimësi (akacie, plepa, shelgje, shkurreta) dhe nuk mundet të lejohet një investim i tillë vetëm me arsyetimin se burimi i financimit është BERZH-i, duke anashkaluar haptazi ligjet dhe gjendjen faktike të “Plepave të Brukës”.

Banorët po e ndjekin me shqetësim këtë proces të gjatë gjyqësor, ndërkohë po organizohen mes veti për të ndërmarrë nisma pastrimi dhe ndërgjegjësimi nëpër qytet me qëllim që Bashkia Kamëz ta shpallë pyll hapësirën që ata po e mbrojnë e për pasojë t’i sigurohet mbrojtje ligjore kundrejt çdo rreziku që mund t’i kanoset në të ardhmen nga institucionet publike apo organizma të tjera private./nyje.al