Banorët e lagjes së Laknasit “Plepat e Brukës” janë lajmëruar për rrezikun e ndërhyrjes në pyllin e lagjes së tyre nga firma private “BioProducts” sh.p.k. Ky biznes privat prej vitit 2018 po përpiqet të ndërtojë një thertore të prezantuar si ‘agroturizëm’ në këtë zonë. Ndërsa banorët nga ana tjetër e shohin thertoren si një përvetësim privat i një hapësire publike pyjore të mbjellë e ruajtur prej tyre dhe e cila mbron mjedisin e zonës nga ndotjet e lumit dhe erozioni.
Në gjendje alarmi, ata janë mbledhur me njëri-tjetrin dhe kanë dërguar një seri kërkesash pranë bashkisë Kamëz, Komisariatit të Policisë nr. 5 në qytet, Kryetarit të Bashkisë dhe 41 këshilltarëve të Këshillit Bashkiak. Institucioneve u është kërkuar të jenë të pranishëm fizikisht dhe të njoftojnë nëse kanë dhënë leje ose janë në dijeni të ndërhyrjes së kompanisë.
Sipas banorëve pritet që në fillim të javës, firma private të fillojë punimet në zonë, kundër çdo lloj parashikimi ligjor, pa pritur ende përfundimin e procesit gjyqësor në shkallë të parë të Gjykatës Administrative të iniciuar nga vetë banorët kundër saj.
Ky proces gjyqësor ka filluar prej vitit 2019 dhe seanca e radhës do të jetë këtë shtator. Vendimi i ndërmjetëm për masën e sigurisë i dhënë në shkallën e parë ka siguruar pezullimin e punimeve në Pyll, çka ka lehtësuar shumë pozitën e banorëve.
Mirëpo, në dhjetor të vitit 2020 Gjykata Administrative e Apelit ka rrëzuar masën e sigurisë duke i hapur rrugën firmës për të nisur ndërtimin. Vlen të vihet në pah fakti se pavarësisht mijërave dosjeve në Gjykatën Administrative të Apelit, çuditërisht firma, përkundër ngarkesës së gjykatës, ia ka dalë brenda pak muajsh të fitojë një vendim në favor të saj.
Për projektin e thertores janë miratuar Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis, Leja e Zhvillimit dhe Leja përkatëse e ndërtimit, akte të cilave aktualisht ju ka përfunduar afati ligjor përkatës. Dyshimi që ngrihet nga banorët është mundësia që lejet janë rinovuar tashmë nga ana e Bashkisë Kamëz.
Në shkurt të vitit 2021 banorët e Laknasit kanë marrë shkresën nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) e cila ka saktësuar se në zonën e “Plepave të Brukës” nuk duhet të ketë asnjë ndërhyrje apo prerje drurësh pasi rrezikon seriozisht 200 banorët e zonës nga prurjet e lumit të Tiranës dhe erozioni.
Ky institucion parashtron se për ndërtimin e subjektit fitimprurës në fjalë duhet të ketë një studim të detajuar mbi pasojat dhe efektet në mjedis të tij si dhe dakordësimin me banorët e zonës. Banorët presin se IKMT-ja do të mundet të ndërhyjë dhe të ndalojë menjëherë punimet në rast se firma vendos t’i nisë ato.
Të indinjuar nga procesi agonik gjyqësor dhe administrativ, banorët e zonës janë shumë të shqetësuar për rrezikun që po i kanoset pyllit të tyre. Ata janë shprehur se janë duke u organizuar për të mbrojtur pyllin dhe që nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë ndërhyrjen e Bashkisë dhe firmës private, duke u bërë thirrje për mbështetje mbarë komunitetit dhe shoqërisë civile të Kamzës dhe Tiranës./ NYJE- Gazeta elektronike e Kamzës