Bashkia Has Pararojë në qeverisjen mbi parimet e ekonomisë së gjelbër

Në datën 30 qershor 2021 Këshilli Bashkiak i Bashkisë Has miratoi planin e veprimit “Shërbimet…

By admin

Ky është një moment i rëndësishëm për Bashkinë e Hasit, pasi asnjë Bashki tjetër në vend nuk ka një dokument të ngjashëm duke e bërë atë bashkinë e parë në vend që miraton një plan veprimi për shërbimet e ekosistemit dhe për investimet inteligjente. Për Bashkinë e Hasit ky plan vjen edhe më shumë në nevoje duke qenë se është e pasur me burime natyrore të cilat përfaqësojnë një kapital ekonomik deri tani të pa-vlerësuar dhe as të konsideruar për tu integruar në hartimin e politikave dhe fuqizimin e vetë qeverisjes vendore. Ky plan tashmë sjell një përqasje të re drejt zhvillimit dhe qëndrueshmërisë dhe vlerësimit të potencialeve të bashkisë.

Procesi i hartimit të këtij dokumenti ka qenë sa teknik, aq edhe pjesëmarrës dhe analitik i të dhënave dhe potencialeve aktuale dhe të ardhme të Bashkisë Has. Për hartimin e plani është punuar ngushtë në mënyrë të vazhdueshme me Bashkinë e Hasit. Gjithashtu plani ka kaluar dy takime konsultuese me drejtoritë kryesore të Bashkisë dhe me aktorë të tjerë të interesuar, ka qenë i hapur në faqen e Bashkisë Has për komente nga publiku dhe është finalizuar me miratimin e tij nga Këshilli Bashkiak.

Miratimi i këtij plani në Këshillin Bashkiak e rendit Bashkinë Has ndër pushtetet vendore pararojë në menaxhimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të kapitalit natyror në favor të zhvillimit vendor dhe të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët. Plani ka vlerë të shtuar pasi konsideron elementët ndërkufitarë për një zhvillimi më të mirë të rajonit Shqipëri – Kosovë. Ashtu si Bashka Has dhe Komuna Klinë në Kosovë kanë ndjekur të dyja të njëjtin proces për hartimin e këtyre planeve respektive të veprimit me të njëjtën përqasje ndërkufitare për një angazhim të përbashkët të dy bashkive për fuqizimin e marrëdhënieve të fqinjësisë dhe ruajtjen e burimeve rajonale natyrore.

Dokumenti është konceptuar në mënyrë të tillë që njëkohësisht të përfaqësojë një plan veprimi dhe një dokument strategjik, i cili mund të inkuadrohet në të gjitha planet dhe strategjitë vendore të veprimit, si ato ekzistuese edhe ato të ardhme. Plani me 83 faqe është ideuar për mos u përdorur si një dokument i izoluar, por ti bashkëngjitet të gjitha planeve të tjerë të Bashkisë Has dhe parashikohet të zbatohet dhe përmbushet në 5 vitet e ardhshme me mundësi replikimi nga vetë stafi i Bashkisë të cilët tashmë i kanë kapacitetet e ngritura për përmirësimin dhe replikimin e tij.

Përmes hartimit të këtij plani dhe aprovimit të tij në Këshillin Bashkiak, Bashkia Has merr përsipër të integrojë në mënyrën e saj të qeverisjes parimet e ekonomisë së gjelbër çka përfaqëson vizionin e ri të zhvillimit ekonomik, por edhe të mirëqeverisjes.

Ky plan veprimi i hartuar për herë të parë në Shqipëri është zhvilluar në kuadër të projektit ndërkufitar Shqipëri – Kosovë me titull “Kapërcim i gjelbër– drejt ekonomisë së gjelbër vendore me investime inteligjente” i cili mbështetet financiarisht nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përmes programit ndërkufitar Shqipëri-Kosovë nën Instrumentin e Asistencës së Para- anëtarësimit (IPA II). Projekti Zbatohet në Shqipëri nga Qendra EDEN dhe Bashkia Has dhe në Kosovë nga Balkan Green Foundation ( drejtues i projektit) dhe Komuna Klinë.

Për t’u njohur me Vendimin e Këshillit Bashkiak, Bashkia Has, për Miratimin e Planit (30.06.2021) si dhe Konfirmimin nga Prefekti, Qarku Kukës (16.07.2021), klikoni Qendra EDEN.