Makineritë e rënda dhe punëtorët e hekurit të kompanisë “Gener 2” po i japin dorën e fundit punimeve në dy hidrocentralet e kundërshtuara ashpër mbi lumin Valbonë, ndonëse Gjykata e Lartë vendosi një javë më parë pezullimin e tyre.
Në qendrën e kantierit në Dragobi, punëtorët vazhdonin të patrazuar punën të martën më 27 korrik, ndërsa automjetet e tonazhit të rëndë ngrejnë re të dendura pluhuri teksa transportojnë materiale të ndryshme drejt digës.
Banorë të Dragobisë i thanë BIRN se punimet vazhdojnë edhe në tunelin e Çeremit dhe se ata kanë pak shpresë se vendimi do ta ndryshojë situatën në terren.
Pas një beteje 6-vjeçare kundër ndërtimit të HEC-eve në Valbonë, banorët e zonës korrën një fitore të vonuar më 21 korrik, kur Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vendosi si masë sigurie pezullimin e kontratës së koncesionit për HEC Dragobia dhe Çeremi.
Vendimi u mor 5 vjet pas dorëzimit të padisë nga një grup banorësh dhe shoqata “Toka” –kohë kjo e mjaftueshme për ndërtimin e HEC-eve dhe nisjen e prodhimit të energjisë nga njëri prej tyre. Vendimi i Gjykatës së Lartë kundërshtohet nga përfaqësuesit e kompanisë koncesionare, të cilët i thanë BIRN se do të vazhdojnë punën.
Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës është një nga pikat më të bukura natyrore të veriut të Shqipërisë dhe gëzon mbrojtje të veçantë ligjore. Por pavarësisht statusit të mbrojtjes, qeveria shqiptare ka firmosur ndërtimin me koncesion të dy HEC-eve në Valbonë, duke nxitur një betejë 6-vjeçare të banorëve të zonës dhe një seri padish gjyqësore.
Vendimi i Gjykatës së Lartë nuk ishte i vetmi që pezulloi punimet si masë paraprake, deri në shqyrtimin e themelit të çështjes. Në qershor 2018, Gjykata Administrative e Apelit pranoi kërkesën e protestuesve për pezullim të punimeve. Por në një vendim të paprecedentë, pezullimi u rrëzua nga Gjykata e Faktit të Tropojës.
Ibrahim Demiri, banor i Dragobisë dhe mësues në pension i tha BIRN se punimet intensive për ndërtimin e HEC-eve i kishin dhënë tashmë efektet negative mbi mjedisin.
Aktivisti Metalia është i vendosur për t’i shkuar deri në fund kauzës së mbrojtjes së Valbonës, ndërsa pranon se banorët janë tashmë më të përçarë se 6 vjet më parë. Metalia i tha gjithashtu BIRN se personalisht kishte pasur përndjekje dhe oferta për të hequr dorë nga protesta.
Alfred Selimaj është ndër të paktët operatorë turistikë në Valbonë që u është bashkuar aktivistëve dhe banorëve të Dragobisë e Luginës së Valbonës në mbrojtje të lumit. Ndonëse është dyshues për efektin e vendimit të Gjykatës së Lartë, ai shpreson që së paku kjo do të ndërgjegjësojë mbrojtjen e mjedisit në zona të tjera të vendit.
Njësoj si Metalia, edhe Selimaj thotë se është bërë objekt i presioneve, por nuk është tërhequr.
Bajram Bashukaj, punonjës i kompanisë “Gener 2” i relativizon ankesat e banorëve, ndërsa thotë se derdhja e ujërave të zeza e dëmton lumin shumë më tepër sesa HEC-et.
Ai shtoi gjithashtu se kompania ka punësuar dhjetra banorë të zonës së Tropojës gjatë fazës së ndërtimeve dhe se anulimi i koncesionit do të ishte një faturë e rëndë për shqiptarët.
Uji i futur në tuba nga Çeremi dhe që furnizon me ujë HEC-in “Dragobia 1”. Foto: Bashkim Shala.
Puna në kantierin e kompanisë Gener 2 vazhdon edhe pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Foto: Bashkim Shala./ Reporter.al