Dëmi në mjedis por edhe në shëndet sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, tregojnë se në qarkun e Beratit, dhe të Krujës është rritur numri i personave që kanë probleme me aparatin e frymëmarrjes.
Firmave shfrytëzuese të hapësirave pasuri shteti, ligji u kërkon që t’i rehabilitojnë ato në masën 100% me fondet e tyre. Legjislacioni përcakton qartë se hartimi i planit të rehabilitimit dhe fillimi i rehabilitimit progresiv të karrierës (guroreve) nga kompanitë, duhet të fillojë që në vitin e parë pas shfrytëzimit të saj.
Në lidhje me numrin e guroreve që kanë operuar apo operojnë në Shqipëri prej vitit 2014 dhe deri në vitin 2021, sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, rezultojnë se janë 291 kompani, të cilat operojnë në fushën e guroreve, prodhimit të çimentos dhe gëlqeres, në vendin tonë. Më saktësisht të shpërndara si më poshtë:
Sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit nga lista me 291 subjekte vetëm 12 të tilla kanë bërë rehabilitim të zonave në të cilat kanë punuar dhe, rehabilitimi ka ndodhur nga viti 2017 deri në vitin 2019, pra në një hark kohor tre vjeçar.
Po sipas këtij institucioni nga Drejtoria Inspektim Kontrollit pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, për periudhën e fundit dy mujore (qershor-korrik) 2021 nga grupet e inspektimit është marrë vetëm një (1) masë administrative “Dënim me gjobë” për subjektet që ushtrojnë këtë lloj aktiviteti.
Duket se bizneset e guroreve, që janë liçensuar nga vetë qeveria paguajnë në shtet vetëm 1% të vlerës financiare, që nxjerrin nga prodhimi i guroreve, e asnjë taksë tjetër me kushtin që pas shfrytëzimit të zonës, ta ri-pyllëzojnë me shpenzimet e tyre, nuk ndikohen nga ligji në fuqi.
Edhe pse ligji sqaron qartë se shpyllëzimi ose heqja e mbulesës së bimësisë duhet bërë gradualisht sipas punimeve, pamjet tregojnë se në Urën Vajgurore kompanitë nuk kanë humbur kohë, por kanë prerë njëherësh gjithë bimësinë rreth zonës së punimeve.
Dukshëm në asnjë prej kantiereve të cilat ishin aktive, nuk duket asnjë gjurmë rehabilitimi i zonës, qoftë me bimësi të zonës apo fidanë pemësh.
Krahas ndikimit në mjedis mos rehabilitimi i bimësisë ka ndikuar në shëndetin e qytetarëve dhe banorëve të zonës. Sipas informacionit zyrtar, nga Instituti i Shëndetit Publik, në bashkinë e Urës Vajgurore dhe atë të Krujës numri i sëmundjeve që kanë të bëjnë me aparatin e frymëmarrjes, ka njohur rritje të paktën katër vitet e fundit.
Sipas ekspertëve të mjedisit mos rehabilitimi në kohë i këtyre zonave, sjell impakt afatgjatë në shëndetin e njerëzve, si dhe florën e faunën./ Faktoje.al