Tre fshatrat Zharrës, Sheqishte dhe Marinëz, në Patos, që ndodhen shumë pranë fushës së mbetjeve, gjatë gjithë natës së 22 shtatorit, janë mbuluar nga tymi që çlirohej nga djegia e plehrave, duke shqetësuar banorët.
Situata shumë e përkeqësuar, ndikuar edhe në shëndetin e tyre duke shkaktuar probleme me frymëmarrjen. Në këtë mënyrë, banorët kanë kërkuar zgjidhje të menjëhershme të problemit, duke vepruar si në rastin e landfilleve në bashkitë e tjera, pra që mbetjet të izolohen me dhé.
Ambientalisti– “Gjëja më e mirë që bënë zjarrfikësit dje ishte ndërprerja e perimetrit. Këtu nuk mund të bëhet gjë, e vetmja mënyrë mbetet izolimi me dhé. Fatmirësisht këtu nuk kemi puse nafte aktive. Nëse dje do kishte përparuar zjarri në kodra, mund të rrezikonim edhe objekte të veçanta. Për njerëzit kjo situatë është shumë e rëndë.”
Flakët u përhapën për shkak të erës edhe në ullishtat përreth, nga ku u dogjën mbi 100 rrënjë ulliri.
Banorët shprehen të shqetësuar edhe sepse në këto zona ndodhen edhe puse nafte dhe një zjarr afër tyre, mund të shkaktonte një katastrofë mjedisore.
Aktualisht, po punohet për grumbullimin e mbetjeve, por eksperti nuk e sheh këtë si një zgjidhje afatgjate.
Ky landfill është bërë gjithmonë problem duke qenë se përdoret nga persona që mbledhin mbetje. Por e kemi denoncuar edhe si landfill ku hidhen kafshë të ngordhura nga pronarë të bizneseve të ndryshme- shprehet ambientalisti i zonës.
Ndërkohë, nuk dihet ende në qoftë se zjarri ka qenë i qëllimshëm, për këtë arsye është ngritur një grup hetimi, si për përgjegjësit e zjarreve por edhe për dëmshpërblimin e banorëve.