Banorë të zonës identifikuan vatrën e zjarrit rreth orës 12:35, ndërkohë që në një kohë të shkurtër flakët kanë përfshirë një sipërfaqe mjaft të madhe të një masivi të dendur me mare e shkurre të llojit shkozë, dëllinjë, lajthi etj.
Ndërkohë mbizotërimi i barishteve të thata dhe era e lehtë po favorizojnë përhapjen e flakëve. Aktualisht për izolimin e flakëve janë angazhuar disa banorë të zonës dhe në ndihmë të tyre pritet të shkojnë edhe punonjës të shërbimit zjarrfikës. Paraprakisht dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme pasi në këtë zonë edhe vite më parë është tentuar hapja e kullotave duke djegur masivet me shkurre. Gjatë kësaj jave nga zjarrvënia e qëllimshme u dogjën disa ha me pyje në Malin e Bukanikut në zonën e Shpatit.
Kodrat “Lugat” të Njësisë Administrative Shushicë, Elbasan, janë përfshirë nga flakët. Forcat zjarrfikëse kanë arritur të shkojnë në vendngjarje ku ra zgjarri dhe kanë vendosur flakët nën kontroll duke bërë të mundur shuarjen e tij.
Sipas informacioneve paraprake, nga konstatimi në vendngjarje dyshohet se zjarri është i qëllimshëm por deri më tani nuk ka asnjë informacion nga DVP Elbasan për të shoqëruar apo për shkaqet e zjarrit.