Thellohet skandali me shkarkimet e Albchrome

Skandali me shkarkimet e ndotjes që shkaktohet nga kompanitë e përpunimit të kromit në Elbasan…

By admin

Pas kronikës të transmetuar pak ditë më parë në MCN, ku pamjet tregojnë zonën e fshatit Balldren të mbuluar nga tymi, Dybeli thotë se është në dijeni të nivelit të lartë të ndotjes që emetohet nga fabrikat e Albkrome, pjesë e Balfin grup në zotërim të biznesmenit Samir Mane.

Ferrokromi, fabrika e kompanisë Albkrom që bën përpunimin e kromit, sipas Dybelit është më problematike sa i përket çështjes së ndotjes në zonën e Balldrenti. Sipas tij, kjo kompani nuk ka të instaluar sistemin e pluhur kapjes, për të cilën janë në dijeni edhe institucionet përkatëse.

Zëvendësdrejtori i inspektoratit shpjegon se nga ky institucion janë kryer inspektime që kanë evidentuar nivelin e lartë të ndotjes dhe materialet për problematikat e gjetura janë referuar në Ministrinë e Mjedisit.

Por sipas Dybelit, Inspektorati i Mjedisit në Elbasan nuk ka aparaturat e nevojshme për të bërë matjet e ndotjes së ajrit dhe emetimeve nga fabrikat, ndonëse mbulon një prej zonave me aktivitet të lartë industrial.

Në vëzhgimin që bëri pak ditë më parë, MCN solli pamje ekskluzive të ndotjes masive gjatë natës në fabrikat e përpunimit të kromit, ku janë të punësuar edhe një pjesë e banorëve të zonës, të cilët janë të rezervuar për të folur nga frika e heqjes nga puna.

Gjithashtu denoncimi i aktivistit mjedisor, Ahmet Mehmeti i Klubit Ekologjik Elbasan, i bërë në MCN TV,  referon për një ndotje të ajrit nga pluhurat rreth 7 herë më të lartë se norma. Shkak i kësaj gjendjeje është mungesa e filtrave dhe mosrespektimi nga kompania i kushteve të lejeve mjedisore për ndotjen e ajrit.

Ndërkohë Raporti i Gjendjes së Mjedisit 2020 e paraqet ndotjen në Elbasan në  nivele poshtë normës së lejuar, ku në vetëm 23 ditë ndotja është më e madhe se norma. Por matjet e referuara në këtë raport i takojnë qendrës së qytetit ( stacioni matës ndodhet përpara godinës së qarkut Elbasan). Indicie të tilla të veprave të krimit mjedisor duhet të vënë në veprim inspektoratin e mjedisit për të bërë inspektime në terren. Sipas zotit Mehmeti dhe gazetarëve të MCN TV kjo gjë nuk ka ndodhur, edhe pas disa ditësh të raportimit të rastit.

Ndotja e ajrit përbën një krim mjedisor parashikuar nga kodi penal, neni 201, ndryshuar me ligjin nr. 44/2019, datë 18.7.2019.