Prokuroria e Elbasanit nis hetimin kryesisht për ndotjen në qytetin e Elbasanit. Hetimi nisi si pasojë e denoncimeve të herëpashershme në media dhe do të fokusohet në zonën e ish kombinatit Metalurgjik, por edhe shkaktarëve të tjerë të ndotjes mjedisore.
Burime zyrtare nga prokuroria bëjnë me dije se në fokus të hetimit do të jenë edhe institucionet shtetërore të mbrojtjes së Mjedisit, si inspektorati i mjedisit, IKMT etj.
Çështja e sapo nisur do të kërkojë mendimin dhe matjet e specializuara të ekspertëve që do të thirren për çështjen, por nëse ky hetim do të jetë i thelluar dhe i kryer me korrektësi, prokurorisë i duhet të marrë edhe shifrat e sakta të të prekurve me kancer dhe shkaqet e tyre.
Në zonën e ish kombinatit Metalurgjik operojnë disa kompani, të cilat nuk shkaktojnë vetëm ndotje në ajër, por në ujë dhe tokë gjithashtu.
Po ashtu, prokuroria do të duhet të thellohet edhe në dokumente të Bashkimit Evropian ku prodhimet bujqësore të zonën pranë ish kombinatit Metalurgjik cilësohen të pa konsumueshme.
Në vitin 2017 Këshilli Bashkiak i Elbasanit shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore në zonën e ish kombinatit Metalurgjik, po ashtu vendimi u shoqërua me protesta qytetare dhe të shoqërisë civile. Si përfundim asgjë nuk ndryshoi.
Banorët thonë se filtrat fiken gjatë natës dhe kompanitë punojnë lirisht. Ligji i vetë monitorimit bëri që çdo gjë në metalurgji të shkëlqejë, ndërsa përballë kësaj situate duket se të gjitha institucionet nuk kanë mbyllur një sy, por të dy.