Kromi në Bulqizë nxirret pa leje mjedisore

Pajisja me leje mjedisore është një kusht për të gjitha kompanitë që shfrytëzojnë burimet natyrore, por të dhënat e përpunuara nga emisioni “EkoSkaner” tregojnë se një numër shumë i madh i kompanive që nxjerrin krom në Bulqizë i shmangen këtij detyrimi, duke ushtruar aktivitetin në mënyrë të jashtëligjshme. Paralelisht, institucionet përgjegjëse për kontrollin e tyre nuk reagojnë, duke lënë të pashqetësuar mbajtësit e kontratave.

By admin

Në Bulqizë, që është një prej qyteteve më të pasur me mineralin e kromit në vend, operojnë 126 subjekte minerare, ndërkohë që “EkoSkaner” verifikoi të gjithë këto kompani pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, nëse janë të pajisur me lejen mjedisore. Pas përpunimit të të dhënave rezultoi se 1 në 4 kompani apo rreth 25% e tyre nuk e zotërojnë këtë dokument, ndonëse mbajnë statusin aktiv.

Sipas ligjit” Për lejet e mjedisit” këto subjekte kanë detyrimin për t’u pajisur me leje të tipit B.

Një leje mjedisi përcakton kërkesa specifike për monitorimin e cilësisë së ajrit, nivelit të zhurmave dhe dridhjeve, matjet e cilësisë së ujit gjatë fazës së zhvillimit të projektit, ndërsa specifikon masat e menaxhimit dhe zvogëlimit të ndikimeve apo dëmeve në mjedis. Mbajtësi i lejes është i detyruar të përmbushë të gjithë kërkesat e përcaktuara në lejen mjedisore dhe të raportojë informacionin dhe monitorimin mjedisor pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Për ekspertët e mjedisit, pajisja me leje mjedisore për subjektet që shfrytëzojnë burimet natyrore dhe rinovimi i saj është një kusht i panegociueshëm.

Pas reformës në inspektorate, që u ndërmor gjatë vitit 2019, tashmë janë 2 institucione që kanë detyrimin për kontrollin e subjekteve minerare dhe impaktin që ato kanë në mjedis.

Impakti në mjedis nga industria minerare është i madh, sidomos kur aktiviteti ushtrohet në mënyrë të jashtëligjshme.

Aktiviteti minerar në Bulqizë kryhet nëntokë, por subjektet që operojnë depozitojnë jashtë minierave tonelata me sterile apo mbetje të kromit, që kthehen në burim ndotje për tokën.

Efekti negativ nga këto shkarkime të pakontrolluar nuk është vetëm në mjedis, por edhe në shëndetin e njerëzve.

Vetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit i rendit aktivitetet industriale si një nga burimet e ndotjes së tokës, teksa e konsideron ndotjen e tokës nga metalet e rënda, si një nga çështjet mjedisore më të mprehta në nivel lokal dhe global që sjell efekte negative mbi botën dhe shëndetin e njerëzve.

Në raportin vjetor “Për gjendjen në mjedis” 2019, që është i fundit i disponueshëm, AKM liston efektet që sjellin në shëndet metalet e rëndë, duke filluar që nga bronkiti, pezmatimi i lëkurës, helmimi, sëmundje të mushkërive, kanceri i mushkërive, deformimi i kockave, shtypja e lartë e gjakut, dëmtimi i veshkave, dëmtim i sistemit nervor, etj.

Mungesa e lejes së mjedisit, përveçse tregon se subjektet minerare operojnë ilegalisht dhe pa kritere në drejtim të mbrojtjes së mjedisit, bën që këto kompani t’i shmangen edhe detyrimit ligjor për të kryer automonitorime e më pas t’i raportojnë pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Kjo pasi legjislacioni aktual detyron operatorët e veprimtarive që zotërojnë leje të tipit B, të monitorojnë shkarkimet e veprimtarisë së tyre.

Fakti që automonitorimet mungojnë vërtetohet edhe nga të dhënat zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Sipas raportit “Për gjendjen e mjedisit”, ky dikaster raporton numrin e subjekteve që kanë dorëzuar matjet e shkarkimeve pranë AKM. Për vitin 2019, për Qarkun e Dibrës, në total kanë dorëzuar raporte vetëmonitorimi të shkarkimeve në mjedis 68 subjekte. Në këtë shifër përfshihen të gjitha instalimet që disponojnë leje të tipit A dhe B, ndërkohë që në Bulqizë, vetëm numri i subjekteve minerare është 126.

Automonitorimet janë të vetmet mundësi për AKM-në që të ketë një informacion në lidhje me shkarkimet e kompanive të kromit. Kjo pasi, aktualisht ky dikaster nuk kryen asnjë monitorim të gjendjes në mjedis në këtë territor, pavarësisht aktivitetit të lartë industrial. Kjo praktikë do të jetë e njëjtë edhe në vitin 2021, pasi në Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit, AKM nuk ka asnjë stacion monitorimi të ajrit dhe tokës në Bulqizë. Ndërkohë që, në basenin e lumit Drin, ku edhe derdhen ujërat që dalin nga miniera, monitorimi hidrokimik kryhet në zonën e Shkodrës.

Ekspertët kërkojnë ndërmarrjen e një sërë masash për ndryshimin e kësaj situate, ndërsa shenjëstrojnë Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, që pavarësisht reformës, duket se nuk ka dhënë rezultatet e pritshme./ INA