Liqeni i Fierzës vuan pasojat e keqmenaxhimit të mbetjeve brenda dhe jashtë kufirit

Në orët e para të mëngjesit, afër vendgrumbullimit të mbetjeve urbane në zonën e Mamëzit, Kukës një burrë hyn përmes hyrjes së hapur, teksa mbetjet janë të përhapura kudo. Vendgrumbullimi, i pozicionuar disa metra larg liqenit të Fierzës, është i rrethuar vetëm në anën e rrugës me një mur betoni, ndërsa pjesa tjetër e saj është e hapur, çka mundëson rënien e lirë të plastikës e mbetjeve të tjera po drejtpërdrejt në liqen.

By admin

Liqeni i Fierzës në Kukës u formua në vitin rreth vitit 1980, si pasojë e ndërtimit të hidrocentralit në lumin Drin.

Lumi Drin rrjedh në pjesën veriore të Shqipërisë dhe formohet nga bashkimi me Drinin e Zi që buron nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Drinin e Bardhë që buron nga Kosova. Të dyja këto degëzime, së bashku me rrjedhën ujore, sjellin çdo vit në Shqipëri mbetje të shumta të qytetarëve dhe bizneseve që jetojnë e punojnë përgjatë lumit në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë.

Në mungesë të një zgjidhjeje për menaxhimin e mbetjeve por edhe të ndërgjegjësimit, shumë qytetarë brenda dhe jashtë kufirit të Shqipërisë, e përdorin lumin si një “vendgrumbullim të lëvizshëm mbetjesh”.

Ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, në nenin 23, thekson se është detyrë e Bashkive për menaxhimin, largimin dhe trajtimin e mbetjeve të ngurta dhe shtëpiake.

Nga ana tjetër, dokumenti i publikuar te Bashkitë e Forta informon se Bashkia e Kukësit gjatë viteve 2018-2019 ka alokuar zero lekë për menaxhimin e mbetjeve, ndërkohë që sipas vetë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, në vitin 2018 qarku i Kukësit, që përfshin Bashkinë e Kukësit vetë, Hasin dhe Tropojën ka prodhuar 18,178 ton mbetje.

Në total, në qytetin e Kukësit, sipas të dhënave të publikuara në faqen e Bashkisë Kukës, janë të vendosur 100 kontejnerë për 22,614 banorë. Këto mbetje, gjithsesi e kanë të shkurtër rrugëtimin; ato përfundojnë në vendgrumbullimin e Manëzit, e më pas në liqenin e Fierzës.

Eksperti mjedisor Gjergj Selfo shpjegon se qasja e bashkive për menaxhimin e mbetjeve mbetet sipërfaqësore dhe nuk ka si qëllim t’i shkojë në zemër problemit.

Një tjetër ndikues në ndotjen e liqenit të Fierzës dhe Drinit në tërësi janë dhe aktivitetet minerare.

Qarku i Kukësit dhe i Dibrës kanë aktivitet të lartë të shfrytëzimit të sektorit minerar dhe guroret.  Minierat janë ende sektori kryesor ekonomik në rajonet e Kukësit dhe Dibrës, të fokusuar në minierat e anhidridit (sulfat anhidrik kalciumi, CaSO4) në anën e djathtë të Drinit të Zi në rajonin e Dibrës dhe në minierat hekur-nikel, krom dhe bakër rreth liqenit të Fierzës në rajonin e Kukësit.

Uzinat kryesore që kanë shkaktuar ndotje mjedisore  janë minierat e kromit, të  bakrit dhe guroret në Çabrat, Rrogam 1, 2, 3, Çorraj, Lajthizë, Kam, Kepenek, Zogaj 1, 2, 3, Skatinë, Shpati i Vishës, Vlah, Pëlajlaj, Qafëprushi, Prroi i Batrës, Kalimash 1, 2, 3 dhe minierat e bakrit në Gjegjan, Gdheshtë, Shëmri/Leproi, Golaj, Nikoliq, Krumë/Kullaj, Goskolli.

Prej vitit 2009, Shqipëria ka filluar dialogun me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Malin e Zi për të zgjidhur situatën e ndotjes në lumin Drin, të cilat mbarten deri në detin Adriatik. “Drin Dialogue”ishte projekt i financuar nga Agjencia Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit dhe ka si qëllim fillimin e një marrëveshjeje ndërkufitare për rregullimin e situatës.

Ky projekt pati kohëzgjatje deri në nëntor të vitit 2011 dhe u shoqërua me takime të vazhdueshme institucionale nga përfaqësues të shteteve si Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ku u elaborua në terma afatgjatë një strategji për menaxhimin e basenit të Drinit.

Në vitin 2011 u firmos në Tiranë Memorandumi i Kuptueshmërisë për Menaxhimin e Basenit të Drinit në nivel Ndërkufitar nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Greqia, Kosova dhe Mali i Zi.

Objektiva e këtij memorandumi ishin minimizimi i ndotjes, përmirësimi i aksesit në të dhëna, minimizimi i përmbytjeve dhe minimizimi i dëmeve nga ndryshimet hidro-morfologjike. Ky projekt u financua nga “Global Environment Facility” (GEF), u implementua nga Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe u ekzekutua Partneriteti Global i Ujit (GWP).

Në vitin 2015, një projekt multi-milion dollarësh u financua për të mbrojtur resurset e basenit të Drinit. “Global Water Partnrship Mediterranean”, UNDP dhe UNECE financuan dy projekte me vlerë 5.5 milion dollarë për bashkëveprimin e shteteve që jetojnë përgjatë lumit Drin.

Në vitin 2019, një tjetër projekt me vlerë 9,927,750 dollarë u miratua për menaxhimin e përmbytjeve në basenin e lumit Drin në Shqipëri, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Malin e Zi, i cili do të implementohet deri në vitin 2024 tërësisht nga UNDP.

Përfaqësues nga institucionet për ruajtjen e mjedisit në Kosovë pohuan se kanë përfunduar ndërtimin e dy impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në Drinin e Bardhë, në Prizren dhe në Rahovec. Premtimet se do të ndërtohen impiante të tjerë në për trajtimin e ujërave të zeza nuk janë fraza të padëgjuara më para nga aktivistët mjedisorë në Kosovë.

Aktivistët mjedisorë shprehen kritikë ndaj politikave të ndërmarra deri më tani për restaurimin e Drinit të Bardhë.

Pas një rrugëtimi të gjatë ndërkufitar, Drini takohet me Bunën, e cila del nga liqeni i Shkodrës dhe është 44 km e gjatë. Biologia Aurora Piroviq e konsideron atë amazonën shqiptare, por fatkeqësisht bukuria e saj shëmtohet po ashtu nga ndotja e gjithanshme.

Kontribues në ndotjen e lumit Buna, përveç Drinit, është edhe lumi Kir, që rrjedh nga Dukagjini dhe Përroi i Thatë nga Malësia e Madhe që përdoren nga banorët si “kontejnerë”, e që në sezonin e shirave përfundojnë në Bunë, e më pas në Adriatik.

Hedhja e inerteve përgjatë brigjeve të Bunës është një tjetër shqetësim i pa adresuar.

Një tjetër problematikë që lidhet me ujërat e lumit Bunë është edhe mbipeshkimi me korrent dhe përdorimi masiv i rrjetës, gjë që kanë çuar në zhdukjen e peshqve karakteristikë të lumit Buna, si krapi, peshku blin apo ballgjan.

Lumenjtë, dikur ishin të pastër, të gjerë dhe i sillnin të mira e begati komunitetit. Sot, pak vite pas ndërrimit të sistemit, janë kthyer në “vendgrumbullime mbetjesh” të preferuara për nga lehtësia, si për qeveritë e ashtu për komunitetet.

Tashmë lumenjtë nuk sjellin më begati, por mbeturina, plastike, ujëra të zeza që vazhdimisht të kujtojnë se sa pak është bërë për të ruajtur burimin parësor të jetës: lumin!/ EcoAlbania