Programi i “100 Fshatrave” u prezantua si një nismë inovative për turizmin në Shqipëri, një program në të cilin bënin pjesë fshatra nga Vermoshi e deri në Mursi, fshat pranë Konispolit, por një pjesë e madhe e këtyre fshatrave, nuk kanë parë as investimin më minimal dhe as që bëhet fjalë për tu shndërruar në pika të turizmit.
Informacioni zyrtar në lidhje me këtë projekt, i cili për hir të trasparencës duhet të ishte i gjithi online, pothuajse nuk egziston. Në faqet e Ministrisë së Turizmit apo edhe të Bujqësisë, dy prej ministrive kryesore të përfshirë në këtë program, maksimumi që do të gjeni është togëfjalëshi “100 fshatrat”, i përdorur në titujt e deklaratave ose fotove të titullarëve të këtyre ministrive.
Por një “tur” kërkesash me pyetje të drejtuara zyrave të shtypit të Ministrisë së Turizmit, Infrastrukturës dhe Bujqësisë tregon se dyert janë të mbyllura për këtë çështje. Të gjitha ministritë e telefonuara, sugjeruan që të kërkonim informacionin në një ministri tjetër pasi ato thjesht ishin partner. Asnjëra nga institucionet përkatëse nuk dha informacion sa ishte buxheti i parashikuar për këtë projekt, as se ku është ndërhyrë, në çfarë mase dhe asgjë tjetër. Fondi Shqiptar i Zhvillimit të cilit i referohen si zbatues të këtij projekti, edhe numrin e telefonit që ka të regjistruar si pikë kontakti në faqen zyrtare e ka jashtë shërbimit për shkak të një Defekti Teknik.
Programi i Integruar për Zhvillimin Rural (PIZHR), i njohur për publikun si Programi i “100 Fshatrave”, synonte të koordinonte ndërhyrjet zhvillimore në hapësirën e 100 fshatrave, sipas një qasjeje ndërsektoriale dhe me shumë aktorë, duke u shkëputur nga ndërhyrjet e pjesshme, por të kishte një qasje të rreptë sektoriale. Pra e thënë me fjalë të thjeshta, ky program synonte që 100 fshatra në Shqipëri të cilët kanë potencial të madh për zhvillimin e agroturizmit dhe jo vetëm, ti shndërrojë në pika turistike tërheqëse për turistët vendas e të huaj. Diçka që në rastin më të mirë ndodhi pjesërisht, e në rastet e tjera arritja e objektivit është shumë pranë zeros.
Guri i Bardhë, është një ndër fshatrat e përfshirë në programin e 100 fshatrave dhe është një zonë e cila, përveç bukurive të natyrës, ka edhe një histori të pasur. Njihet si vendlindja e Pjetër Budit, por edhe një bastion i Kastriotëve. “Ky është një qytet i vogël në Mat, i ndërtuar në një majë mali dhe që si trembet asnjë fuqie armike, përveç urisë”, me këto fjalë Barleti do ta përshkruante Gurin e Bardhë qindra vite më parë. Ky fshat prej dhjetëra vitesh nuk ka parë investim në infrastrukturë, ashtu si nuk pa edhe prej programit “100 fshatrat”.
Situatë e ngjashme paraqitet edhe në jug të të Shqipërisë, në fshatin Zhulat në zonën e Kardhiqit i cili është i përfshirë në programin “100 fshatrat”. Rrugën që të çon në fshat përveç makinës 4×4 vështirë, se e përshkruan makinë tjetër, nga ku aksi i ndërtuar para disa vitesh u zhduk nga reshjet e dimrit.
Interesi për të investuar në agroturizëm është diçka që nuk mungon në fshat, por mungesa e theksuar e infrastrukturës vijon të mbetet problem kryesor. Ndërkohë në Zhulat edhe uji i pijshëm sipas banorëve mungon, ku vetëm tani, sipas tyre ka kaluar një projekt në Bashkinë e Gjirokastrës për ngritjen e rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm të fshatit.
Në Gur të Bardhë, dëshira për ngritjen e agroturizmit është te pjesa më e madhe e banorëve. Një bujtinë është në fazat e para të ngritjes së saj, ndërsa shumë banorë të tjerë planifikojnë të nisin investimin nëse problematikat që i pengojnë marrin zgjidhje.
Guri i Bardhë është i vetmi fshat ndoshta në Shqipëri që nuk ka asnjë konflikt për tokat pasi i kanë ndarë sipas atyre që kanë patur gjyshërit. Por një pjesë prej tyre, ndonëse kanë paguar taksa për tokën prej vitesh, nuk kanë patur certifikatë pronësie për pronat e trashëguara brez pas brezi.
Pikërisht mungesa e dokumenteve të pronësisë, është bërë një pengesë e madhe për të zhvilluar turizmin në Gur të Bardhë.
Por duket se problemet e lartpërmendura nuk janë të përqendruara vetëm në dy nga 100 fshatrat që janë pjesë e PIZHRs. Për më shumë, klikoni artikullin e plotë nga Albanian Centerfor Quality Journalism.