Shoqëria koncensionare “Dragobia Energy” plotësisht në pronësi të “Gener 2 Sh.P.K” vijon aktivitetin e prodhimit të energjisë përmes HEC-eve “Çerem” dhe “Dragobia” në luginën e Valbonës, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë për pezullim të kontratës së koncesionit dhe të aktivitetit deri në një vendim të formës së prerë.
Këtë e konfirmojnë vetë banorë të zonës, të cilët nuk shprehen të habitur nga “kokëfortësia” e kompanisë për të mos iu bindur urdhrave të Gjykatës.
Kontaktuar nga Citizens Channel, përfaqësues të kompanisë “Gener 2” refuzuan të japin një koment rreth situatës së krijuar.
Nga burime të tjera për Citizens Channel mësohet se punimet vijojnë, pasi firma koncensionare pretendon se nuk ka marrë një shkresë zyrtare për ndërprerje të punimeve.
Më herët, Bajram Bashukaj, i cili u prezantua si financier i kompanisë “Gener 2”, tha për BIRN se puna do të vijojë dhe vendimi i Gjykatës së Lartë do ankimohet.
Në vitin 2007 u miratua leja për ndërtimin e hidrocentralit “Dragobia”, në Valbonë. Shoqëria “Gener 2”, nënshkroi kontratën koncensionare me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, si autoritet kontraktues.
Fillimisht ishte menduar që të ndërtoheshin katër hidrocentrale brenda zonës së mbrojtur, duke shfrytëzuar burimet ujore të përroit të Çeremit, lumit të Valbonës, përroit të Matinës dhe atë të Milloshit për një periudhë 35-vjeçare. Më pas, kompania fituese u tërhoq nga vendimi për të ndërtuar katër HEC-e, duke i reduktuar në dy, “HEC Dragobia” dhe “HEC Çeremi”.
Komuniteti u angazhua kundër HEC-eve, ndërkohë që firma u akuzua se kishte falsifikuar nënshkruesit në konsultimet me publikun, ku rezultonin firmëtarë edhe persona që ishin ndarë nga jeta.
Prodhimi i energjisë po shfrytëzon lumin e Valbonës si dhe ujin e përroit të Çeremit, që rrjedhin brenda luginës së Valbonës, që është shpallur “Park Kombëtar” në vitin 1996./ Citizens Channel