Pjesa më e madhe e shpenzimeve, shkuan për financimin e projekteve koncensionare që lidhen me inceneratorët sikurse ai i Fieri dhe Elbasanit. Ndërsa një pjesë tjetër e shpenzimeve të konsideruara korrent, rreth 513 milionë lekë shkuan për të financuar inceneratorin e Tiranës.
Të dhënat e Ministrisë për katër mujorin e parë të vitit 2021 përfshijnë në grupin e punëve të kryera edhe mbylljen dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistues të mbetjeve të ngurta Eko Park në Durrës, fazën e dytë të ndërtimit të vend-depozitimit Bushat, si dhe punimet shtesë në impiantit e trajtimit të ujërave dhe shtresave të landfillit Bajkaj.
Fundi i qershorit të 2021 e gjeti Durrësin, qytetin turistik të Adriatikut nën petkun e plehrave të pa pastruara prej ditësh. Situatë kjo e përsëritur edhe më herët në muajin maj.
Situata u bë edhe më kaotike ndërsa kazanëve të plehrave filluan t’ju vihej zjarri gjatë natës për shkak të erës të padurueshme nga dekompozimi i tyre.
E gjithë kjo situatë erdhi si pasojë e pamundësisë financiare të bashkisë Durrës për të depozituar mbetjet në landfillin e Sharrës.
Transferimi i mbetjeve në landfillin e Sharrës erdhi si pasojë e mbylljes së vendgrumbullimit të Porto Romanos për shkak të shndërrimit në Eko Park, e si rrjedhojë nuk kishte një marrëveshje për vend-depozitimin e ri. Për këtë arsye ato u dërguan më pas në landfillin e Sharrës, por pa arritur një marrëveshje konkrete.
Si pasojë e mos pagesës së tarifës së depozitimit në Sharrë, kompania nuk lejoi kamionët të depozitonin mbetjet. Kostoja për të dërguar mbetjet e Durrësit në landfill i kushtojnë buxhetit të bashkisë Durrës rreth 2.2 milionë euro, ndërsa buxheti total i bashkisë është vetëm 2.6 milionë euro.
Në 15 korrik, qeveria përmes një Vendimi të Këshillit të Ministrave ofroi më në fund mbështetjen financiare për menaxhimin e mbetjeve urbane në qarkun e Durrësit.
Qarku i Gjirokastrës prodhon mbi 62 mijë ton mbetje në vit, ndërsa bashkitë e këtij qarku janë në vështirësi të menaxhimit të tyre.
Vështirësia në menaxhim vjen për shkak të standardeve jo të duhura të vend-depozitimeve duke dëmtuar kështu edhe luginat e lumenjve Drino dhe Vjosa.
Ekspertët mjedisorë ngrenë alarmin për dëmtimin e specieve në lumenj, ndërsa përfaqësuesit e bashkisë bëjnë thirrje për përmirësim të teknologjisë në menaxhimin e mbetjeve./ Citizens Channel.