Tubat e ujësjellësit rrezikojnë kanionin dhe burimin e Sinecit

I cilësuar si “syri i kaltër” i Beratit, burimi dhe kanioni i Sinecit është zonë e mbrojtur me vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2002. Në vitet e fundit ky burim është shndërruar në një atraksion turistik.

By admin

E gjithë zona e mbrojtur, kanioni dhe peizazhi i tij përreth që sot tërheq turistë, rrezikon që të shkatërrohet për shkak të një projekti të bashkisë Kuçovë për të ndërtuar aty një ujësjellës për të furnizuar me ujë shtatë fshatrat e njësisë administrative Lumas.

Kjo situatë ka shkaktuar edhe protesta të vazhdueshme prej gati 5 muajsh të banorëve të Lumasit, që kanë dalë kundër projektit të këtij ujësjellësi. Për banorët, ujësjellësi do shkatërronte çdo mundësi për pritjen e turistëve dhe shkatërrim të bujqësisë, pasi uji që përdorin për vaditje do futej në tuba.

Për këtë komunitet, zbatimi i projektit për ujësjellësin është i padobishëm dhe dëmton perspektivën turistike të zonës. Ata ngrenë shqetesimin për mungesën e transparencës në procesin e konsultimit publik.

Për disa javë me radhë në këtë fshat u zhvilluan disa protesta, përplasje me policinë dhe disa banorë zhvilluan grevë urie. Kjo e fundit u ndërpre vetëm pas vendimit të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, për të pezulluar punimet.

Parku i Sinecit ndodhet në pjesën më të madhe të tij brenda territorit të bashkisë së Gramsh dhe vetëm në një pjesë të vogël i takon bashkisë Kuçovë. Ai përfaqëson një kanion me përmasa të mëdha të formuar nga formacionet gëlqerore dhe veprimtaria e vazhdueshme karstike dhe gërryese e përroit të Saraselit. Kanioni llogaritet të jetë 300 metra i thellë në pikë maksimale, me shpate të thepisura në disa pjesë të tij. Burimi, kanioni bashkë me përroin e Saraselit çmohen për vlerat shkencore, ekologjike dhe turistike.

Sipas bashkisë Kuçovë dhe kompanisë Salillari punimet e zhvilluara deri në këto momente për të ndërtuar ujësjellësin për 7 fshatrat e Lumasit nuk kanë prekur zonën e mbrojtur. Banorët dhe avokati i tyre përfaqësues pretendon të kundërtën. Sipas avokatit Arben Llangozi, punimet janë zhvilluar brenda zonës së mbrojtur dhe në perimetrin rreth saj që quhet zonë buferike dhe ku nuk duhet të ketë ndërtime pa aprovimin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Ky konstatim rezulton edhe në inspektimin që bëri Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, dega Elbasan, e cila në përfundim urdhëroi pezulllimin e punimeve për shkak se janë zhvilluar punime në një zonë të mbrojtur.

Në vitin 2016 bashkia e Kuçovës, në masterplanin e saj propozonte krijimin e një parku kombëtar të përbashkët me bashkinë Gramsh ku të përfshihen vendburimi i Sinecit së bashku me shpellën e Xhixhilesë dhe zona të tjera piktoreske. “Një gjë e tillë mundëson ruajtjen e këtij burimi dhe kanioneve të tij si dhe shfrytëzimin e tij si një pasuri kombëtare dhe vendore për zhvillimin e turizmit. Promovimin e vendburimit dhe kanioneve të Sinecit si zonë turistike që ofron mundësi argëtimi dhe shplodhjeje”, thuhet mes të tjerash në këtë dokument të vitit 2016.

Sakaq, nga këndveshtrimi i ekspertëve të mjedisit, kjo çështje do duhet parë me seriozitet, pasi nevoja për furnizimin me ujë të banorëve të zonës, nuk mundet që të dëmtojë një pasuri natyrore që mbrohet prej vitit 2002.

Për t’i dhënë zgjidhje nevojës 30-vjeçare për furnizimin me ujë të pijshëm të fshatrave Lumas, Pëllumbas, Bardhaj, Sheqëz, Vodëz, Krekëz dhe Koritëz, në vitin 2017, Bashkia Kuçovë hartoi një projekt për ndërtimin e një ujësjellësi që ujin e burimit të Sinecit – Saraselit ta çonte në çezmat e banorëve në këto fshatra.

Sipas Bashkisë së Kuçovës ky projekt do t’i japë fund vuajtjes disa vjeçare banorëve të këtyre fshtarve për ujë dhe me një kosto të ultë, pasi rrjeti në 80% gjatësisë së tij do të jetë me rrjedhje të lirë.

Banorët u shprehën për ACQJ se ata nuk janë kundër faktit që në çezmat e shtëpive t’u shkojë uji i pijëshëm, por kanë shumë pikëpyetje, duke nisur që dyshimi se tokat e tyre mund të mbeten të thara dhe pa ujë.

ACQJ bisedoi me një tjetër banore të Lumasit, e cila u shpreh se si nga bashkia edhe nga kompania Salillari nuk i është treguar projekti. Banorët aludojnë edhe për marrjen e ujit përmes tubave për të ndërtuar një fabrikë uji.

Në lidhje me dyshimet për ngritjen e një fabrike uji në burimin e Sinecit, bashkia Kuçovë hodhi poshtë çdo aludim, duke nënvizuar: “Lajmi se në ketë zone do të ngihet fabrikë uji është tërësisht i pavërtetë pasi çdo fakt dhe provë është tërësisht e verifikueshme. Në këtë zonë do të ndërtohet një ujësjellës i cili do të furnizojë me ujë 7 fshatra dhe 5800 banorë.”

Aktualisht projekti për ujësjellësin e shtatë fshatrave me ujin e burimit të Sinecit është pezulluar, por kjo gjë nuk i qetëson aspak banorët e Lumasit. Pas këtyre muajve betejë, këta banorë thonë se janë gati që të hyjnë sërish në grevë dhe të japin gjithçka për ta mbrojtur burimin që për shekuj me radhë ka qenë i tyri./AlbanianCenter for Quality Journalism