Ditën e mërkurë, MCN TV raporton vatra zjarri të përmasave të mëdha, të cilët kanë përfshirë zona të ndryshme malore në Vlorë, ndërsa flakët nuk mungojnë as në gadishullin e Karaburunit.
Zjarri ka pushtuar zonën e Bristanit duke u ngjitur në Ravenë e më pas mbi kishën e Marmiroit në Orikum.
Terreni mjaft i vështirë e bën të pamundur mbërritjen e forcave zjarrëfikëse në këto zona, ndërsa punonjës dhe specialistë të zonave të mbrojtura së bashku me prefektin e qarkut të Vlorës janë nisur për të parë nga afër situatën.
Situata është problematike, pasi flakët e zjarrit të ndihmuara dhe nga era mund t’i afrohen parkut të Llogarasë.
Ditën e enjte, A2 CNN raporton se vijon të jetë aktiv zjarri në gadishullin e Karaburunit, edhe pse punonjësit e zonave te mbrojtura kanë qenë gjatë gjithë natës në terren për fikjen e zjarrit dhe normalizimin e situatës.
Gjendja vijon të jetë problematike pasi në zonën mbi kishën e Marmiroit në Orikum zjarri është aktivizuar sërish.
Kërkohet ndërhyrja me forca më të shumta pasi është e pamundur të fiket me mjete rrethanore ky zjarr.
Sipas prefekturës së Vlorës, sot mbërriti në ndihmë ushtria. Ndërkohë, terreni i vështirë për të shkuar në mal e bën edhe më të vështirë fikjen e zjarrit. Ndërkohë, që punonjësit e ADZM kanë ngelur pa ujë te pijshëm dhe janë të detyruar të zbresin nga mali dhe për të zbritur duhen të paktën dy orë.
Rreth orës 08:30 mësohet se kanë mbërritur 40 ushtarë nga Poshnja e Beratit dhe nga Pashalimani për të ndihmuar në fikjen e zjarrit.
Situata vijon të jetë kritike, ndërsa janë djegur sipërfaqe të mëdha.