Përfshirja e Gurit të Bardhë tek projekti i “100 fshatrave”, për banorët përfaqësonte një mundësi për të ruajtur vlerat historike dhe kulturore të zonës duke i ndërthurur me rritje të burimeve financiare, me tërheqjen e turistëve. Por teksa i kishin hedhur sytë nga turizmi, banorët u përballën me një projekt tjetër, që parashikon ngritjen e HEC-ve, çka sipas tyre, do të rezultonte me dëme në mjedis dhe mungesë të ujit të pijshëm.
Ndërtimi i 4 HEC-ve këtë fshat të Klosit, i ka lënë ata në në pasiguri. Kompania “Gealb Energy” sh.p.k përmes aplikimit AN050820200003 në e-albania, ka kërkuar zbatimin e projektit “Ndërtim HEC Guri i Bardhë 1 dhe Guri i Bardhë 2”, në fshatin Guri Bardhë të njësisë Administrative Xibër të Bashkisë Klos.
Banorët e zonës ngrenë shqetësimin se nuk janë informuar rreth këtij projekti dhe se kompania nuk ka bërë dëgjesa publike me ta, pavarësisht detyrimit ligjor.
Ngritja e peticioneve për anulimin e këtyre HEC-ve ka bërë bashkë banorët e fshatit për të kundërshtuar ndërtimin e tyre. Pavarësisht kësaj, ata nuk janë të sigurtë nëse janë anuluar me të vërtetë këto projekte apo jo.
Sipas banorëve, projektet janë ndryshuar njëri pas tjetrit, vetëm që këto katër HEC-e të ndërtoheshin dhe që banorët të binin dakord. Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore posedon të dhënat e projektit të parë, që i’u është prezantuar banorëve e që më pas nga kundërshtimet e tyre ky projekt supozohet të jetë anuluar, pavarësisht se këto të dhëna duhet të bëheshin publike nga instancat shtetërore. Nëse publiku kërkon të marrë informacion të plotë rreth tyre, kjo gjë është e pamundur për sa kohë këto nuk janë bërë në asnjë rast publike.
Ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës dhe Subjektit për qëllime të veçanta “Gealb Energy” sh.p.k, krijuar nga Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Sina 98” shpk, “Besland” shpk dhe “Albmërkuri” shpk, është nënshkruar kontrata koncesionare e formës “BOT” (Ndërtim-Operim-Transferim) me Nr. 1139. & Nr. 437/3 Kol, datë 21.04.2017, për ndërtimin e hidrocentralit “Guri i Bardhë”. Në zbatim të kontratës së sipërcituar HEC-i “Guri i Bardhë”, do të shfrytëzojë potencialin hidroenergjetik të përrenjve të Zallit të Dishit dhe të Shehut, degë të lumit Mat, Qarku Dibër, me karakteristikat e mëposhtme:
Në zbatim të kontratës koncensionare, shoqëria “Gealb Energy” sh.p.k., më datë 11.09.2017 ka paraqitur në MIE projektin e zbatimit të hidrocentraleve, të cilën Ministria e ka dërguar tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore për kryerjen e Oponencës Teknike Shtetërore. Pas kryerjes së Oponencës Teknike mbi projekt zbatimit të hidrocentraleve, AKBN-ja ka depozituar në MIE Raportin e Grupit të Oponencës Teknike, duke u shprehur si më poshtë:
Të pyetur se kur janë informuar që në fshatin e tyre do të ndërtoheshe një HEC, të indinjuar banorët e fshatit Gur i Bardhë shprehen se ishin njoftuar pasi projekti kishte përfunduar.
Për të ndaluar atë që e cilësojnë shkatërrim, ata ngritën peticione me 350 firma të cilat i adresuan në institucionet shtetërore si: Ministria e Mjedisit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Kryeministrisë dhe Presidencës. Ata thonë se nga asnjë institucion nuk kanë marrë një përgjigje pas dorëzimit të peticionit. Peticioni është dorëzuar dy vite më parë.
Banorët thonë se përfaqësues të ndryshëm të kompanisë kanë prezantuar projekte të ndryshme për të ndërtuar HEC-e dhe për të futur ujin në tuba.
Për pasojat ekologjike të mjedisit kundër ndërtimit të këtij HEC-i, ekspertët e mjedisit kanë renditur një sërë pasojash negative që sjell për mjedisin dhe gjallesat ndërtimi i hidrocentralit.
Pasojat negative kanë të bëjnë me pakësimin dhe mungesën e ujit të pijshëm, por dhe atë vaditës deri tek dëmtimi i ekosistemit, botës së larmishme të faunës dhe florës duke u bërë shkak edhe i procesit të erozionit.
Në mungesë të njohjes së projektit, të dëmit që parashikojnë se do të kenë ekonomikisht, në mjedis dhe dëshirën e tyre për t’u zhvilluar si fshat turistik, banorët thonë se do mbrohen deri në fund dhe nuk do lejojnë që uji i atij fshati të merret dhe të futet në tuba. Por projektimet e banorëve janë ndryshe nga projektimet e kompanisë që synon ngritjen e HEC-ve, prandaj ata duhet të zgjohen e ngrysen me “kërcënimin” e ndërtimit të 4 HEC-ve.
Ndërtimi i HEC-eve në zonat e mbrojtura, ka pasoja të pakthyeshme në ekosistem, sidomos kur këto zona përcaktohen si pika turistike dhe bëjnë pjesë në projekte zhvillimi sikurse është dhe projekti i fundit “100 fshatrat”./ Albanian Center forQuality Journalism